Mocioni ndaj LDK-së, Vetëvendosjes i vjen ‘goditja’ e fortë, ky është paralajmërimi

Politika

Mocioni ndaj LDK-së, Vetëvendosjes i vjen ‘goditja’ e fortë, ky është paralajmërimi

Nga: P.R Më: 6 gusht 2020 Në ora: 19:11
Rexhep Selimi ka bërë të ditur se pretendojnë t’i marrin votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar sot mbledhjen e nënshkrimeve për ta rrëzuar Qeverinë Hoti përmes mocionit të mosbesimit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka bërë të ditur se pretendojnë t’i marrin votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë Hoti, pa dhënë sqarime nëse e kanë mbështetjen e PDK-së, apo jo. Por Selimi ka shtuar se pret reflektimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë.

“Partia Demokratike e Kosovës është subjekt opozitar në Parlamentin e Kosovës, në retorikën e tyre kemi parë që ata kanë qasje kundrejt qeverisë aktuale. Ne presim që ata t’i mbajnë fjalët e tyre dhe t’i realizojnë me veprime konkrete. Sa i përket GP të Listës Serbe, jo, nuk iu kemi drejtuar me shkresë as me kërkesë. Ata janë partnerë në koalicionin aktual dhe nuk kemi parë ndonjë divergjencë nga partneri i tyre kryesor nga LDK-ja dhe ata janë sot partnerë qeverisës dhe nuk kemi vlerësuar që ne duhet t’u kërkojmë diçka prej tyre në përputhje me qëndrimet tyre aktuale… Ne pretendojmë t’i kemi votat e mjaftueshme dhe të domosdoshme për rrëzimin e qeverisë… Presim qëndrimin e tyre (AAK-së)”, tha Selimi.

Por a do të ketë sukses Vetëvendosje? A do të arrij t’i hakmerret LDK-së dhe ta rrëzojë Qeverinë Hoti?

Për këto, për “Bota Sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Ai nuk beson se do të ketë sukses mocioni i paralajmëruar i Vetëvendosjes.

Image
Nexhat Haziri

 

“Se partitë politike me dallim nuancash të vogla, në Kosovë nuk zgjedhin mjete apo forma për t’i arritur qëllimit të tyre, që si duket është më primar, marrja e pushtetit me çdo kusht. Nisma e Vetëvendosje për mbledhjen e nënshkrimeve për procedimin e mocionit të mos besimit ndaj Qeverisë Hoti, është më shumë një nga manifestimet e tyre deklarative të kundërshtimin të qeverisë dhe kryeministrit Hoti, se sa diçka që LVV-ja do të mund ta materializoj nismën e saj për ta rrëzuar qeverinë Hoti”, thotë Haziri.

Ai ka treguar edhe arsyet pse Vetëvendosje nuk mund ta rrëzojë Avdullah Hotin nga posti i kryeministrit.

“Së pari LVV-ja nuk i ka numrat e duhur për ta materializuar suksesshëm në favorin e saj nismën për mocion ndaj qeverisë Hoti. E dyta PDK-ja edhe pse në formë deklarative ka dhënë mbështetje këtij mocioni në fund nuk do t’i jap nënshkrimet apo edhe në seancën e mocionit do të votoj kundër mocionit duke e vënë në lajthitje LVV-në, për arsye të problemeve që ka tashmë PDK-ja në mungesë të një lidershipi me kredibilitet pasi Presidenti Thaçi si lider shpirtëror i tyre dhe lideri partiak Kadri Veseli kanë aktakuza të propozuara nga prokuroria e Gjykatës Special, dhe nuk është momentum më I mirë I këtij subjekti politik, dhe e treta qeveria Hoti ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, gjë që nuk e patë apo e humbi qeveria e ish-kryeministrit Kurti”, shprehet Haziri për “Bota Sot”.

Për fund, analisti Haziri deklaron se vetëm një gjë do t’i bënte bashkë LVV dhe PDK.

“E që ky mund të jetë kusht I vetëm I PDK-së për t’iu bashkuar dhe mbështetur nismës për mocion ndaj qeverisë së kryeministrit Hoti, është përkrahja e LVV-së për nismën e PDK-së për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe miratimit të ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UCK-së, kërkesa këto që PDK-ja do t’ia parashtronte si kushte LVV-së para se të shkohej në seancë për mocionin ndaj qeverisë Hoti”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat