Thaçit dhe Haradinajt u vjen ‘goditja’ e fortë: I pari i dha tokë Manastirit, i dyti dorëzoi Kullën dhe Çakorrin Malit të Zi

Politika

Thaçit dhe Haradinajt u vjen ‘goditja’ e fortë: I pari i dha tokë Manastirit, i dyti dorëzoi Kullën dhe Çakorrin Malit të Zi

Nga: P.R Më: 19 gusht 2020 Në ora: 19:36
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Pezullimi i punimeve në rrugën Deçan-Plavë, ka nxitur debat të ashpër në Kosovë. Kryeministri, Avdullah Hoti tha se kjo rrugë do të ndërtohet.

“Pa u ndikuar nga zhurmat nëpër studio televizive, ne do ta ndërtojmë rrugën Deçan-Plavë në bashkëpunim të ngushtë me Deçanin dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës. Zhurma nuk është zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve tanë, por puna, angazhimi dhe respektimi i normave ligjore dhe kushtetuese”, tha kryeministri Hoti.

E Vetëvendosje e ka cilësuar Hotin se njeri të Vuçiqit, pasi sipas tyre, këto punime u ndalën me urdhër të presidentit serb. Kurse, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka kërkuar që zgjidhja për ndërtimin e rrugës që lidh Deçanin me Plavën duhet të gjendet brenda kornizave të cilat janë në përputhje të vendimit të Gjykatës lidhur me kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

Por sipas analistit politik, Gani Qarri, rruga që lidh Deçanin me Plavën ka ekzistuar gjithmonë përskaj Manastirit.

vërteta që duhet të dihet dhe mësohet nga të gjithë, është fakti se rruga Deçan-Plavë, pa marrë parasysh vendosjen e vijave kufitare sipas shijes së shteteve sllave dhe mbetjes së (këtyre) tokave shqiptare nën Mal të Zi, edhe pse nuk ishte e asfaltuar e tëra, ajo ka ekzistuar gjithmonë përskaj Manastirit. Ndaj dhe duhet të kuptohet drejtë nga mbarë opinioni publik i Kosovës e më gjerë, se këtu nuk bëhet fjalë për hapjen e ndonjë rruge të re, as nisjen për herë të parë të ndonjë traseje në këtë pjesë të territorit tonë, por krejt ajo çfarë aktualisht bëhet aty, është vetëm përshtatja me kushtet e sotme, modernizimi dhe vendosja e bazamentit më të fortë e më të sigurt, si dhe asfaltimi i saj, si në të gjitha rrugët tjera të Kosovës”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, kjo rrugë ka një rëndësi te veçantë për gjithë rajonin.

“E kjo, jo vetëm që do të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptar të të dy anëve të kufirit, por edhe të vet Manastirit, për lidhje më të mira me qytetin e Deçanit, Pejës, Prishtinës etj, apo edhe udhëtimit më të shkurtër e komod rrugor në Mal të Zi, si dhe lehtësimit të marrëdhënieve ekonomike ndërfqinjësore. Për aq më tepër, rruga Deçan-Plavë nuk ka asnjë arsye të bëhet sensacion mediatik, kur dihet fakti se me gjithë shpalljen "Zonë e mbrojtur" Manastiri i Deçanit nuk ka eksterritorialitet mbi këtë pjesë të rrugës as këtyre tokave tona. Ato Manastirit i`u falën vetëm pas ngritjes së Millosheviqit në pozitën e të "parit" të Serbisë dhe okupimit klasik të Kosovës me polici dhe ushtri nga Serbia, pa pëlqimin e shqiptarëve. Madje jo vetëm pjesa aktuale e truallit nga shtrihet me qindra vjet kjo rrugë, por iu falen arbitrarisht edhe objektet hoteliere dhe pushimoret e fëmijëve, në malet e Deçanit, të cilat nuk kanë qenë kurrë pronë e Manastirit, e nuk do duhej të ishin as sot, nëse nuk pretendohet nga komandirat e "luftës" që të ruhen aktvendimet diskriminuese të Millosheviqit, edhe pas dëbimit të Serbisë nga Kosova”, thotë për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

Më tej, Qarri deklaron se kryeministri Hoti duhet ta gjejë zgjidhjen, në mënyrë që të arrihet realizimi i këtij projekti.

“Ndaj edhe kryeministri Avdullah Hoti, duke pasur parasysh se si u bënë këto toka pronë e Manastirit të legjitimuara së fundi në mënyrën më makabre edhe nga ligjet skandaloze të Hashim Thaçit, para se të kërkonte ndaljen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë, duke ditur se sa jetike është kjo rrugë sidomos për shqiptarët në Plavë me rrethinë, për tu ofruar kushte sadopak më të mira dhe nxjerrë nga izolimi shekullor, në mënyrë që të mos e lëshojnë vendin e vet edhe ata pak bashkëkombës tanë të mbetur atje, do duhej ti ulte në tavolinë Sava Janjiqin dhe z.Ramosaj kryetarin e Komunës se Deçanit, në mënyrë që punimet të vazhdojnë, ngase rruga jo vetëm që nuk e pengon as kërcënon, por e ndihmon dhe i krijon kushte më të mira edhe vet Manastirit, qoftë për lidhjet me qytetet tona në afërsi, apo edhe për udhëtimet në Mal të Zi. Kështu që vendimi i kryetarit Bashkim Ramosaj për vazhdimin e punimeve në këtë rrugë, edhe pse vjen nga AAK, të paktën në këtë rast, nuk duhet të shihet as trajtohet si kundërshtim apo shkelje e vendimit të Qeverisë, ngase që të dy këto parti janë në bashkëqeverisje dhe siç dihet, para se të hynin në koalicion janë dakorduar paraprakisht, si për rrugën Deçan-Plavë, që mbi gjysma e saj, ka qenë e përfunduar, ashtu edhe për rrugë të tjera në Rrafsh të Dukagjinit, përfshi edhe autostradën Pejë-Prizren, për të cilën është thënë se janë bashkë-dakorduar që të ndërtohet edhe ajo”, thekson Qarri.

Ai ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se ia ka dorëzuar Kullën dhe Çakorrin Malit të Zi.

“Kurse sa i takon vet kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, me dorëzimin e Kullës dhe të Çakorrit Malit të Zi, ai e ka dorëzu tërë luftën për mbrojtjen e territoreve të shtetit të Kosovës, dhe i është kthyer me tërë qenien, betejës për tu bërë president i vendit. Pra është shumë e vërtetë se kohëve të fundit, Ramushi në vijimësi ka drejtuar kritika dhe akuza të ashpra ndaj kryeministrit Hoti, gjë që duke pasur parasysh pretendimet e tij karrieriste, para se të shihet si një dëshmi se vërtetë tashmë ka filluar ndonjë 'luftë' e njëmendtë brenda koalicionit qeveritar, për momentin kjo duket të jetë, më tepër një presion publik ndaj LDK-së, sidomos pas kandidaturës së shpallur të Ramushit për president, në mënyrë që LDK, ta pranojë dhe mbështesë (me vota) kandidaturën e tij, përndryshe AAK, dëshiron t`ia bëj me dije partnerit, se së shpejti mund të kërkojë aleat të tjerë për krijimin e një aleance të re, si me PDK-në, Nismën e minoritetet, dhe largimin e LDK-së nga qeverisja e vendit”.

“Ndaj nëse LDK, në vend të përkrahjes "blanko" të kandidaturës së Ramush Haradinajt, shpreh pretendime edhe vet, që Isa Mustafa, apo dikush tjetër nga kjo parti, të bëhet president i vendit, atëherë bashkëqeverisja e mëtejme ndërmjet LDK-së e AAK-së, e humbë çdo kuptim dhe është plotësisht e pritshme, që edhe ky koalicion, për shkak të mospërputhjes së interesave partiake, dhe konfrontimit të ambicieve karrieriste të udhëheqësve të tyre, për poste shtetërore, edhe ky koalicion të shkojë përfundimisht drejt shpërbërjes”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat