Pikëpyetjet e mëdha dhe alarmi për Kosovën, çfarë ndodhë në takimin e 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë?

Politika

Pikëpyetjet e mëdha dhe alarmi për Kosovën, çfarë ndodhë në takimin e 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë?

Nga: P.R Më: 14 gusht 2020 Në ora: 21:27
Shtëpia e Bardhë

Pas anulimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën dialogun.

Por sot, i dërguari special i presidentit amerikan Dondald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia do të takohen me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në njoftimin e bërë, Grenell nuk ka dhënë shumë hollësi se çfarë pritet të ndodhë në takimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Postimi nga Richard Grenell

E për takimin e 2 shtatorit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

“Takimi i 2 shtatorit 2020 i grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet në sfondin e luftës politike elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si të tillë këtë takim e konsideroj si përpjekje të presidentit Trump për ta sfiduar kundërshtarin e tij, Biden, në politikën e jashtme. Biden ka pikën e tij të fortë politikën e Jashtme, ndërkohë që Trump kishte si pikë të fortë para pandemisë ekonominë. Në kushtet kur ekonomia ka rënë në krizë për shkak të Covid-19, Trump ka nevojë për një trofe elektorale si ajo e nënshkrimit të marrëveshjes midis izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, thotë Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se Kosova ishte nis që këtë trofe ta dhuronte me 27 qershorin e kaluar.

Image
Enver Bytyçi

“Në atë samit Thaçi dhe Vuçiç kishin prerë kostumin e ri dhe ndonëse njëri me stilist nga Beogradi e tjetri nga Prishtina, kostumi do kishte të njëjtën ngjyrë e model. Edhe kollaret ishin përzgjedhur me regji të kishin të njëjtën ngjyrë e formë. Kjo do të thoshte se të dy presidentët ishin përgatitur që me kostume e stilolapsa të rinj të nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe atëherë thuhej se temë e bisedimeve do të ishin çështjet ekonomike. Por në fakt do të nënshkruhej projekti serb i ndarjes së Kosovës. Kjo do të bëhej fakt, edhe pse ai projekt do ta destabilizonte Kosovën dhe gjithë rajonin”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

“Shpallja e akt-akuzës ndaj Hashim Thaçit nga prokurori special e parandaloi atë skenar, sepse Thaçi si i akuzuar për krime lufte nuk mund ta përfaqësonte delegacionin e Kosovës. Ndaj e kam konsideruar këtë akt-akuzë si ogur të mirë për Kosovën, edhe pse një ngjarje e hidhur për presidentin e saj”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, ai ka treguar se çfarë mund të sjellë takimi i 2 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Derisa qeveria e Beogradit dhe presidenti i Serbisë, mediat dhe lobet serbe inkurajojnë lidershipin amerikan, në vend të atij evropian, unë e shoh takimin e 2 shtatorit me skepticizëm dhe me dyshim. Ka shumë shqiptarë që besojnë të kundërtën, sidomos ata që fascinohen nga anti-komunizmi i Trump. Dhe në këtë aspekt presidenti amerikan ka qëndrime anti-estabilishment të mbështetura në logjikë. Por unë mendoj se duke jetuar në Shqipëri e më Kosovë dhe jo në SHBA prioritare janë e duhet të jenë për ne raportet e administratës amerikane me çështjen shqiptare. E kam thënë edhe herë tjetër, se dinastia Bush dhe Clinton kanë kontribute të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët. Ndërsa Barak Obama solli indiferencë ndaj kësaj çështjeje. Biden u përpoq nën Obamën ta mbajë frymën pro-shqiptare. Tani duhet pritur që ta shohim kontributin e tij në rolin e presidentit (gjithnjë nëse zgjidhet) dhe të mos ngutemi për të nënshkruar ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën në Uashington me 2 shtator. Pra s’ka pse të bëjmë atë që do të bëhej më 27 qershori. Kjo nënkupton që shqiptarët votues në SHBA të votojnë secilin kandidat që jep garanci se mbështet të drejtën e Kosovës për shtet sovran, funksional, pa cenuar territorin dhe kushtetutën e saj”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

“Serbët janë entuziastë për takimin e 2 shtatorit. Edhe presidenti Thaçi u shfaq me entuziazëm dhe euforik. Këto dy qëndrime ma shtojnë dozën e dyshimit. Po sikur ndarja e Kosovës të mos jetë thjesht ide e John Bolton?! Nuk kam marrë përgjigje as për dilemën tjetër: A nuk e dinte presidenti Trump se John Bolton ishte angazhuar për projektin e Serbisë së Madhe?! Për pasojë nuk e dinte këtë fakt edhe ambasadori Richard Grenell?! Nuk besoj se iniciativa të tilla qëndrojnë jashtë vëmendjes së kryetarit të shtetit. Nga ana tjetër më mundon përgjigja e pyetjes: Mirë do shkojnë në Uashington dy delegacionet, ai i Serbisë dhe ky i Kosovës? A mund ta shesë Grenell një marrëveshje ekonomike midis dy vendeve si trofe të një fushate kaq domethënëse elektorale?! Nuk besoj. Atëherë çfarë mund të ndodhë tjetër? Mundet të detyrohet pala kosovare të nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare anti-kosovare e pro-serbe?! Askush nuk beson se Vuçiç do të nënshkruante një marrëveshje të dëmshme për Serbinë, sipas konceptit të tij prej serbomadhi, me Kosovën. Dhe pikëpyetjet shtohen, kur flitet se delegacionin mund ta kryesorë Hashim Thaçi!”, thotë më tej profesor Bytyçi.

Sipas tij, kryeministri Hoti duhet ta sqarojë opinionin publik me transparencë.

“Dhe së fundi na del gjithashtu një kontradiktë tjetër. Uashingtoni thotë se në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes të dy vendet do të integrohen në BE dhe NATO. Për në NATO dakord, janë SHBA-të aktori dhe faktori kryesor i integrimit. Po në BE si do të ndodhë kjo pa harmonizimin e qëndrimeve amerikane me ato të BE-së dhe gjermane?! Edhe këtu gjej një mospërputhje. Mospërputhjet shtojnë gjithmonë dilemat, pikëpyetjet, dyshimet dhe skepticizmin. Ndaj Avdullah Hoti duhet ta sqarojë opinionin publik me transparencë. T’u thotë qytetarve të Kosovës se cili është projekti konkret, për çfarë do të bisedohet konkretisht, çfarë janë interesat e Kosovës në atë marrëveshje që nënshkruhet. Nëse nuk e di se çfarë projekti do të ketë në tavolinë, ai nuk e di edhe çfarë do të bisedojë atje. Por më së pari duhet të sqarojë nëse është ai që do ta kryesojë delegacionin dhe do të nënshkruajë në emër të Kosovës, apo do jetë Hashim Thaçi personi në fjalë!”.

“Nëse luhet ndonjë lojë si ajo e 27 shtatorit atëherë do të ketë gjithashtu lëvizje të tjera nënadresë të Hashim Thaçit nga Haga. Me siguri që do të vihet nën akuzë zyrtarisht. Nuk them se duhet refuzuar takimi në Shtëpinë e Bardhë. Por nuk duhet të shkohet vetë në thertoren që mund ta përgatitë Aleksandër Vuçiç me miqtë e Serbisë me këmbët tua. Kjo do të thotë që duhet kujdes. Për çdo projekt që mund të vihet në tavolinë, minimumi që kërkohet është mos-firmosja pa u kthyer në Kosovë për t’u konsultuar me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë të saj!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat