Përplasja LDK-VV, juristi thotë se populli nuk ka votuar për rrahje – partia e Isa Mustafës nuk e ka në natyrën e saj të bëjë veprime të tilla

Politika

Përplasja LDK-VV, juristi thotë se populli nuk ka votuar për rrahje – partia e Isa Mustafës nuk e ka në natyrën e saj të bëjë veprime të tilla

Nga: N. H Më: 28 korrik 2020 Në ora: 22:50
Gazmend Gjyshinca dhe Kujtim Shala

Mbledhja e sotme e Komisionit për Punë të Jashtme u përcoll me ofendime të shumta në mes të deputetëve.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, ndërpreu mbledhjen pas përplasjes së deputetit Kujtim Shala me Gazmend Gjyshincën e LVV-së.

“Dua të lidhem shkurt me profesorin akademikun e nderuar Kujtim Shalën që është edhe deputet. Z. Shala ju jeni profesor edhe e dini rëndësinë e parimit. Pse jemi kaq keq është për shkak të mungesës së parimeve, rri aty…”, kishte thënë Gjyshinca në komision.

Pasi që Kadrijaj ndërpreu mbledhjen, është raportuar për një përplasje mes Gjyshincës, Shalës dhe Arben Gashit të LDK-së.

Sidoqoftë, këto deklarata i ka mohuar Arben Gashi dhe Kujtim Shala.

Për të folur për këto zhvillime, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve juridike.

Juristi Burjani shprehet se pretendimet e Vetëvendosje mund të jenë të pasakta, pasi sipas tij, LDK nuk e ka në natyrën e saj të bëjë veprime të tilla.

Image
Blerim Burjani

“Duhet të respektohet mandati i popullit për të punuar për qytetarët, por jo për të krijuar konflikt në emër të dallimeve, dhe të nxisin reaksione të ndryshme të padëshirueshme, gjuha politike nxitëses dhe denigruese duhet të ndalet e ajo mund të sjellë dhunë, pakënaqësi dhe jo produktivitet për mandatin e marrë si deputet, populli nuk ka votuar për rrahje të dikujt por për të punuar për qytetarët. LDK nuk e ka në natyrën e saj me marr veprime të kësaj natyre që pretendon Vetëvendosja”, ka thënë Burjani.

Burjani me tej ka shtuar se partia e Albin Kurtit është e njohur në opinion për gjuhen e saj të përdorur ndaj eksponentëve politik.

“Gjuha e deputetëve të VV-së është njohur në opinion, mund të ketë drejt të kërkosh që të ndalet politika nepotiste dhe partiake, por duhet të respektohet populli dhe institucionet e pavarura kushtetuese. Sot, u dëgjua që shërbimi politik i tërë është politik, kjo është katastrofa më e madhe e dëgjuar nga një ministër edhe pse ajo ka shpërfaqë edhe jo kompetencën e saj për dikaster të falur nga Ramushi për të, por ana tjetër është e papranueshme që shërbimi politik t’i shërbejë partive e jo popullit, kjo është katastrofë që po ndodhë në shtetin tonë, po të kishte kuvend me njerëz të arsyeshëm qysh nesër ishin mbledhë për të ndal nepotizmin dhe partitë të përzihen në poste diplomatike. Ata duhet të jenë shërbyes të popullit, e jo partive që i gradojnë ambasadorë, kjo është katastrofë për shtetit tonë dhe për qytetarët dhe gjeneratën e re në këtë vend”, shprehet ai.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike thekson se kjo gjë duhet të rregullohet, gjersa nënvizon se ajo çka u dëgjua në komisionin parlamentar ishte komike.

“Kuvendi duhet të reformojë ligjin për shërbimin diplomatik dhe duhet të jetë i qartë se të gjithë ata që janë ardhë në linja politik në shërbim politik do të lirohen nga shërbimi, mjafton të jetë ligji pjesën tjetër e kryen punën, pra të gjithë ata ambasadorë të rinj që ushtrojnë dhe zgjedhën në poste duhet të nënshkruajnë deklaratën se nuk kanë pas poste ekzekutive e as poste tjera publike në emër të partive politike dhjet vitet e fundit. Kjo duhet të rregullohet, sot ajo çka u dëgjua në komisionin parlamentar ishte komike dhe dramatike e njerëzve të cilët nuk janë për punë deputeti dhe për të udhëheq politik të jashtme është qesharake komplet”, shprehet ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat