Kush është “xhelati” i politikës në Kosovë?!

Politika

Kush është “xhelati” i politikës në Kosovë?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 gusht 2020 Në ora: 08:36
Isa Mustafa dhe Mimoza Kusari-Lila

Të dielën në mbrëmje kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka rezultuar të jetë pozitiv me COVID-19.

Këtë lajm ai e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin e tij sociale Facebook, duke u shprehur që pas disa simptomave ka kryer testin, e me ç’rast ka rezultuar të jetë pozitiv.

Mirëpo në mëngjesin e së hënës, deputetja nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar duke e akuzuar Hotin që nuk ka hyrë në vetizolim por ka rrezikuar edhe të tjerët.

“Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti? Pse ai bëri të kundërtën e protokollit i cili sugjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet” kishte shkruar Kusari-Lila.

Për të mos mjaftuar me kaq, si kundërpërgjigje Hoti i ktheu deputetes që është izoluar në momentin që i ka vërejtur simptomat e para.

“Në momentin që jam testuar, jam izoluar në pritje të rezultatit, pasi kështu është protokolli i rekomanduar nga mjekët”, pjesë nga reagimi i Hotit.

Por pa reaguar nuk mbeti kreu i LDK-së, Isa Mustafa i cili nuk e pa të arsyeshme reagimin e deputetes Kusari-Lila, për të mos mjaftuar Mustafa e quajti “xhelatja”, duke eskaluar me fjalorin e tij ndaj deputetes.

“Strucat e kabinetit qeveritar, këshilltarët, ministrat por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të mitë heshtin, sepse atyre nuk ua ka përmendur emrin xhelatja Kusari-Lila dhe se nuk do ti hajë”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.

Në lidhje me këtë gjuhë të shprehur nga Mustafa drejtë deputetes Kusari - Lila, pati reagime të mëdha, duke e parë një fjalorë jo të duhur të një kreu të një partie.

Vet deputetja më vonë tha që kjo dëshmon që Isa Mustafa nuk mund të kontrollojë gjuhën e tij.

“Zoti Mustafa nuk po mundet të përballet me oponencën që po i bëhet të deleguarit të tij në postin e kryeministrit që është zoti Hoti”, tha Kusari-Lila.

Basha: Deklarata kundër “strucave” tregon se ky linçon gjithçkënd që nuk i përshtatet bindjeve të tija

Image
Dimal Basha

Deputeti nga radhët e LVV, Dimal Basha për “Bota sot” u shpreh që fjala “xhelatë” e ka kuptimin e prerjes së kokës e që deputetja Kusari-Lila nuk ka pre “koka” në politikë, mirëpo për Mustafën ai thotë se nuk mund të themi që jo, pasi që ka likuiduar z. Fatmir Sejdiun, e së fundmi edhe znj. Osmani për të ardhur në pushtet.

“Xhelatë u thonë njerëzve që prenë koka, e nëse kjo merret në kuptimin metaforik të fjalës, atëherë nuk e di se Mimoza Kusari ka pre “koka” në politikë. Kurse në anën tjetër njeriu i vetëm që ka “pre” koka në politikë për të ardhur tek pushteti është vet z. Mustafa, i cili në formën e “xhelatit” të fshehur ka likuiduar z. Fatmir Sejdiu, e së fundmi edhe znj. Osmani”, u shpreh Basha.

Më tej, Basha thotë që deklarata kundër bashkpartiakëve të tij ka ardhur edhe si rezultat që nuk iu kanë bindur bindjeve të tij dhe është e turpshme një deklaratë e tillë nga një lider.

“Por edhe vet deklarata kundër “strucave” brenda partisë së tij tregon se ky linçon gjithkënd që nuk i përshtatet bindjeve të tija. Kështu që sigurisht se është e turpshme një deklaratë e tillë, por edhe nëse përdoret, vet z. Mustafa i përshtatet më së miri”, përfundoi Basha, për “Bota sot”.

Shahu: Mustafa është njeri prej mishi e gjaku dhe mund të tejkalojë etikën në komunikim

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, për “Bota sot” arsyetoi fjalët që kreu i LDK-së lëshoi drejtë deputetes së VV-së. Ai u shpreh që Mustafa mund të tejkalojë etikën e komunikimit pasi që është njeri prej mishi e gjaku, duke përmendur gjuhën jo të duhur të partisë së VV-së.

“Kryetari Mustafa para se të jetë kryetar është njeri prej mishi e gjaku dhe mund të tejkalojë etikën në komunikim, mund të bëhet edhe ai si një qytetar i zakonshëm që reagon jo me etikën e duhur në revolt e sipër. Është gabim, por asnjë kryetar nuk është metalik e i programuar. Pastaj të mos harrojme, ndërsa gjykojmë e qortojnë Mustafën për gjuhë jo të duhur, arroganca e gjuha prej gurësh e prej dhunë është e VV, është gjuha e VV gjuha e dhunës, e fyerjes, e shpifjeve”, u shpreh Shahu.

Në fund Shahu thotë që partia e deputetes është pronare e kësaj gjuhe të kërcënimeve pasi që iu drejtua me gjuhë jo të duhur shumë partive.

“VV është pronare e krijuese e gjuhës së shpifjeve e kërcënimeve dhe etiketimeve, VV nuk la askënd pa bisht, edhe kush nuk e kishte bishtin apo nuk e ka VV ta ngjet bishtin. Askush nuk turpërohet për këto gjëra për VV. Për ndonjë parti apo subjekt tjetër po, mund të ofendohet”, përfundoi Shahu.

Burjani: Për deklarimet e tilla duhet të merren organet e rendit

Image
Blerim Burjani

Analisti politik dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh që këto fyerje dhe ky fjalor jo i duhur filloi së pari ndaj Mustafës, Hotit e pastaj edhe ndaj deputetes Kusari-Lila, e që është për keqardhje të përdoret një edukatë e tillë nga liderët tanë.

“Për të ardhur keq pse përdoret kjo gjuhë denigruese për përfitime personale dhe partiake, njëherë ndodhën fyerje ndaj Isa Mustafës nga njerëz të çuditshëm dhe rrugaç , pastaj ndaj Avdullah Hotit. Duhet marr masa ligjore ndaj të gjithë atyre që përdorin fjalë fyese dhe ashpra të papëlqyeshme. Një edukatë e keqe politike dhe edukative, edukimi i munguar sjellë një fjalor të tillë antinjerëzor”, u shpreh Burjani.

Tutje, Burjani thotë që duhet të merren organet e rendit për këto deklarime pasiqë mospërgjegjësia e tyre po e bën që ky fjalor të jetë çdo ditë e më shumë prezent.

“Duhet të ruhet dinjiteti politik dhe kultura edukative politike, politika nuk është armiqësi por zgjidhje për njerëzit në nevojë pra për qytetarët, nuk tolerohet kjo gjuhë që në emër të popullit bëhet kundër njërit-tjetrit. Për deklarimet e tilla duhet të merren organet e rendit, në mungesë të veprimit të organeve ka fjalorë të tillë kundër”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat