Njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Thaçit paralajmëron: Mund të ketë destabilizim nëse arrestohet presidenti

Politika

Njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Thaçit paralajmëron: Mund të ketë destabilizim nëse arrestohet presidenti

Nga: D.RR Më: 26 korrik 2020 Në ora: 19:42
Hashim Thaçi

Njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të presidenti Hashim Thaçi, Gazmend Islami i cili është edhe kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, ka thënë për “Bota sot” se Gjykata Speciale është një produkt antishqiptar, një produkt që e kanë sajuar shërbimet e fshehta serbe, ruse dhe bashkëpunëtorët e tyre siç ishte Dick Marty.

Islami thekson se kjo Gjykatë është diçka që është krijuar për t’i barazuar kriminelët dhe viktimat.

“Mendoj që Gjykata Speciale është një produkt antishqiptar, një produkt që e kanë sajuar shërbimet e fshehta serbe, ruse dhe bashkëpunëtorët e tyre siç ishte Dick Marty. Pra, thjeshtë është diçka që është krijuar për t’i barazuar kriminelët dhe viktimat, fjala është që të merren vrasjet, vuajtjet e përdhunimet që i kanë bërë shteti serb ndaj popullit shqiptarë. Pra, të barazohen me krimet serbe përmes kësaj Gjykate, e cila do të ketë përpjekje dhe do të dënojë disa shqiptarë, komandantë të zotë, të cilët këto dënime do t’i japin imazh të keq Kosovës”, tha ai.

Islami mendon se dorëheqja e Thaçit do të ishte akt moral dhe patriotik.

Image
Gazmend Islami

“Sa i përket presidentit Thaçi, meqenëse unë jam njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të tij qysh nga koha kur ai ishte kryeministër i vendit, por me këtë rast, ne nuk e mbrojmë Thaçin por i mbrojmë interesat e vendit dhe do të ishte e ndershme dhe patriotike që presidenti Thaçi të jepte dorëheqje nëse vërtetohet aktakuza kundër tij, sepse në atë formë nëse do të shkonte si president i vendit, atëherë në të gjitha mediat ndërkombëtare do të shkruanin për të në faqet e para të gazetës, e kjo do të dëmtonte rëndë imazhin e shtetit të Kosovës. Pra dorëheqja e tij do të ishte edhe morale”, u shpreh Islami.

Ai tutje mendon se nëse Thaçi arrestohet, situata në vend mund të dal nga kontrolli dhe të ketë destabilizim sepse do të ketë pakënaqësi të mëdha te qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.

“Është për keqardhje që kjo gjykatë është përkrahur dhe është mundësuar të krijohet nga vet Thaçi sepse ky nuk e ka llogaritur në asnjë moment që do të bie në grackën e shërbimeve të fshehta edhe të shteteve jo mike të Kosovës, të cilat janë në kuadër të BE-së. Por sido që të jetë, unë mendojë që nëse Thaçi arrestohet, situata në vend mund të dal nga kontrolli dhe të ketë destabilizim sepse do të ketë pakënaqësi të mëdha te qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo mbështetjes së tyre politike për Thaçin, sepse është e rëndë që presidentin e vendit ta akuzojnë për krime lufte kur e dimë që UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë e mbrojtëse dhe vetëm lirinë e popullit të vet”, theksoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat