“Përçarja e koalicionit”: Ja pse Ramush Haradinaj po e sulmon LDK-në, ky është paralajmërimi për Hotin

Politika

“Përçarja e koalicionit”: Ja pse Ramush Haradinaj po e sulmon LDK-në, ky është paralajmërimi për Hotin

Nga: P.R Më: 4 gusht 2020 Në ora: 21:11
Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vazhduar me sulme ndaj partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar se nuk i beson LDK-së për dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk e ka luksin ta zëvendësojë lidershipin e dialogut nga SHBA me një lidership të brishtë, sikundër janë Lajçak e Borrell. Përballë dialogut me Serbinë, nuk i besoj. Nuk duhet të privatizohet dialogu me Serbinë, por duhet të ketë konsensus të gjerë lidhur me këtë”, ka thënë Haradinaj.

Madje,  Haradinaj është shprehur se nuk dëshiron të informohet për dialogun nga kryeministri, Avdullah Hoti, e as nga koordinatori Skënder Hyseni.

“Nuk dua të më informoj Skënder Hyseni e as Avdullah Hoti. Dua të jetë njeriu im aty. Nëse gjithçka është në rregull në letra, atëherë i mbështeti. Nuk dua biseda të më tregojnë çfarë po bëjnë. Dua të di vetë. Jemi në shekullin 21. Nuk konfirmohen gjërat me biseda. Nëse nuk jam i sigurt qoftë për një shkronjë, atëherë nuk dua të jepi përkrahjen time. Jemi djegur me shumë gjëra. Fusnota e disa të tjera. Nuk e di ende se çfarë është biseduar në takimin Hoti – Vucic. Takimi zgjati mbi një orë. Aleanca nuk di asgjë rreth takimit”, u shpreh ndër tjerash Ramush Haradinaj në një intervistë të tij dhënë për televizionin publik në Kosovë.

E për sulmet e vazhdueshme të Haradinajt ndaj LDK-së dhe përçarjes brenda koalicionit, për gazetën “Bota Sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

 

Mehmeti thotë se të gjitha sulmet e Haradinajt ndaj LDK-së lidhen me postin e presidentit të vendit, post që sipas tij e dëshiron për vete kreu i AAK-së.

“Besoj se të gjitha sulmet e Haradinajt lidhen me postin e presidentit, post të cilin e dëshiron Haradinaj. Prandaj, sulmet ndaj qeverisë Hoti janë shpeshtuar fill pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit aktual. Ramushi po e shtyn LDK deri në atë pikë sa t'i përgjërohet AAK që mos të prish koalicionin, e cila pastaj do e bëj publike postin e presidentit, kur shihet se në shkurt më së largu Thaçi largohet. Në ëndrrat e tija në kullën e tij në Gllogjan, Ramushi ëndërron veten president”, thotë Mehmeti për “Bota Sot”.

Sipas tij, nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, atëherë Avdullah Hoti do ta ketë fatin e Albin Kurtit.

“Nëse nuk realizohet ambicia e Ramushit për postin e presidentit, patjetër se e pret fati i Albinit. Në anën tjetër Haradinaj ka frikë se LDK do e tradhtoj, e shfrytëzuar për të mbetur vet në pushtet, duke e zhveshur AAK nga vendimmarrja. Gjithsesi e gjitha lidhet me dëshirën e Ramushit që të bëhet president”, përfundon Mehmeti për “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat