Riza Smaka: AAK duhet të largohet nga koalicioni qeverisës për këto dy arsye

Politika

Riza Smaka: AAK duhet të largohet nga koalicioni qeverisës për këto dy arsye

Nga: G.B Më: 23 korrik 2020 Në ora: 14:49
Riza Smaka

Emërimi i Koordinatorit Qeveritar për Dialog, nga kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë që të reagojnë partitë e koalicionit qeverisës, AAK dhe Nisma.

Liderët e këtyre partive kanë deklaruar se nuk janë konsultuar dhe nuk janë informuar për emërimin e Skënder Hysenit koordinator.

E për këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se AAK do të duhej që të braktiste koalicionin.

“AAK- ja vetëm për faktin se partneri qeveritar LDK- ja, jo që nuk e ka konsultuar por as që e ka informuar AAK- në për emërimin e Koordinatorit të Dialogut, do të duhej, me indinjatë, të braktiste koalicionin qeveritar edhe ashtu problematik përkitazi me postulatin e legjitimitetit madje edhe të legalitetit”, është shprehur ai.

Ai si arsye për tu larguar nga koalicioni përmend edhe vendimin e Qeverisë për të shkarkuar Komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të emëruar nga ish Qeveria e administruar nga Haradinaj.

“Aq më parë kur Qeveria aktuale, pa bazë ligjore, arbitrarisht në datën 1.7.2020, para skadimit të mandatit e ka shfuqizuar Komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të emëruar nga ish Qeveria e administruar nga z. Ramush Haradinaj, AAK- ja, do të justifikohej politikisht dhe moralisht të braktiste koalicionin qeveritar aktual”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat