Hashim Thaçi u intervistua katër ditë rresht, por çfarë do të ndodhë me Kadri Veselin? - Bota Sot
Hashim Thaçi u intervistua katër ditë rresht, por çfarë do të ndodhë me Kadri Veselin?

Politika

Hashim Thaçi u intervistua katër ditë rresht, por çfarë do të ndodhë me Kadri Veselin?

Nga: P.R Më: 30 korrik 2020 Në ora: 19:40
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ishte 24 qershori dita kur Prokuroria Speciale në Hagë bëri publike lajmin se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e kreut të PDK-së, ish udhëheqësit të SHIK-ut, Kadri Veseli.

“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat. Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, shkruan “Bota Sot”.

E pas kësaj, kreu i shtetit, Hashim Thaçi u ftua në Gjykatë Speciale, ku u intervistua për katër ditë rresht.

Ani pse nuk dha shumë detaje se çfarë ishte pyetur në Hagë, Thaçi deklaroi se ka respekt për procesin e zbardhjes deri në fund të së vërtetës dhe se roli i tij ka qenë për luftën çlirimtare dhe pavarësi.

“Për shkaqe etike dhe detyrime ligjore nuk mund të hyjë në detaje të këtij ballafaqimi. I kam përfunduar rreth 30 orë ballafaqim me trupën e organit të akuzës, ku jam njohur me të gjitha pretendimet e tyre dhe u kam dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi. Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha Thaçi.

Por, deri më tani nuk ka asnjë informacion se kur ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli do të intervistohet në Gjykatën Speciale. E organizata që ka udhëhequr Veseli, ka qenë e akuzuar për krime të ndryshme në Kosovë. Ajo nga familjarët e të vrarëve pas lufte, akuzohet se pjesëtarët e saj qëndrojnë prapa këtyre vrasjeve.

Madje, deputetja e LDK-së, Doruntina Maloku kishte thënë se përgjegjës për vrasjet politike në Kosovë është Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), shërbimi sekret ilegal që e ishte drejtuar ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Jeni ju që duhet të jepni përgjithësi për organizatën tuaj kriminale, SHIK. Mos u shtirni që ndjeni keqardhje për familjet e tyre, sepse po të kishit nuk do të uleshit në atë kolltuk, duke ditur për akuzat që drejtohen ndaj jush. Bëni mirë që të mos i përmendeni baballarët tanë”, kishte thënë deputetja Maloku në një debat të ashpër me Kadri Veselin.

E kujtojmë se kreu i PDK-së, aktualisht është në vetizolim për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid19.

“Të dashur qytetarë, pak çaste më parë u njoftova nga IKSHP se kam rezultuar pozitiv në testin e kryer për Sars-CoV-2. Unë jam mirë me shëndet dhe deri në shërim të plotë do të qëndroj në vetizolim. Ju ftoj të gjithëve që t'i respektoni masat, t'i vendosni maskat, të mbani distancën dhe higjienën!”, kishte bërë të ditur Veseli ditë më parë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat