Skenari i errët që po përgatitet në institucionet e Kosovës

Politika

Skenari i errët që po përgatitet në institucionet e Kosovës

Nga: G.B Më: 13 gusht 2020 Në ora: 12:24
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Së fundmi po diskutohet mundësia e hyrjes së PDK-së në Qeveri.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në njërën anë VV ka nisur iniciativën për rrëzimin e Qeverisë e në anën tjetër, LDK dhe PDK kanë nisur bisedimet për koalicionin.

“Kemi dy pamje të zhvillimeve politike në Kosovë. Në njërën anë prej disa ditësh Lëvizja Vetëvendosje ka shpall iniciativën e saj për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Hoti, nga ana tjetër Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike, si dy dashnoret e bashkëqeverisjes së këtyre 20 viteve, i janë rikthyer bisedimeve për riformatimin e qeverisë. Këto dy lëvizje e përjashtojnë njëra-tjetrën. Por nuk e përjashtojnë krijimin e një qeverie të re, ndoshta pa Avdullah Hotin kryeministër”, është shprehur ai.

Sipas tij, në lojë ka hyrë edhe Haradinaj, duke shpallur kandidaturën për president, pasi Thaçi i ka ditët e numëruara, e është rritur dhe pazari, ku do të bëhët Pazar, dikush do ta ketë presidentin e dikush kryeministrin.

“Në lojë ka hyrë si edhe herë të tjera fuqishëm gjithashtu Ramush Haradinaj. Ai shpalli kandidaturën për president të Republikës së Kosovës. Po cila mund të jetë lidhja midis krijimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit. Autoritetet kryesore të Kosovës e kanë marrë vesh tashmë se Hashim Thaçi i ka ditët dhe jo javët e numëruara. Prandaj ka dalë në dritë një përpjekje e re për krijimin e një qeverie tjetër me partnerë të rinj në koalicion. Pazari është rrit. Nuk është në pazar vetëm funksioni I kryeministrit, si dhe kabinetit qeveritar, por edhe i kreut të shtetit. Përmenda fjalën pazar, sepse qeverisja në Kosovë në më të shumtën e rasteve ka qenë produkt I pazareve dhe jo I votës së qytetarëve. Prandaj shoqëria kosovare është e mërzitur dhe e dëshpëruar për çfarë bën politika. Pazarxhinjtë e djeshëm po bëjnë pazaret e sotme të radhës. Dikush do ketë presidentin, dikush tjetër kryeministrin”, ka vlerësuar Bytyçi.

Profesori shton se nuk e di nëse VV do të mund të prishë pazaret dhe të rikthejë legjitimitetin, derisa PDK, LDK dhe Lista Srpska bashkëpunojnë midis tyre.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

“Lëvizja Vetëvendosja dhe qeveria e saj, pavarësisht defekteve të veta, për herë të parë vendosi legjitimitetin. U përpoq të shkatërrojë pazaret politike. Nuk jam i sigurt se me kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Hoti Vetëvendosja synon të prishë pazaret dhe rikthejë legjitimitetin. Sa kohë që LDK, PDK dhe Lista Srpska bashkëpunojnë midis tyre, ato i sigurojnë numrat për të mbajtur këtë qeverinë Hotin kryeministër ose për të krijuar një qeveri tjetër pa Hotin në krye të ekzekutivit. Këtë fakt e di Albin Kurti. Atëherë pse e mori nismën? Mbetet të presim e të shohim”, ka theksuar ai.

Bytyçi thotë se Kurti ndoshta shpreson që ta largojë AAK-në nga qeveria, ndërsa që Qeveria mund të rrëzohet nëse Beogradi futet në lojë përmes Listës Serbe, por që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Ndoshta Albini shpreson në çarjen e koalicionit aktual, pra në largimin e AAK-së së Ramush Haradinajt nga qeveria. Kjo ia mundëson zotit Kurti firmat për ta paraqit mocionin e mosbesimit, por jo edhe për ta rrëzuar qeverinë Hoti. Në këtë rast qeveria aktuale mund të rrëzohet vetëm nëse këtë e dëshiron Beogradi dhe fut në lojë Listën Srpska. Por nuk ka gjasa të ndodhë kjo. Beogradi lufton të sigurojë trashëgiminë e Hashim Thaçit. Prandaj nuk mbështet as Haradniajn për kryeministër, as Kurtin për rrëzimin e qeverisë. Nuk mund të jenë as Haradinaj, as Kurti trashëgimtarë të politikës proserbe që ka ushtruar Thaçi. Pra ky ekuacion bie”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sa i përket asaj se a mund t’i bëjë VV numrat, ai thotë se i bën, pasi shumica në parlament duan që qeverisja e vendit të jetë pa ndikimin e Beogradit por nuk beson se të gjithë do të bëhen bashkë pasi lëvizin interesat personale e familjare.

“A mund t’i bëjë numrat Vetëvendosja për rrëzimin e qeverisë? Teorikisht po. Në fund të fundit përplasja është midis modelit të vjetër të Thaçit dhe Isës dhe modelit të ri të qeverisjes. Madje edhe midis konceptit të qeverisjes pa Beogradin të pranishëm në Kosovë dhe konceptit të deritashëm për të ndërtuar një qeverisje, në të cilën të bëjë pjesë edhe politika serbe e Beogradit. Unë besoj se në parlamentin e Kosovës shumica duan që qeverisja e vendit të realizohet pa ndikimin dhe pjesëmarrjen e Beogradit dhe politikës serbe. Por nuk besoj se këta bëhen të gjithë bashkë për të kundërshtuar politikat serbe në Kosovë. Kjo sepse lëvizin shumë interesa personale, familjare, ekziston frika ndaj "dinosaurëve" të politikës të mbitokës e nëntokës, ekzistojnë pse jo edhe lidhje miqësore, familjare dhe shoqërore e kështu me radhë”, ka shtuar ai.

Duke u bazuar në këto, profesori thotë se nuk beson që deputetët e LDK-së do të votojnë pro mocionit.

“Bazuar në këto arsye mendoj se deputetët e Lidhjes Demokratike nuk do të votojnë për mocionin e Vetëvendosjes. Kjo edhe për arsye se vota kundër qeverisë së LDK-së është votë politike dhe, e deshën, nuk e deshën Avdullah Hotin ose Isa Mustafën, secili është i detyruar me statut të mbështetë qeverinë e partisë së tij. Ata mund të mos votojnë një qeveri tjetër të koalicionit me PDK-në, sepse ky ishte njëkohësisht premtim elektoral, por nuk mund të votojnë rrëzimin e kësaj qeverie”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat