Përçarje në koalicion, Shahu: Mungesa e besimit hedh në erë qeverinë

Politika

Përçarje në koalicion, Shahu: Mungesa e besimit hedh në erë qeverinë

Nga: G.B Më: 25 korrik 2020 Në ora: 15:01
Qeveria e Kosovës

Emërimi i Koordinatorit shtetëror për dialog, Skënder Hyseni, u bë nga kryeministri Avdullah Hoti, vendim për të cilin nuk u konsultuan e as nuk ishin në dijeni partnerët e koalicionit.

Lideri i AAK-së dhe ai i Nismës deklaruan se nuk e kishin ditur se do të bëhej ai emërim, derisa Haradinaj deklaroi se nëse vazhdon kështu, AAK nuk do ta mbështes dialogun me Serbinë.

Se a mund të jetë kjo arsye që të ketë përçarje në mes të koalicionit, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është problem nëse nuk ka pajtim të partnerëve për Koordinatorin, por që nuk mund të pyeten për çdo gjë partnerët nga kryeministri.

Image
Rexhep Shahu

“Nëse nuk bien dakort partnerët për emërimin e koordinatorit të bisedimeve është problem. Por është edhe jo e pëlqyeshme që të qeveriset duke pyetur për çdo gjë se kjo tendencë sjell pafuqishmëri të kryeministrit i cili nuk mund të udhëtojë me zinxhirë në këmbë. Nëse do të ketë vazhdimisht kërcënime sikur po ndodh një mallkim që të mos qeveriset Kosova dhe të vërtetohet teza e Vlladan Gjorgjeviqit se shqiptarët nuk mund të bëjnë shtet”, është shprehur ai.

Shahu vlerëson se nëse pyetën tre katër kryetarë, nuk ka kryeministër asnjëherë, derisa shton se nuk i kupton kërcënimet që bëjnë partitë dhe se nëse Qeveria zhbën atë që bëri, cenohet autoriteti i saj.

“Nëse duhet të pyetën tre katër kryetarë, atëherë nuk ka kryeministër Kosova asnjëherë. E nuk i kuptoj kërcënimet e herëpashershme. Kjo mungesë besimi hedh në erë qeverinë por nuk i forcon partitë mbushëse që gjithmonë do të jenë mbushëse dhe jo udhëheqëse koalicionesh. Nëse tani qeveria zhbën atë që bëri, cenohet autoriteti i saj dhe për qeveri të tillë veç Serbia ka interes”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat