“U refuzua nga Pompeo dhe Grenell”, çfarë ndodhi me Skënder Hysenin në Washington?!

Politika

“U refuzua nga Pompeo dhe Grenell”, çfarë ndodhi me Skënder Hysenin në Washington?!

Nga: P.R Më: 5 gusht 2020 Në ora: 20:13
Skënder Hyseni

Koordinatori për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni ka zhvilluar një vizitë të papritur në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shumë media raportuan se Skëndër Hyseni do të takohej edhe me sekretarin amerikan, Mike Pompeo, por një takim i tillë nuk ndodhi, dhe në media u përfol për një refuzim nga Pompeo.

E Hyseni e mohoi se ishte në agjendë takimi me sekretarin amerikan të shtetit.

Po ashtu, Skënder Hyseni nuk u takua as edhe më të dërguarin special të presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Por për dallim nga Pompeo, Hyseni deklaroi se me Grenellin ka zhvilluar një bisedë telefonike, ani pse ishte ne vizitë në SHBA!

Të vetmin takim në SHBA, koordinatori Hyseni e kishte me Mathew Palmer, Zëvendës Asistent-Sekretarin për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Por çfarë ndodhi me të vërtetë me Skënder Hysenin në SHBA? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota Sot” ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Skënder Hyseni në vend që të "shkojë në Erenik" u nis e shkoi në Uashington. Para se të nisej bëri shumë zhurmë. Tha se do të kishte takime në Shtëpinë e Bardhë e në Departamentin e Shtetit. Por u takua më zotin Palmer dhe kaq. Një takim më një senator amerikan ishte çokë e rregulluar nga emigrantët shqiptarë në Amerikë. Thjesht sa për ta shtuar në CV. Ai u nis me mendimin se do ta takonte sekretarin e Shtetit Pompeu. Tha se do kishte "takime të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë", sa njerëzit që e vlerësojnë "për të madh" po mendonin se do takonte presidentin Trump. I përmenda këto që thashë më lart për të thënë se zoti Hyseni matet t'i kapërcejë malet, por e ka hapin e vogël. E është problem me këta njerëzit që mendojnë se kapërcejnë bjeshkët, por që nuk munden ta kalojnë asnjë përrua! Ai shkoi në Amerikë e foli në telefon me Grenell po në Amerikë. Se nuk ka linjë telefonike me folë me Grenellin e këdo tjetër nga Prishtina. Një bisedë telefonike I ka kushtuar mijëra dollarë amerikanë, në vend që ta bënte atë nga Prishtina falas me Whatsapp, ose më së shumti me 10 dollarë në linjë direke!”, thotë Bytyçi për “Bota Sot”.

“Në këto raste në Kosovë përdoret një shprehje: "Hiqu, se nuk ka gjë prej tij"! Kjo do të thotë se Skënder Hysenin e bënë koordinator ose për të mos pasë gjë prej tij, ose për të sjellë sherrin e Hashim Thaçit në tavolinën e bisedimeve. Rugova e ka njoftë, kur i kishte ngarkuar detyrën që të shkonte në breg të Erenikut për plazh. Edhe lidhjen me Hashim Thaçin e ka si rezultat i "keqpërdorimit" që ia ka bë Rugova. Duket se ka mbledhë shumë helm nga mospërfillja e legjendarit të Kosovës dhe për inat ka shkuar e gjet strehë të kundërshtarët e tij. Njëjtë ndodh gjithashtu me disa prej autoriteteve të Kosovës, përfshirë drejtues të LDK-së. Këta nuk ia falin inferioritetin e vet atij që kishte vizione dhe projekte madhore për vendin e tij, Ibrahim Rugovës”, shprehet më tëj Bytyçi.

Sipas tij, Skënder Hyseni shkoi në SHBA për propagandë.

“Skënder Hyseni shkoi në SHBA për propagandë. Donte t'i bënte që të ndjeheshin keq kritikët e tij. Me një telefonatë me Grenell nga Amerika në Amerikë dhe më një takim kortezie me Palmer mendoi se do t'I shukatë zërat e kritikës. Kjo metodë është përdorë prej gati tri vitesh nga Hashimi. Sa herë zihej ngustë prej kritikave që I bëheshin për aktivitetin e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Thaçi me paratë e taksapaguesve të Kosovës ia hipte avionit e shkonte direkt te Bolton. I lutej atij për ndihmë për ta realizuar atë projekt ogurzi për Kosovën, shqiptarët dhe gjithë rajonin, përveç Serbisë. Pastaj I lutej që ta shkruante një letër në emër të presidentit Trump e ta shiste këtë letër në Kosovë e ndër shqiptarët si përkrahje amerikane për ndarjen e Kosovës dhe sulmonte kundërshtarët e ndarjes me akuzën për "antiamerikanizëm"! “, thekon profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Skënder Hyseni nuk di të veprojë ndryshe nga Hashim Thaçi.

“Ai vetë nuk ka asnjë shans të prodhojë ide, të mbrojë vizione, ose të mbajë ekuilibra. Thjesht I duhet të krijojë dhe të menaxhojë aktet e tij të padobishme për Kosovën me vizita e takime formale, në kuptimin e dobiprurjes. Kjo duket gjithashtu nga deklaratat e tij. "Po punojmë që SHBA-të të kyçen në bisedimet Kosovë-Serbi"!, thotë ai. Dhe këtë formulë ia kanë dhënë ta thotë, me qëllim që ta sjellë Rusinë në këto bisedime. Eshtë tashmë e ditur se kur Këshilli I Sigurimit votoi që BE të udhëhiqte bisedimet qëllimi ishte të largohej Rusia nga ndërmjetësimi I dialogut. Po të thuhej se bisedimet duhej t'i udhëhiqte Uashingtoni, atëherë Moska menjëherë do të shfaqej me këmbngulje për të qenë e pranishme në dialog. Kjo dihet. SHBA-të ishin në dialog edhe pa qenë zyrtarisht në tavolinë. Po ashtu rusët bënë të njëjtën gjë me Beogradin. Sa herë kishte bisedime, përfaqësuesit e Beogradit më parë udhëtonin në Moskë”, deklaron Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi thotë se Avdullah Hoti duhet të dijë se me Skënder Hysenin koordinator të bisedimeve ka në ekip vetë Hashim Thaçin

“Kosovës i intereson një zgjidhje me përkrahjen e SHBA-ve, por pa patur nevojë për prezencën amerikane në tavolinën e bisedimeve. Sepse kjo krijon mundësintë e artë që edhe Moska të pretendojë të jetë në atë tavolinë. Hashimi punoi fort që kjo të ndodhë, sepse jepte garanci për ndarjen e Kosovës. Të njëjtën gjë po bën edhe beniamini I Hashimit, Skënder Hyseni. Ndaj Avdullah Hoti duhet të dijë se me Skënder Hysenin koordinator të bisedimeve ka në ekip vetë Hashim Thaçin. E nëse e mban Thaçin të kyçur në këtë dialog, ai kurrë nuk do të ketë sukses për të realizuar një marrëveshje përfundimtare mbështetur në kushtetutën e Republikës së Kosovës”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat