Çfarë pritet nga takimi i shtatorit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë? Flet profesor Riza Smaka

Politika

Çfarë pritet nga takimi i shtatorit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë? Flet profesor Riza Smaka

Nga: G.B Më: 14 gusht 2020 Në ora: 13:02
Riza Smaka

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori Richard Grenell përmes një njoftimi në Tëitter, duke mos dhënë detaje të tjera.

Se çfarë pritet nga ky takim, profesori Riza Smaka ka thënë për gazetën “Bota sot”, se vështirë se mund të pritet marrëveshje, duke shtuar se shteti serb vazhdon të luhatet në ëndrrallat hegjemoniste antishqiptare.

“Çfarëdo marrëveshjeje politike bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apriori, është vështirë e pritshme. Në radhë të parë nga se shteti serb gjithnjë vijon të luhatet në ëndrrallat hegjemoniste antishqiptare. Edhe pse aktualisht rrethanat gjeopolitike e gjeostrategjike dhe përgjithësisht ato politike ndërkombëtare, esencialisht dallojnë nga faktorët determinues të epokave historike kritike pas dy luftërave botërore, tani më në favorin e shëiptarëve, shteti serb me fanatizëm qëndron në pozoicionet konstante hegjemoniste në radhë të parë referuar Kosovës. Pikëpamjet politike serbe edhe aktualisht kultivohen fuqishëm në frymën antishqiptare të establishuar kryesisht gjatë shekullit të kaluar”, ka thënë ai.

Profesori thotë se falë Amerikës, mund të pritet së paku një kornizë preliminare parimore për definim final në një etapë vijuese me një Marrëveshje Politike Gjithëpërfshirëse Kosovare-Serbe.

“Së andejmi edhe lidershipi politik e shtetëror serb, edhe po të kishte pikëpamje ca më të moderuara e për aq më të reale, nga presionet hegjemoniste të kontaminuara nga periudha para luftërave ballkanike e botërore, do ta kishte vështirë për t'i modifikuar realisht aspiratat e tilla. Falë fuqisë ekonomike, politike e pozicionit gjeopolitik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe inklinimit të favorshëm të tyre referuar zgjidhjes të drejtë të çështjes se Kosovës, me bazë mund të pritet nëse jo një traktat ndërkombëtar përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së paku një kornizë preliminare parimore për definim final në një etapë vijuese me një Marrëveshje Politike Gjithëpërfshirëse Kosovare-Serbe”, ka vlerësuar ai.

Smaka më tej thotë se as kjo nuk do të mund të arrihej ndryshe, pos angazhimit të SHBA-së, ndërkohë që me këtë Kosova do duhej të lëvizte para e drejtë në disfavor të politikanëve të stërpasuruar nga abuzimet pushtetare.

“Edhe kjo e fundit nuk do të mund të arrihej ndryshe pos angazhimit të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sipas modelit merre ose lere “Take It Or Leave It". Në ndërkohë duke shpresuar në struktura politike të reja, të shëndosha e të pastra moralisht, kompetente politikisht, Kosova do të duhej të lëvizte para e drejtë në disfavor të politikanëve të stërpasuruar nga abuzimet pushtetare, korrupsionit, krimit të organizuar dhe amullisë se administratës publike dhe të sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar profesori Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat