Koalicioni PDK-AAK-NISMA do të rebelonte qytetarët deri në destabilizim

Politika

Koalicioni PDK-AAK-NISMA do të rebelonte qytetarët deri në destabilizim

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 korrik 2020 Në ora: 10:37
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Kohëve të fundit është duke u përfolur për një koalicion të mundshëm mes PDK-së, AAK-së dhe NISMA. Një koalicion i tillë ende nuk është konfirmuar nga asnjëra parti që do të mund të ndodhë.

Këtë nisëm të thirrjes për koalicion e bëri AAK dhe NISMA duke i kërkuar PDK-së të iu bashkëngjitet në një koalicion mirëpo që nga kreu i PDK-së nuk kemi konfirmim.

Ndryshe veproi Arben Gecaj, zyrtar i PDK’së, i cili ditë më parë ka thënë se zgjidhja më e mirë është bashkimi i AAK’së, NISMA’s dhe PDK’së në një subjekt të vetëm.

“AAK e Nisma, sa shpenzojnë energji e mund për t’a bind PDK- ne me hy ne qeveri, më mirë është t‘i bashkohen PDK-së si një subjekt i vetëm”, ka shkruar Gecaj.

Gecaj u shpreh që këto tri parti janë me bazë të fortë në komuna të vogla dhe se duhet të bëhen bashkë për të punuar në etablim në komuna të mëdha siç është Prishtina.

“Tri partitë me bazë të fortë në komuna të vogla e me deputet kryesisht nga periferia, në të ardhmen duhet të punojnë në etablim në komuna të mëdha, e gjithsesi në Prishtine. Krejt kjo, sepse LDK e VV degët ne Prishtinë e Kryesi Qendrore i kane edhe parti të partisë”, shkroi Gecaj.

Duhet ditur që një koalicion i tillë po vie pikërisht në kohën kur kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale gjithashtu edhe presidenti i vendit.

Njohësit e çështjeve politike e shohin këtë koalicion vazhdim i PAN-it dhe se nëse arrihet një gjë e tillë atëherë qytetarët e vendit do të destabilizohen.

Bytyçi: Deklarata e funksionarit të PDK-së ka nxitjen e presidentit, me qëllim që t’i bënte presion LDK-së dhe kryeministrit Hoti

Image
Enver Bytyçi

Profesori universitar Enver Bytyçi, u shpreh për “Bota sot”, thotë që nëse kthehet një forcë e tillë atëherë qytetarët do të rebelohen dhe kjo do të krijonte një destabilizim të Kosovës.

Bytyçi më tej thotë që një deklaratë e tillë për krijimin e qeverisë me PDK-në, AAK-në dhe Nismën është thjesht një provokim i modelit të Hashim Thaçit.

“Pas qeverisë Hoti pres vetëm zgjedhje të reja në Kosovë. Nëse bie kjo qeveri e krijuar me një legjitimitet moral të dyshimtë, atëherë asgjë tjetër veç zgjedhjeve nuk e qetëson Kosovën. Nëse rikthehen forcat e ndëshkuara me votë në pushtet, qytetarët do të rebelohen. Nëse nuk u rebeluan në rastin e qeverisë Hoti, kjo kishte të bënte me faktin se gjysma e koalicionit u bashkua me gjysmën e PANI-stëve për krijimin e qeverisë së re. Panistët janë rrëzuar nga pushteti me votë dhe ata do të duhet ta krijojnë një qeveri të tillë vetëm me ndihmën e Listës Srpska. Kjo do të thotë destabilizim i Kosovës. Unë nuk shoh ndonjë perspektivë të mirë as për qeverinë Hoti. Kryeministri i ka duar e këmbë të lidhura. Përveç performancës personale pozitive, ai nuk ka asnjë mundësi të japë diçka pozitive për Kosovën. Me kë do ta bëjë këtë performancë? Me disa ministra që më shumë se ministra shfaqen si policë?! Por unë besoj se një deklaratë e tillë për krijimin e qeverisë me PDK-në, AAK-në dhe Nismën është thjesht një provokim i modelit të Hashim Thaçit. Deklarata e funksionarit të PDK-së ka nxitjen e presidentit, me qëllim që t’i bënte presion LDK-së dhe kryeministrit Hoti, pse ai nuk po solidarizohet aq sa “duhet” me pozicionin e vështirë të Thaçit në raport me akuzën e mgritur nga Gjykata Speciale”, u shpreh Bytyçi.

Në fund Bytyçi thotë që me këtë deklaratë PDK e Thaçit ka kërcënuar Hotin dhe LDK-në sepse në kushte normale PDK edhe nuk i beson Haradinajt që ti jap pushtet.

Gjithashtu profesori përmend Listën Serbe e cila nuk do ta votonte Harandinajn as për kryeministër as president duke shtuar më tej që edhe reaksionin e Vetëvendosjes dhe LDK-së për një aksion të tillë politik, atëherë merret me mend sa e pamundur është krijimi i një qeverie me pjesëmarrjen e PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

“Shkurt me atë deklaratë, PDK e Thaçit ka kërcënuar zotin Hoti dhe LDK-në. Sepse është e pamundur krijimi i një koalicioni si ky. Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë. Në kushte normale PDK nuk i beson Ramusj Haradinajt, i cili do të kërkonte përsëri postin e kryeministrit ose të presidentit. Por Thaçi nuk ka besim më që Haradinajt t’i japë një pushtet, me të cilin ish-kryeminsitri iu kundërvu presidentit, gjithnjë në dobi të Kosovës. Gjithashtu Lista Srpska nuk do ta votonte Ramush Haradinajn as për kryeministrit, as të presidentit. Dihet tashmë dëmi që iu shkaktua projektit serb të shkëmbimit të territoreve me Kosovën. Po t’i shtojmë kësaj edhe reaksionin e Vetëvendosjes dhe LDK-së për një aksion të tillë politik, atëherë merret me mend sa e pamundur është krijimi i një qeverie me pjesëmarrjen e PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate. Ndaj mendoj se deklarimi i funksionarit të PDK-së ka qenë thjesht një mjet presioni ndaj qeverisë Hoti, të kritikuar ashpër nga presidenca dhe presidenti i vendit”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

Mehazi: Këtë koalicion ndryshe mund ta quajmë si Bashkimi i Forcave Pronto kundër Gjykatës Speciale të Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me një koalicion të mundshëm mes këtyre tri partive ka folur analisti politik Sulejman Mehazi. Ai në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që një koalicon i tillë do të jetë një vazhdimsi e klanit Pronto dhe për të fshehur krimet shumëvjeçare të Gjyaktës Speciale.

“Ftesa e PDK-së për bashkimin e forcave politike të AAK-së, NISMA-s dhe PDK-së në një, e ka kuptimin e vazhdimësisë së klanit Pronto, për të fshehur krimet shumëvjeçare të bëra para Gjykatës Speciale. Ideja e bashkimit të këtyre forcave politike është për t'u mbrojtur liderët politikë nga veprimet e mëparshme kriminele para Gjykatës Speciale e kurrsesi s'ka të bëjë për të mirën e R. së Kosovës. Bashkimi i PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s nuk e ka qëllimin e qeverisjes së shtetit, as për të përmbysur konkurentët politikë LDK-në e LVV-në, por do jetë koalicion kundër Gjykatës Speciale”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi thotë që ky propozim i PDK-së erdhi pikërisht në kohën kur dy liderët Thaçi dhe Veseli, pra ky bashkim i partive do të jetë koalicon i kryetarëve të intervistuar e të akuzuar nga Gjykates Speciale e Hagës.

“Këtë koalicion ndryshe mund ta quajmë si Bashkimi i Forcave Pronto kundër Gjykatës Speciale të Kosovës e kurrsesi ndryshe. Pse ky propozim i PDK-së nuk doli më pare, po pikërisht tani, pas aktakuzës së dy liderëve të kësaj partie Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Bashkimi i këtyre partive do jetë koalicion i kryetarëve të intervistuar e të akuzuar nga Gjykates Speciale e Hagës”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

Maxharraj: Në koalicon të mundshëm mes partive PDK, AAK dhe NISMA ndoshta është momenti i duhur që ky koalicon të arrihet

Image
Binak Maxharraj

Profesori Binak Maxharraj për “Bota sot”, në lidhje me një koalicon të mundshëm mes partive PDK, AAK dhe NISMA tha që ndoshta është momenti I duhur që ky koalicon të arrihet pasiqë këto parti ka kohë që janë të vetmuar dhe një koalicon I tillë do të I sjellte risi skenës politike në Kosovë, transmeton “Bota sot”.

“Një zyrtar i PDK për herë të parë e paska marrë guximin dhe ngritë zërin qe partitë: PDK,AAK dhe NISMA, pra partitë e krahut të luftës siç po thuhet të merren vesh që pas shumëviteve te ekzistencës së tyre të vetmuar më në fund te bashkohen në një Parti. Kjo do të kishte një risi në skenën politike, sepse veç ka ardhur koha që disa parti të vogla, të cilave qe sa vite skena politike veç sherrin është duke ua pare e jo hajrin duke u shndërruar në paterica të njëra tjetrës dhe kalkulime për interesa partiake e jo shtetërore, çfarë po e bëjnë rrëmujë jo vetëm KQZ por edhe jetën politike në Kosovë”, u shpreh Maxharraj

Në fund profesori shkruan që koalicioni mes këtyre partive PDK, AAK dhe NISMA në këto momente nëpër te cilat po kalon PDK kur dy liderëve te sajë ua zuri rrota bishtin ne Hagë dhe nuk dihet hala për fatin e tyre është mire dhe shume e shëndetshme që kjo të ndodhë.

“Mendoj se koalicioni mes PDK;AAK dhe NISMA në këto moment nëpër te cilat po kalon PDK kur dy liderëve te sajë ua zuri rrota bishtin ne Hagë dhe nuk dihet hala për fatin e tyre është mirë dhe shumë e shëndetshme qe kjo te ndodhë”, përfundoi Maxharraj për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat