Dialogu Kosovë-Serbi, flet zyrtari i LDK-së, thotë se kryeministri Hoti ka guximin dhe mbështetjen e plotë të ShBA-ve

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi, flet zyrtari i LDK-së, thotë se kryeministri Hoti ka guximin dhe mbështetjen e plotë të ShBA-ve

Nga: N. H Më: 17 korrik 2020 Në ora: 22:00
Hoti, Borrell dhe Vuçiq nga takimi i djeshëm

Kosova dhe Serbia i janë rikthyer pas një kohe të gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me udhëheqës të palëve, kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bedri Nika, njëherit edhe kryetar i degës së LDK-së në Drenas, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka komentuar takimin e djeshëm në Bruksel.

Nika shprehet se është e rëndësishme se opinioni këshillëdhënës i GJND-së po e përcjell, dhe është i pranishëm në tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që, sipas tij, ky mendim ka krijuar kornizat e dialogut.

“Së pari, vlen të përmendet aspekti historik i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ky dialog filloi pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriti gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi”.

Image
Bedri Nika dhe kryeministri Avdullah Hoti

“Është i një rëndësie jetike që opinioni këshillëdhënës i GJND-së po e përcjell dhe është i pranishëm në tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ky mendim ka krijuar kornizat e dialogut, gjë që e bën të pamundur kontestimin e ligjshmërisë që Kosova të ekzistojë si një shtet i pavarur dhe sovran brenda kufijve të përcaktuar, sepse tani autoriteti më i lartë botëror për interpretimin e ligjit ndërkombëtar, ka thënë fjalën e fundit, duke hequr dyshimet e Serbis në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë sonë”, ka thënë Nika.

Zyrtari i LDK-së konsideron se shefi i qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ditën e djeshme në Bruksel, e përfaqësoi Kosovën me legjitimitet të plotë.

“Pa dashur të analizoj zhvillimin e dialogut në tërësi, dua të theksoj se në takimin e djeshëm midis Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, Kosova përcolli një mesazh për të gjithë Evropën që është e interesuar për paqen, stabilitetin në rajon dhe të shtyjë agjendën evropiane përpara në të gjithë Ballkani”.

“Dje, Kryeministri Hoti përfaqësoi Kosovën me legjitimitet të plotë dhe si një shtet i barabartë dhe me një vizion të qartë”, shprehet tutje zyrtari i LDK-së.

Vizoni i Avdullah Hotit

Kurse, Nika ka treguar se vizioni i të parit të Qeverisë së Kosovës mbetet njohja e ndërsjellë dhe normalizimi i raporteve mes dy vendeve.

“Vizioni i kryeministrit Hoti është që dialogu të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Kryeministri Hoti gjithashtu preku tema të tjera të ndjeshme për Kosovën që liderët e tjerë në të kaluarën nuk kishin diskurs siç janë personat e zhdukur dhe çështjet ekonomike, kompensimin e dëmeve të luftës, suksesionin, borxhin e shtetit, etj”.

“Më në fund, dua të theksoj se zhvillimi i dialogut dhe njohja e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran e bën Serbinë dhe popullin serb më të fuqishëm dhe më evropian sepse Serbia më në fund do të ndahet nga planet e Slobodan Milosevic që shkaktojë kaq shumë tragjedi për të dy popujt e Ballkanit”, ka treguar Nika.

Hoti ka mbështetjen e ShBA-së

Ndërsa, i pyetur se a po përfaqësohet mirë Kosova me Avdullah Hotin në krye të negociatave, Nika për “Bota sot”, potencoi se kreu i qeverisë aktuale ka guximin, aftësinë dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sa i përket pyetjes së dytë, duhet të ia jap vetit të drejtën dhe të flas për kryeministrin Hoti për shkak të bashkëpunimit që kemi, mendoj se është e rëndësishme të theksohet që Kosova përfaqësohet nga një Drejtues që ka dyer të hapura në Bruksel dhe Uashington. Të jeni të bindur që Kryeministri Hoti ka guximin, aftësinë dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar dialog, por mbi të gjitha, Kryeministri Hoti ka një vizion të qartë dhe largpamës për të i mbrojtur interesat e Kosoves në koordinim të plotë me Shtëpin e Bardhë në Uashington”, potencoi Nika.

Krejt në fund, zyrtari i LDK-së ka theksuar se beson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me një traktat paqeje, ku të dy popujt mund të jetojnë në paqe.

“Në lidhje me pyetjen tuaj të tretë dhe të fundit, mendoj që nga fillimi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, forma e diaologut ka ndryshuar nga ajo që fillimisht u quajt dialog teknik, pastaj dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Ndryshe, unë besoj në dialog dhe mendoj se në fund të fundit ky dialog do të jetë një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, ku të dy popujt mund të jetojnë në paqe, stabilitet dhe në një Evropë të bashkuar”, ka thënë në fund Nika, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat