UÇK s’ka nevojë të mbrohet nga populli, por nga komandantët abuzues

Politika

UÇK s’ka nevojë të mbrohet nga populli, por nga komandantët abuzues

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 7 gusht 2020 Në ora: 22:38
UÇK, foto ilustrim

UÇK duhet të mbrohet nga Hashim Thaçi, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj, që në emër të saj janë bërë milionerë. Nuk mbrohet UÇK me Ligj, tek e fundit s’ka arsyeje që të bëhet një gjë e tillë.

UÇK nuk është dëmtuar nga populli, ata që e kanë dëmtuar janë pikërisht ata që bëjnë këtë Ligj. Në fakt ky ligj nuk bëhet për UÇK, por për ata që mbrohen në emër të saj, ata që UÇK-në e përdorin si mburojë për tërë krimet që i kanë bërë, kur themi krime nuk e kam fjalën vrasjet etj, por mbi të gjitha krimet ekonomike.

Jo më kot reagoi edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila ndër të tjera thekson se Ligji i propozuar, e minon lirinë e shprehjes, duke shkelur kështu lirinë themelore të njeriut.

Reagim të fortë pati edhe nga Ambasada Amerikane, e cila duke bërë thirrje që mos të votohet ky Ligj, thekson se ky ligj “dëmton trashëgiminë e lirisë”.

Në fakt kështu është pasi, nëse ky ligj miratohet, atëherë as mediat dhe as politikanët dhe as qytetarët, nuk kanë të drejtë të shprehin mendim të lirë për individë të caktuar të UÇK-së.

Me ketë amnistohen të gjithë ata që janë në pushtet, dhe të cilën në emër të luftës janë bërë milionerë. Luftëtari i vërtetë s’ka nevojë të mbrohet nga askush, ai është i popullit dhe ka punuar për popullin.

Të frikësuar janë vetëm ata që në emër të luftës janë bërë milioner, për t’u mbrojtur ata iniciojnë ligje kinse për UÇK-në, por në thelb janë për të mbrojtur vetën. Nëse akuzon dikë që ka qenë pjesë e luftës për hajni, për zhvatje dhe për gjëra që s’kanë të bëjnë asgjë me luftë, do të mbrohen me këtë ligj, duke thënë se po njolloset lufta e UÇK-së.

Njësoj si veproi Thaçi kur u thirr në Hagë, thoshte se po njolloset lufta e UÇK, ndërkohë që në Hagë është pyetur edhe për vrasjet e pasluftës.

Të gjitha këto veprime të fundit, nuk kanë qëllim të mbrojnë UÇK-në, por njerëz që në emër të saj kanë përfituar pasuri marramendëse.

UÇK mbrohet duke mos abuzuar me të, s’ka pse të bëhet ligj që qytetarët mos të fyejnë UÇK-në. Në fakt kjo është fyese për qytetarët të cilët gjoja nuk po e respektojnë UÇK, por u dashka të behët ligj që të mbrohet ajo, kjo është absurde.

UÇK është e popullit dhe s’ka pse të mbrohet nga populli, ajo duhet të mbrohet nga ata që në emër të saj sot janë milionerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat