U përmenden për president, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt u vjen ‘goditja’ e rëndë

Politika

U përmenden për president, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt u vjen ‘goditja’ e rëndë

Nga: P.R Më: 25 gusht 2020 Në ora: 19:57
Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Ditëve të fundit është nxehur ‘gara’ për postin e presidentit të vendit, ani pse presidenti aktual, Hashim Thaçi ka mandat deri në vitin 2021.

Ishte i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ai i cili e zyrtarizoi kandidaturën e tij President. Madje Haradinaj ‘kërcënoi’ publikisht partnerët e koalicionit, që nëse ai nuk bëhet president, AAK do të largohet nga qeveria.

E pas Haradinajt, për president u propozuar edhe Fatmir Limaj.

Ishte anëtari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Leotrim Berisha ai i cili edhe ka këtë propozim.

“Në këto gjashtë vitet e fundit si kryetar partie, Fatmir Limaj ka dëshmuar se është politikan që asnjëherë nuk e vendos interesin partiak para atij shtetëror. Fatmir Limaj në vitin 2014 ishte ideator i formimit të LAN-it (më pas VLAN) si nevojë e domosdoshme për ndryshim të pushtetit në vend aso kohe. Ai qëndroi besnik këtij projekti deri në fund dhe nuk u tundua, përkundër së kishte ofertë nga PDK për të ndarë përgjysmë pushtetin. Fatmir Limaj në opozitë ishte mirëmbajtësi kryesor i opozitës së bashkuar në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për asociacion dhe demarkacion. Në kohën e qeverisjes së PDK-AAK-NISMA (2017-2019) sërish ai ishte balancuesi dhe ai që investoi më së shumti në ruajtjen e këtij partneriteti, ndonëse i sfiduar nga përplasje të mëdha mes presidentit dhe kryeministrit. Angazhimi i tij përmanent në cilësinë e zv/kryeministrit dhe të bashkëkryesuesit për dialog ishte bashkimi i spektrit politik në temat nacionale për vendin”, shkroi ndër tjerash Berisha.

Por këtë garë për postin e presidentit po e quan të pakuptimtë analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

 

“Është e pakuptimtë lufta për postin e Presidentit të vendit nga AAK-ja dhe NISMA. Dy parti që janë më të voglat në skenën politike kosovare, e aq më të pakuptimtë po e bëjnë këtë proces kur të dy subjektet politike kanë propozuar liderët e tyre si president të mundshëm të Kosovës, në një kohë kur as z. Haradinaj e as z. Limaj, nuk i kanë përmbyllur hesapet me Gjykatën Speciale”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Madje Haziri ka thënë se Haradinaj e Limaj nuk e kanë kredibilitetin e duhur për postin e të parit të vendit.

“Asnjëri nga ta, duke u bazuar në të kaluarën e tyre largët apo të afërt, nuk kanë kredibilitet as politik e as human për tu zgjedhur në postin e të parit të shtetit, të tillët duhet vullnetarisht të largohen nga skena politike e vendit, për shkak dyshimeve të bazuara që rëndojnë mbi ta për gjithë karrierën e tyre politike, por edhe në periudhën e luftës si komandant të UCK-së”, thekson më tej Haziri.

“Andaj edhe AAK-ja edhe NISMA duhet të reflektojnë për momentin nëpër të cilën po kalon Kosova dhe të jenë të përgjegjshëm në raport me nevojat që ka vendi për një funksionim të shtetit demokratik, ligjor, ekonomikisht i qëndrueshëm, i mirëqenë për qytetarët, i pranuar dhe i respektuar në arenën ndërkombëtare. Dhe të tillët si Haradinaj e Limaj në çfarëdo pozite qofshin , e lerë më në atë të presidentit, nuk ia afrojnë vendit, përkundrazi janë të dëmshëm jo vetëm për imazhin e shtetit por edhe në të gjitha segmentet tjera të organizimit dhe funksionimit të tij”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat