Analiza e fortë: Ja çka ndodhë me mocionin e VV-së dhe LDK-në, ky mund të jetë presidenti i ri

Politika

Analiza e fortë: Ja çka ndodhë me mocionin e VV-së dhe LDK-në, ky mund të jetë presidenti i ri

Nga: P.R Më: 10 gusht 2020 Në ora: 12:36
Mustafa, Kurti dhe Thaçi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka lënë të hapur mundësinë e hyrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti, ani pse para zgjedhjeve kishte premtuar se nuk do të qeverisin me PDK-në.

“Në zgjedhjet e fundit jemi deklaruar se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Edhe PDK, pas zgjedhjeve është deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Mendoj se situata e Pandemisë, paralajmërimi i aktakuzave për një numër të përfaqësuesve të lartë sikurse edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, kërkon një qasje tjetër. Të mos jemi përjashtues ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojmë pajtim për çështje jetike për vendin. Mirëpo, për çdo gjë duhet ta kemi miratimin e organeve partiake, pas një vlerësimi të situatës së re të krijuar”, tha gjatë ditës së djeshme kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

E lidhur me përfshirjen e PDK-së në qeveri, si dhe nisjen e mocionit të Vetëvendosjes për rrëzimin e Avdullah Hotit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

“Këto kohë shihet se në Kosovë po bëhen disa lëvizje politike, të cilat janë të diskutueshme dhe në aspektin e përvojës së shkuar shihen jo vetëm si të panevojshme, por edhe të dëmshme për Kosovën. Nga njëra anë Vetëvendosja kërkon ta çojë qeverinë Hoti në votëbesim në parlament, por për këtë i duhen shumë vota, derisa PDK e Veselit dhe Thaçit nuk e mbështet atë. Nga ana tjetër ky akt i Vetëvendosjes ka shërbyer si kërbaç për Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës dhe e ka detyruar atë të afrohet me aleaten e vet, Partinë Demokratike”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

 

Sipas tij, mollë sherri po bëhet posti I presidentit.

“Duket se Hashim Thaçit i është prerë bileta për në Hagë dhe politika në Kosovë është në përpjekje për të gjet trashëgimtarin e tij. Deri tani dy figura politike janë përfolur për këtë post. Ramush Haradinaj, i cili bën presion të shtuar për ta realizuar qëllimin e tij që të behet president i Republikës së Kosovës dhe Enver Hoxhaj, një nga figurat e moderuara të Partisë Demokratike të Kosovës. Thaçi dhe Veseli luftojnë fort që ky i fundit të bëhet kryetar i shtetit të Kosovës. Thaçi beson se mund ta sigurojë trashëgiminë e tij me Enver Hoxhajn president. Ndërkohë nuk ka asnjë lloj besimi te Ramush Haradinaj. Në këto kushte lufta politike ka marrë tipare të reja. Qeveria e zotit Hoti është në teh të thikës. Mundet që Gjykata Kushtetuese ta kontestojë votën e një deputeti të dënuar me heqje lirie e ta konsiderojë si të pavlefshme. Në këtë rast qeveria Hoti bie automatikisht, sepse rezulton jo legjitime, pra e zgjedhur me më pak vota sesa parashikon kushtetuta”, shprehet me tëj Bytyçi për “Bota sot”.

Lidhur me mocionin e Vetëvendosjes, Bytyçi paralajmëron dështimin për ta rrëzuar Avdullah Hotin.

“Mocioni I zotit Kurti duket I pamundshëm. Por e ka nxit politikën që të intensifikojë përpjekjet për një koalicion të ri. Isa Mustafa e mban afër PDK-në, me qëllim që të vazhdojë modelin e vjetër të bashkëpunimit, duke ndarë postet kryesore midis tyre. Mirëpo fushata elektorale e Isa Mustafës është zhvilluar me zotimin se "LDK kurrë nuk bën koalicion me PDK-në"! Nëse thyhet ky zotim, atëherë Isa Mustafa I gënjen zgjedhësit e vet dy herë. Njërën herë I pati gënjyer atëherë kur ishte krijuar koalicioni i VLAN dhe në vend të krijonte qeverinë me partitë e koalicionit, përkatësisht VV, AAK e Nisma, shkoi dhe u bashkua në qeveri me Partinë Demokratike. Nëse i gënjen publikisht dhe kësaj radhe, atëherë Isa Mustafa nuk do të përballet vetëm me zgjedhësit e tij, por dhe me një pjesë të mirë të anëtarësisë së LDK-së. Ndaj ai është në dilemë”.

“Ndërkohë Isa kishte ëndërr që vetë ai të bëhej president i Kosovës. Edhe kjo është një dilemë personale e tij. Të "vdesësh apo të rrosh"! D.m.th të bëhet vetë president, apo ta mbyllë karrierën politike si kryetar I LDK-së?! Kjo është çështja e tij. Megjithatë ai e di se kompromisi mund të shpëtojë diçka sa i përket shijes së pushtetit. Pra mundet që në kushtet e presionit që bën Vetëvendosja e sidomos Ramush Haradinaj të pranojë kushtet e Partisë Demokratike për koalicion të përbashkët qeverisës. Mund ta pranojë këtë zgjidhje edhe për shkak se kam përshtypjen që Mustafa i përket atyre liderëve, të cilët shkojnë sipas skemës "Pas meje le të bëhet kiameti"! D.m.th mbi interesin e LDK-së e të Kosovës të vendoset interesi I kryetarit të Partisë”, deklaron profesor Bytyçi.

Sipas Bytyçit, edhe Haradinaj nuk do të ketë sukses në përpjekjet e tij për ta marrë postin e presidentit.

“Përfundimisht, unë parashoh se Vetëvendosja nuk do të ketë sukses në mocionin kundër qeverisë, sepse ajo nuk e ka mbështetjen e tri partive, të cilat kanë afërsisht 70 vota në parlament, përkatësisht LDK-së, PDK-së dhe Listës Srpska, pra të partive tradicionale në qeverisje. Ndoshta nuk do të munden që të plotësojnë as 40 firma për të inicuar mocionin përkatës. Zoti Haradinaj nuk do të ketë sukses gjithashtu në përpjekjet e tij për ta marrë postin e presidentit, sepse LDK dhe PDK janë të vendosur që këtë post ta zgjedhin pa shkuar në zgjedhje të parakohshme. Ndryshe duhej që Vjosa Osmani të merrte përkohësisht rolin e kryetarit të shtetit, gjë që nuk e do as Isa Mustafa, as Hashim Thaçi. Ndaj dhe kësaj radhe fitorja institucionale do të jetë e klasës së vjetër politike”, thekson ai.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se ekzistojnë dy mundësi që LDK të ringrihet përsëri.

“Por jam I sigurt se bashkëpunimi LDK-PDK I rivendosur rishtaz do ta nxjerrë LDK-në parti të tretë ose të katërt, d.m.th pas Listës Srpska, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo edhe për shkak të përçarjeve të brendshme të saj. Ndaj unë shoh si mundësi të ringritjes së LDK-së bashkimin politik të saj dhe ndërmarrjen e dy hapave të rëndësishëm politikë: Nga njëra anë të pranojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe nga ana tjetër të pranojë që si presidente kalimtare të jetë Vjosa Osmanit, sipas kushtetutës së vendit. Nëse do donte që përsëri Vjosën ta kandidonte për kryeministre të ardhshme, atëherë ajo mund të jepte dorëheqje si presidente e përkohshme dhe vendin e saj ta zinte Kujtim Shala, nënkryetar I parlamentit”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat