“Sulmet” ndaj Viola von Cramon pas vizitës që i bëri Speciales, flet profesori ndërkombëtar – tregon qëllimin kryesor të Thaçit

Politika

“Sulmet” ndaj Viola von Cramon pas vizitës që i bëri Speciales, flet profesori ndërkombëtar – tregon qëllimin kryesor të Thaçit

Nga: N. H Më: 21 korrik 2020 Në ora: 22:49
Hashim Thaçi

Gazeta “Bota sot”, gjatë ditës ka raportuar se vizita e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në Gjykatën Speciale, ka krijuar reagime nga më të ndryshmet në vend.

Edhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vizitës së raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar të Prokurorisë në Hagë.

Hoxhaj përmes një postimi në Twitter ka thënë se ajo çka ka bërë Von-Cramon është ndërhyrje politike.

E, për t’i komentuar këto zhvillimeve, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori i njohur, dhe njohësi i çështjeve politike.

Profesori i njohur ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Viola von Cramon po lufton më shumë se presidenti i vendit për të drejtat e Kosovës në kontinentin dhe bashkësinë evropiane.

Bytyçi ka thënë se zonja Viola von Cramon është zëri më i çmuar i Kosovës në Parlamentin Evropian dhe me ndikim në Komisionin Evropian.

Ai është i mendimit se Cramon nuk u bë “armike” e klanit Thaçi pas vizitës që ajo bëri në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë, të enjten e kaluar, ditën që zoti Thaçi përfundoi përgjigjet e tij të akuzës

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“Mos harrojmë se ajo ka lindur në Nordrhein Westfalen të Gjermanisë dhe pavarësisht se nuk i përket partisë së zonjës Merkel, ka një zë të fuqishëm për Kosovën në strukturat e shtetit gjerman. Si përfaqësuese e të Gjelbërtve gjermanë të Joschka Fischer ajo ka shumë arsye të jetë e flaktë në mbrojtje të Kosovës dhe e tillë ka qenë deri më sot”, ka thënë Bytyçi.

Profesori tregon se Viola von Cramon ishte e tillë sa herë e mbrojti me vendosmëri integritetin territorial të Kosovës.

“Ne e dimë tashmë sa si është sulmuar nga detashmenti i presidentit të Kosovës, si është përçmuar e nënçmuar nga Baton Haxhiu dhe spikerët e tjerë të propagandës serbe në Kosovë. E dini pse? Sepse mbronte shtetin, institucionet dhe territorin e Kosovës. Prej kujt? Prej Hashim Thaçit dhe ithtarëve të tij. Absurditet. Megjithatë pas vizitës në selinë e gjykatës sulmet e enturazhit të presidencës po e sulmojnë më shumë përfaqësuesen e Bashkimit Evropian, e cila lufton më shumë se presidenti i vendit për të drejtat e Kosovës në kontinentin dhe bashkësinë evropiane. Qëllimi i këtij enturazhi është që ta politizojnë akuzën që është ngritur kundër Thaçit. Kjo do të thotë se kjo akuzë është vërtet serioze. Kjo do të thotë se përkrahësit e presidentit të Kosovës kanë frikë se do ta humbasin mbrojtësin e interesave të dyshimta të tyre. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mundësi tjetër veç politizimit, që Hashim Thaçi të mbrohet nga akuzat që janë ngritur kundër tij”, shprehet ai.

Bytyçi me tej shpjegon se është e drejtë e saj të marrë informacionin që ia lejon ligji, edhe nëse për këtë ajo motivohet politikisht, ndërkaq shton se sa kohë që Thaçi mban postin e presidentit, pavarësisht akuzës së ngritur ndaj tij, është vetë ai do ta politizojë çështjen.

“Sa më shumë ai do ta politizojë këtë proces, aq më shumë do të dyshohet për krimet për të cilat është akuzuar. Vizita e zonjës Cramon në Gjykatën Speciale të Hagës mund të ketë shkaqe politike, mbasi ajo mund të ketë dashur të informohet për procesin e intervistimit të Thaçit para prokurorit special. Edhe në deklaratat e veta, ai flet si president dhe jo si Hashim Thaçi. Atëherë pse nuk e paska të drejtën raportuesja e Brukselit për Kosovën që të interesohet për fatin e presidentit të Kosovës?. Nëse Thaçi do shkonte në Hagë si individ, si Hashim, atëherë edhe Cramon besoj se nuk kishte arsye të shkonte në selinë e Gjykatës Speciale”, ka shpjeguar profesori i njohur.

Krejt në fund, ai thekson se prej ditës kur ka dalë akuza e deri më tani, presidenti Thaçi është përpjekur ta politizojë këtë akuzë.

“Pasi i shpreh se në Hagë nuk shkon individi dhe shtetasi i Kosovës Hashim Thaçi, por po shkonte Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai thirri në ndihmë të kësaj ideje kryeministrin e Kosovës, Edi Ramën. E patë Lulzim Bashën gjatë vizitës së tij në Prishtinë? Një maturi e jashtëzakonshme për të vlerësuar pozitën e Thaçit dhe raportin e tij me Gjykatën Speciale”.

“Asnjë lloj politizimi. Si dhe një vërejtje me shumë takt për zotin Thaçi, kur i kërkoi që zgjidhja në konfliktin me Serbinë duhet të jetë zgjidhje e rakorduar midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Çfarë bëri presidenti Thaçi në tri vitet e fundit? Luftë kundër Evropës dhe bashkërendim i përpjekjeve të tij me Vuçiç, Daçiç dhe Bolton për ndarjen e Kosovës, duke sulmuar dhe kritikuar ashpër autoritetet kryesore të Bashkimit Europian dhe të Gjermanisë. Tani ankohet se përfaqësuesja e BE-së për Kosovën interesohet për fatin e presidentit të Kosovës në Gjykatë. Absurditet i paparë. Unë sinqerisht dua që zoti Thaçi të heshtë. T’ua mbyllë gojën dhe atyre që e “mbrojnë”. Do të ishte më mirë për vetë presidentin e përkohshëm të Kosovës, por edhe për vetë Kosovën. Së paku ta ndihmojë njëherë vendin e tij me heshtje”, ka thënë profesori i njohur ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat