Publikohet raporti: Thaçi dekoroi Baton Haxhiun, bashkëpunëtorin e Stanishiqit që dha direktiva në masakrën e Jasharëve

Politika

Publikohet raporti: Thaçi dekoroi Baton Haxhiun, bashkëpunëtorin e Stanishiqit që dha direktiva në masakrën e Jasharëve

Nga: D.RR Më: 6 gusht 2020 Në ora: 09:56
Baton Haxhiu dhe Jovica Stanishiq

Raporti origjinal serb për sulmin dhe vrasjen e kryer ndaj familjes Jashari, është publikuar para pak ditësh në media.

Në këtë raport, flitet se si dhe kush e sulmoi dhe masakroi Familjen e Jasharëve.

Në raport thuhet se aksionin mizor ndaj Familjes Jashari e kanë kryer, Milorad Ulemek, komandant i njësisë – JSO - Njësia e Operacioneve Speciale, e cila vepronte direkt nën direktivat e Stanishiqit dhe Milosheviqit.

E fakti se aksioni kundër Jasharëve ka qenë nën direktivat e Jovica Stanishiqit, kreut të UDB-së serbe, ka ngjallur reagime, pasi ai e kishte bashkëpunëtor në Kosovë, Baton Haxhiun.

Për më tepër, Haxhiu është i dekoruar me Medalje Presidenciale nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Image
Dekorimi i Baton Haxhiut nga presidenti Thaçi

Bytyçi: Haxhiu i kërkoi marrëveshje nënshtrimi Stanishiqit

Prof. Dr. Enver Bytyçi, gjatë një bisede me gazetën “Bota sot” ka thënë se dekorimi i Haxhiut është çështje me e thellë se që mendohet.

Ai thotë se kjo ka të bëjë me rehabilitimin e Thaçit, Ramës dhe Haxhiut, ndërsa e sheh të çuditshme e edhe 51 gazetarë të tjerë kanë përfituar nga Baton Haxhiu.

“Lidhur me dekorimin e Baton Haxhiut nga ana e presidentit në ikje, Hashim Thaçi, nuk është vetëm pyetje. Kjo e ka përgjigjen brenda vetes saj dhe mund ta konsideroj si një pyetje retortike, përgjigja e së cilës është e njohur para se ajo të shtrohet? Çështja ka të bëjë me dikë tjetër: Rama, Thaçi dhe Haxhiu duan të rehabilitohen, sepse në pamundësi për ta realizuar planin fitimprurës për ta, pra ndarjen e Kosovës, së paku ata po përpiqen të rikthejnë imazhin normal në publik. Prej Baton Haxhiut kanë përfituar edhe 51 gazetarë të tjerë, të cilët janë të pëlqyeshëm për presidentin Thaçi. Nëse e ndjekim kurbën e pas akuzës ndaj Hashim Thaçit, shohim se Rama e Thaçi janë shumë aktivë për t'i sulmuar të gjithë ata që kërkojnë drejtësi për së paku 200 viktimat (ose 100 sa thuhen në akt-akuzë) të pasluftës, kundërshtarë politikë të presidentit”, ka thënë ai.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi thotë se të gjithë kundërshtarët e Thaçit dhe Ramës, etiketohen me “AntiUÇK-izëm” dhe i quajnë naiv të gjithë kritikët e projektit serb të ndarjes së Kosovës.

“Kryeministri I Shqipërisë dhe presidenti I Kosovës I akuzojnë kundërshtarët e tyre me "antiuçk-izëm dhe I quajnë "naivë" të gjithë kritikët e projektit serb të ndarjes së Kosovës. Madje lënë të kuptojnë se "Kush kërkon drejtësi dhe kush e mbështet hetimin e Hashim Thaçit, ai na qenka spiun serb"! Këtë do të thotë Rama kur shprehet se kjo kategori, më e pakta "janë naivë", sepse I bie që më e shumta janë "spiunë serbë"” tha tutje Bytyçi.

Për më tepër, ai thekson se një president normal nuk do të duhej t’i shpërndante Medalje Presidenciale njeriut i cili ka bashkëpunuar me Stanishiqit, udhëheqësin e masakrës ndaj Jasharëve.

Bytyçi thekson se Haxhiu gjatë kohës kur u masakruan 56 anëtarë të familjes Jashari, shkoi dhe i kërkoi marrëveshje nënshtrimi shefit të operacionit, Stanishiqit.

“Është interesant se sa shumë energji shpenzojnë antishqiptarët dhe bashkëpunëtorët e regjimit të Beogradit për të mbuluar gjurmët e krimit anti-shqiptar. Në këtë manovër bën pjesë edhe dekorimi I Baton Haxhiut. Madje dyshoj se akti I dekorimit është kërkuar nga vetë Batoni. Thaçit e Ramës në këto kohë të vështira për ta nuk u ka ra ndërmend kjo gjë. Kjo sepse, ndërsa Rama e Thaçi patën mundësi "të mbrohen" duke u identifikuar me UÇK-në, Batoni nuk e pati këtë mundësi. Atij I duhej rikuperimi I imazhit. Dekorimi me "Medaljen e Pavarësisë" ishte mënyra e vetme për këtë. Hashimi nuk mund të mos e priste këtë akt me entuziazëm. Por si ndjehen ata 51 gazetarët e tjerë që u dekoruan dhe vëmëndjen ua mori Batoni, I cili nuk duhej të ishte në atë listë në asnjë rrethanë? Një president normal, shqiptar I zakonshëm, nuk do të guxonte t'I jepte dekoratë një gazetari si ish-gazetar I luftës, kur ky gazetar në kohën që u masakruan 56 anëtarët e familjes Jashari shkon dhe I kërkon marrëveshje nënshtrimi shefit të operacionit të masakrës së Jasharave, Stanishiqit. Unë e di se Hashim Thaçi nuk më dekoron, sikur edhe 100 vjet të jetë në krye të shtetit të Kosovës. Por po të isha në mesin e atyre të dekoruarve, nuk do ta kisha pranuar një dekoratë, të cilën e mban edhe Baton Haxhiu. Nuk mundesha. Eshtë fyerje e rëndë për këdo në Kosovë, në Shqipëri, për çdo gazetar shqiptar të njëjtësohet në merita me një spiun serb publik, si Baton Haxhiu. Sigurisht që kjo ndodh vetëm kur spiuni dekoron spiunin, kur anti-shqiptari dekoron anti-shqiptarin. Thaçi dhe Batoni janë I njëjti brumë edhe nëse rrota e karrocës e ndan përgjysmë”, u prononcua Bytyçi për “Bota sot”.

Teksa ka komentuar deklaratën e Thaçit pas dekorimit të Haxhiut, Bytyçi thotë se qëllimi është justifikimi i takimeve personale pa dijeninë e askujt në hierarkinë e shtetit apo të UÇK-së të Baton Haxhiut me Stanishiqin.

“Edhe deklarata e Thaçit në Facebook ka brenda saj intrigën justifikuese për këtë dekoratë. Sipas tij, Batoni në luftë I përket edhe gjeneratës së politikanëve dhe diplomatëve. Po kështu Batoni thotë se "jemi nga pak edhe politikanë, edhe diplomatë", "edhe pro paqes, edhe pro luftës"! Duket që të dy deklaratat I ka shkruar e njëjta dorë. Qëllimi është justifikimi I takimeve personale pa dijeninë e askujt në hierarkinë e shtetit apo të UÇK-së të Baton Haxhiut me Stanishiqin. Dhe kjo do të thotë se këta që asokohe e në vazhdim kanë bërë vekshin, kanë mundur që t'ia ngjisin edhe bishtin"! Më e keqja është se këta që luftuan me harta e me shkop tregues për ndryshimin e kufijve të Kosovës, këta që e mbrojtën këtë projekt serb të Milosheviëit në kohën e Vuçiçit, pra Hashimi, Rama dhe Batoni, I marrin shqiptarët për naivë (budallenj). Ndërkohë memooria e shqiptarëve nuk mund të rrudhet aq sa duan armiqtë e kombit shqiptar!”, theksoi prof. Bytyçi për “Bota sot”.

Kërkohet t’i tërhiqet dekorata Baton Haxhiut

Image
Faton Mehmeti

Kurse sipas analistit politik, Faton Mehmetit, Baton Haxhiut duhet t’i merret dekorata, e mbi të gjitha të hetohet për lidhjet e tija me shërbimet sekrete serbe.

Ai i ka konsideruar Thaçin e Haxhiun, si “re të zeza mbi popullin shqiptarë”.

“Nuk është sekret se Batoni ka qenë bashkëpunëtor i Stanishiqit, njeriut që vrau familjen Jashari. Fatkeqësisht kemi president një njeri pa dinjitet, inatqor, dhe mbi të gjitha jo kombëtar. Dekorimet Thaçi i shfrytëzon për t’ua mbyllur gojën atyre që kanë për të thënë të paditura për te, si dhe sojin e Batonit që përfaqëson arkitekturën e ndarjes së Kosovës. Batonit jo vetëm që duhet t'i merret dekorata, mbi të gjitha të hetohet për lidhjet e tija me shërbimet sekrete serbe. Të dekorosh dike si Batoni është turp i madh, duke fyer familjen Jashari dhe gjithë viktimat dhe heronjtë e Kosovës. Batoni, me dyshen Rama-Thaçi, janë retë e zeza mbi popullin shqiptar, të cilat duhet largohen që dielli të ndriçoj përsëri në trojet shqiptare”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Në fund të këtij raporti, flitet për „suksesin e madh“ të kësaj njësie speciale dhe ku asgjësuan 66 „terroristë“ (siç e quanin këta kriminel çdo Shqiptar) – por realiteti ishte se ata vranë gjithsej pesëdhjetë e tetë persona e në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi Besarta Jashari (asokohe 11 vjeç).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat