Presidenti a po i humb gjurmët e vrasjes së Astrit Deharit?

Politika

Presidenti a po i humb gjurmët e vrasjes së Astrit Deharit?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 gusht 2020 Në ora: 17:10
Hashim Thaçi dhe Tomë Gashi, foto ilustrim nga "Bota sot"

I dënuari për vrasje të dyfishtë, Luz Allaku, të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Allaku ishte ndër të burgosurit e parë që kanë hyrë dhe e kanë parë në dhomë Deharin.

Mirëpo vendimi i Thaçit ka ngjallur reagime të shumta ku e kanë cilësuar këtë vendim të padrejtë nga ana e Thaçit.

Për këtë ka reaguar partia e VV-së duke iu drejtuar presidentit me një letër dhe kërkuar dëshmi sepse Lëvizja Vetëvendosje konsideron se hetimet lidhur me rastin Dehari po fshihen qëllimisht, ndërkohë që deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga Zyra e Presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin e Allakajt.

Ndërsa të mërkurën ka reaguar edhe kreu i LVV-së, Albin Kurti duke u shprehur ne nuk i di arsyet e vërteta pse presidenti ka shkurtuar dënimin e një vrasje të dyfishtë mirëpo që presidenti e din.

Tutje Kurti shprehët që urgjentisht duhet të bëhet publik procesi deri tek ky vendim i dyshimtë duke iu bërë thirrje zyrtarëve të kërkojnë dëshmi në lidhje me këtë proces.

Gashi: Asgjë nuk është rastësi

Avokati Tomë Gashi ka reaguar në lidhje me këtë vendim të presidentit duke u shprehur që nuk mund të jetë rastësi kjo ulje e dënimit nga ana e presidentit dhe se ngjarje trishtuese kanë ndodhur edhe pas vrasjes së Deharit.

“Me siguri Presidenti Thaçi i din “arsyet”për këtë vendim të tij. Kjo nuk mund të jetë rastësi! Ngjarje trishtuese dhe shumë të rënda kanë ndodhur edhe pas vrasjes se Astrit Deharit. Në rrethana të pasqaruara më pas ka vdekur Naser Makolli në Burgun e Lipjanit, i cili ka qenë në një qeli me Astrit Deharin”, tha Gashi.

Tutje avokati ia përmend edhe Adonis Gashi i cili është në arrati duke shtuar që presidenti e dinë që Dehari është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Adonis Gashi është në arrati, i cili po ashtu ka qenë në një qeli me Astrit Deharin. Luz Allakut Presidenti i’a fali 3.5 vjet nga dënimi i tij për vrasje. Ky ishte në një qeli afër Astrit Deharit. Ndërsa një të dënuari për narkotik që ishte në qeli me Astrit Deharin paneli i lirimit me kusht ia fali disa muaj të dënimit. Presidenti e din që Astrit Dehari është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, theksoi Gashi.

I dënuari për vrasje të dyfishtë, Luz Allaku, të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Allaku ishte ndër të burgosurit e parë që kanë hyrë dhe e kanë parë në dhomë Deharin.

Mirëpo vendimi i Thaçit ka ngjallur reagime gjatë ditës së djeshme duke e parë të padrejtë këtë vendim nga ana e presidentit.

Mehmeti: Thaçi po keqpërdor postin për të humbur gjurmët e vrasjes në rastin “Dehari”

Image
Faton Mehmeti

Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti thotë që falja e dënimit është një mesazh “mbylle gojën”, për dëshmitarin Allaku dhe se mbi të gjitha është një skandal i madh për Kosovën.

“Kjo falje e dënimit është kod i Thaçit për dëshmitarin Allaku, me mesazhin "mbylle gojën". Ka me mijëra raste tjera, në të cilat ka mundur të falen, por të tjerët nuk ishin dëshmitar, dhe rrjedhimisht nuk kishte Thaçi interes. Andaj, në vetvete ky është skandal i madh, që ndodh veç në Kosovë. Në vendet tjera, nëse do të ndodhte një rast i tillë, presidenti do ishte shkarkuar”, u shpreh Mehmeti.

Tutje, analisti thotë që familja Dehari po vritet për të dytën herë me këtë veprim e që këtë gjest mund ta bëj vetëm Thaçi.

“Fatkeqësisht, Thaçi po keqpërdor postin që ka për të humbur përfundimisht gjurmët e vrasjes në rastin “Dehari", duke qenë në shërbim të nëntokës kriminale. Familja Dehari po vritet për së dyti, me vendime shtetërore në shërbim të humbjes së gjurmëve. Ky është skandal, që veç një njeri si Hashim Thaçi e bën” tha Mehmeti për “Bota sot”.

Ahmeti: Thaçi ka bërë një veprim shumë të dyshimtë

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që rasti i të dënuarit për vrasje të dyfishtë është i dyshimtë në kuptimin logjik e racional. Kjo për arsye se mund të jetë një lidhje logjike për heshtjen e dëshmitarit në fjalë.

“Rasti i të dënuarit të dyfishtë, Luz Allaku, ku presidenti ia ka falur tre vjet e gjysmë të dënimit është i dyshimtë në kuptimin logjik e racional, pasi po i njëjti është dëshmitar në procesin hetimor për “vdekjen” e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Nëse e gjykojmë në kuptimin logjik e racional mund të vijmë në një konstatim se brenda kësaj qëndron lidhja logjike për heshtjen e dëshmitarit në fjalë, por i cili konstatim mund të verifikohet përmes një hetimi nga një trup i pavarur dhe profesional”, u shpreh Ahmeti.

Tutje, Ahmeti thotë që zoti Thaçi ka bë një veprim shumë të dyshimtë, por njëkohësisht ka ndërtuar një fryme e cila në opinionin publik ndërlidhet me “vrasjen” enigmatike të aktivistit Dehari.

“Por, kësaj çështje mund t’ia bashkangjesim edhe humbjen e jetës së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, në sigurinë më të lartë shtetërore, i cili rast akoma është në proces hetimor dhe nuk diskutohet që zoti Allaku mund të ndihmojë në këtë proces dhe po i njëjti potencialisht mund të heshtë në zbardhjen e së vërtetës. Mendoj se zoti Thaçi ka bë një veprim shumë të dyshimtë, por njëkohësisht ka ndërtuar një fryme e cila në opinionin publik ndërlidhet me “vrasjen” enigmatike të aktivistit Dehari. Presidenti vendit nuk duhet të lëshohet në kësi aventura të tilla, e të cilat ngjallin dyshime për zbardhjen e një të vërtete objektive dhe të pranueshme”, u shpreh Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat