Parashikimi: Nisma i bashkohet PDK-së, kjo parti hyn në Qeveri, ja çfarë ndodhë me AAK-në...

Politika

Parashikimi: Nisma i bashkohet PDK-së, kjo parti hyn në Qeveri, ja çfarë ndodhë me AAK-në...

Nga: P.R Më: 27 korrik 2020 Në ora: 21:39
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë nga radhët e AAK-së në Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje PDK-së që t’i bashkohet qeverisë.

“Ne si AAK, si partneri kryesor në këtë koalicion, e kemi pasë qëndrimin që koaliconi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Edhe para krijimit të këtij koalicioni, kryetari Haradinaj ka thënë se PDK-ja duhet të jetë pjesë e koalicionit dhe ky është qëndrimi jonë për shkak të proceseve që i kemi përpara, si ai i dialogut. Ne qëndrojmë pas asaj që PDK-ja duhet të jetë pjesë e koalicionit, pra një koalicion që garanton 2/3 në Kuvend”, ka thënë Selimi.

E si përgjigje ndaj kësaj, zyrtari i PDK-së, Arben Gecaj u ka bërë thirrje Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt të bëhen bashkë në një subjekt politik.

“AAK e Nisma, sa shpenzojnë energji e mund për ta bind PDK- në me hy në qeveri, më mirë është t‘i bashkohen PDK- së si një subjekt i vetëm. Tri partitë me bazë të fortë në komuna te vogla e me deputet kryesisht nga periferia, në të ardhmen duhet të punojnë në etablim në komuna të mëdha, e gjithesesi në Prishtinë. Krejt kjo, sepse LDK e VV degët në Prishtinë e Kryesi Qendrore i kanë edhe pari të partisë. Prishtina e ka dasht UCK-në, e disa komandant me pak atë, pasojat i shohim sot. S‘ke parti nëse nuk e ke ne kryeqytet. Është rregull ky, nëse dëshiron me udhëheq vendin, e jo provincën”, kishte thënë Gecaj.

E lidhur me këto zhvillimeve mes këtyre partive politike në Kosovë, për gazetën “Bota Sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhat Haziri.

Haziri ka treguar arsyet pse një bashkim i këtyre partive nuk mund të ndodhë.

Image
Nexhat Haziri

 

“Sa i përket thirrjes së zyrtarit të PDK-së, z. Gecaj për një bashkim të mundshëm të partive nga I ashtuquajturi krahu u luftës PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s në një parti të vetme, nuk ka gjasë të ndodhë, pasi AAK është parti e vëllezërve Haradinaj dhe trajtohet si një “Dugajë” e tyre, por edhe interesat e ndryshme ekonomike e politike që kanë lidershipi i këtyre dy partive PDK dhe AAK, e bënë të pamundur bashkimin apo shkrirjen e tyre në një parti”, thotë Haziri për “Bota Sot”.

“Ndërsa sa i përket NISMA-s, kjo është si ajo “vesa para diellit” dhe ky subjekt politik nuk mund t’i mbijetoj në skenën politike dhe detyrimisht do t’i bashkohet PDK-së, pasi është e njëjtë filozofi e funksionimit të tyre”, shton ai më tej.

Sipas Hazirit, PDK do të futet në qeveri, në mënyrë që të sigurohen votat e mjaftueshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Ndërsa futja e PDK-së në qeveri, po shihet si nevojë edhe nga ndërkombëtarët për faktin e sigurimit të një shumicë prej dy të tretave në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut Kosovë –Serbi dhe marrëveshjen e cila pritet të ndodhë më së largu në pjesën e parë të vitit të ardhshëm e që do të jetë marrëveshje finale në mes dy shteteve e cila do të qojë në njohje reciproke”, thekson Haziri.

Për fund, Haziri deklaron s zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në vjeshtën e vitit 2021, së bashku me ato lokale.

“Ky proces nuk mund të marrë epilog pa LDK-në e as pa PDK-në, kështu që nuk shohë ndonjë rrezik për LDK-në në këtë konfiguracion aktual politik, pasi opsioni i zgjedhjeve edhe me një marrëveshje interne që ekziston në mes partive politike, përjashto këtu LVV-në, është që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në vjeshtën e viti të ardhshëm së bashku me ato lokale”, përfundon për “Bota Sot”, analisti Nexhat Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat