Përplasja e ashpër mes Ramush Haradinajt dhe Lutfi Hazirit për kufijtë, analisti tregon se kush vendos për ridefinimin e territorit të Kosovës

Politika

Përplasja e ashpër mes Ramush Haradinajt dhe Lutfi Hazirit për kufijtë, analisti tregon se kush vendos për ridefinimin e territorit të Kosovës

Nga: G.B Më: 1 shtator 2020 Në ora: 20:06
Ramush Haradinaj dhe Lutfi Haziri

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar idenë për ndryshim kufijsh, duke thënë se kryetari i LDK-së Isa Mustafa duhet ta disiplinojë Lutfi Hazirin.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka mbrojtur sërish idenë për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbisë, derisa ka thënë se me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.

“Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, tha Haziri, duke shtuar se mendimi i tij ndryshon nga ai i LDK-së.

Sipas tij, shqiptarët si shumicë në Luginën e Preshevës, duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se askush nuk duhet të pyetet për fatin e Kosovës, pasi kjo nënkupton të luash shah jashtë tavolinës së shahut, sidomos kur deklarata të tilla bëhen nga politikanë shqiptarë.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se askush asnjë aktor vendas në Kosovë nuk e ka shansin as luksin të pyetet për fatet finale të marrëveshjes shqiptari serbe. Sepse kësaj i thonë të luash shah jashtë tavolinës se lojës së shahut. Të flasësh për fatet e bisedimeve, fatet e marrëveshjes shqiptaro serbe si qytetar i thjeshtë është tjetër gjë, të flasësh edhe si aktor periferik që nuk te pyet kush është tjetër gjë, por të jesh politikan i lartë duhet maturi kur flet edhe se je jashtë ekipit bisedor. Dëgjohet lart e poshtë se duhet dhënë diçka si kompensim për të na njohur Serbia”, ka thënë Shahu.

Ai thotë se shqiptarët kanë arritur mjaft, kanë Kosovën për të cilën ka udhëhequr Amerika dhe duhet të udhëheqë edhe në bisedime, pasi Kosova e ka paguar çmimin e saj në luftë.

“Shqiptarët kanë arritur mjaft, kanë shtet të dytë shqiptar, kanë Kosovën. Kjo është fitorja e shekullit. Dhe pse kanë fituar shtet shqiptarët u dashka dhënë diçka. Në nuk e dimë, se ne nuk kemi qenë të zotët as për bisedime as për luftë, ka qenë Amerika ajo që ka udhëhequr në luftë dhe që duam të udhëheqë në bisedime. Por Kosova ka dhënë mjaft për lirinë e shtetin e saj. Ka dhënë gati një shekull pushtim nën Serbi, ka dhënë aq shumë gjak e jetë njerëzore sa pak popuj kanë dhënë pas luftës së dytë botërore. Ka dhënë mbi 1 mijë jetë fëmijësh në luftën e fundit, ka dhënë mbi 10 mijë të vrarë e gati 2 mijë të zhdukur. Ka pësuar përdhunime me shume se gjermanët e austriakët në luftën e dyte botërore. Pra Kosova e ka paguar çmimin e saj dhe lufta u bë për Kosovën tërësore, jo për copa Kosovë”, ka vlerësuar analisti.

Sipas Shahut, po të duhej të ndahej Kosova, do të bëhej shumë kohë më parë nga Fuqitë e Mëdha pasi ato vendosin kufij.

“Fatkeqësia e vetme e Kosovës se pasluftës ishin politikanët e saj që zvarritën punët sa të shtrohet për diskutim Kosova dy dekada pas lufte e lirie. Besoj se mjafton çmimi qe e ka paguar Kosovë për lirinë e saj dhe po të ishte puna për ndarje të Kosovës siç e ka kërkuar me kohë Serbia dhe e ka përkrahë ndonjë politikan e akademik në Kosovë, do të ishte pranuar me kohë ndarja e Kosovës nga Fuqitë e Mëdha. Fuqitë e Mëdha vendosin kufij, shtetet jo. Me luftë po, por luftën e humbi Serbia dhe e fitoi Kosova”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat