Rreziku që e pret Kosovën nga qeveria pro-serbe e Malit të Zi

Politika

Rreziku që e pret Kosovën nga qeveria pro-serbe e Malit të Zi

Diana Bunjaku  Nga Diana Bunjaku Më 4 shtator 2020 Në ora: 12:09
Ilustrim

Opozita pro-serbe në Mal të Zi, do të jetë qeveria e re në atë shtet, pasi shqiptari Dritan Abazoviq iu bashkua atij koalicioni që i hap rrugë mbështetësve pro-serb të marrin frenat e qeverisë malazeze.

Menjëherë janë ngritur hipoteza se a do ta tërheq Mali i Zi njohjen e Kosovës, pasi pritet që qeveria atje të punojë ngushtë me Beogradin.

Një tjetër çështje është edhe demarkacioni Kosovë-Mal i Zi, për të cilin zbehet gjasat për rishikim, sipas marrëveshjes së dy presidentëve.

Analistët politik vlerësojnë se ky është një alarm kryesor për të gjithë, pasi çështja më e madhe dhe e rrezikshme tash është që Serbia e Rusia i futen dhe njëherë kthetrat në Mal të Zi.

Sipas tyre, çështja më e alarmante dhe e rrezikshme është, pasi Serbia e Rusia, po tentojnë ti fusin edhe njëherë kthetrat në Mal të Zi

Ahmeti: Pa dakordimin e dy qeverive të shteteve, marrëveshja nuk mund të rishikohet

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ka qenë një çështje dakordimi në mes dy qeverive, por njëkohësisht edhe presidentëve të dyja shteteve me firmosjen e marrëveshjes së përbashkët.

Sipas tij, pa dakordimin e dy qeverive të shteteve, marrëveshja nuk mund të rishikohet, pasi ka efekte juridike ndërkombëtare.

“Marrëveshja de jure ka kaluar në parlamentet e dy shteteve dhe fillimisht si e tillë duhet shfuqizohet si akt juridik në dy shtetet. Gjykoj se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm atëherë kur ka një vullnet politik të dyanshëm, e nëse ky vullnet ekziston këto çështjet tjera janë të logjikës procedurale. Kurse tash me gjasë në Mal Të Zi do të udhëheq koalicioni pro- serb një mundësi e rishikimit te marrëveshjes së demarkacionit është minimale, pasi dihet se ratifikimi i marrëveshjes ka qenë në dëm të shtetit Kosovës, gjithherë duke u mbështetur në të dhënat shkencore të ekspertëve të fushës përkatëse”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Shahu: Nuk ka më të rëndë për Malin e Zi, Shqipërinë e Kosovën sa të jetë Mali i Zi në duar serbësh e rusesh

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se ky është një alarm kryesor për të gjithë, pasi çështja më e madhe dhe e rrezikshme tash është që Serbia e Rusia i futen dhe njëherë kthetrat në Mal të Zi.

“Çështja më e madhe dhe e rrezikshme është që Serbia e Rusia po i futen edhe njëherë kthetrat në Mal të Zi, kjo është alarm kryesor për të gjithë. Në emër të luftës kundër korrupsionit nganjëherë bëhen korrupsionit me të mëdha politike dhe transaksionet edhe me troje shtetesh. Korrupsioni më i rëndë është ai që vjedh apo jep ryshfet një zyrtar, por korrupsioni politik i shteteve. Nuk ka më të rëndë për Malin e Zi, për Shqipërinë e Kosovën se sa të jetë Mali i Zi në duar serbësh e rusesh, nën ndikimin e tyre”, ka thënë analisti Shahu.

Kurse sa i përket rishikimit të demarkacionit Kosovë - Mali i zi, Shahu thotë se edhe më e zymtë dhe e dyshimtë nuk bëhet situata me këtë konfiguracion politik.

“E sa i përket rishikimit të demarkacionit Kosovë - Mali i zi, besoj se më e zymtë dhe e dyshimtë nuk bëhet situata me këtë konfiguracion politik. Politika e re nuk bëhet tani sipas premtimeve të politikës së vjetër në Mal të zi dhe ai premtim apo marrëveshje mes presidentesh nuk shpresoj të konsiderohet nga aktorët e tij. Edhe pse thuhet se janë grup shqiptarësh që vendosin ekuilibra por nuk besoj”, u shpreh analisti Shahu.

Berisha: Kjo ngjarje do të mund të ketë pasoja negative

Image
Ejup Berisha

Kurse analisti politik Ejup Berisha ka thënë se është për të ardhur keq se në Mal të Zi, në zgjedhjet e fundit kanë ngadhënjyer forcat politike pro-serbe dhe pro ruse.

Sipas tij, kjo me siguri se do të ketë ndikim negativ mbi përcaktimin pro- amerikan dhe pro Evropian të shtetit Malazez në rajon.

“Ngadhënjimi i partive politike pro serbe dhe pro ruse flet edhe për një fenomen tjetër shumë negativ dhe destruktiv jo vetëm se për Malin e Zi por edhe për shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit. Ky është fenomeni negativ i rritjes së ndikimit të Rusisë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon. Keqardhja është edhe më e madhe për faktin se në Mal të Zi po rritet ndikimi serb dhe rus në këtë shtet të vogël, i cili është anëtare e NATO-s dhe shtet kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se kjo ngjarje do të mund të ketë pasoja negative dhe serioze për çështjen e njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Malit të Zi duke e pasur parasysh tendencat dhe opinionin tejet negativ të politikës zuzare ruse dhe serbe lidhur me çështjen e shpalljes pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Ndërsa kjo lidhet edhe me ofensivën negative të jashtme diplomatike të orkestruar bashkë mes dy shteteve si rezultat i të cilave veprime Republika e Kosovës i humbi 19 njohje nga shtete të caktuara të botës të cilat më herët e kishin njohur pavarsinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Sa i përket marrëveshjes për demarkacionin e kufijve mes dy shteteve pra të Kosovës dhe Malit të Zi konsideroj se nëse kontestohet nga ana e subjekteve politike fituese kjo do të jetë më mirë për palën shqiptare që jeton në Republikën e Kosovës, pasi që ky projekt u kontestua fuqishëm nga disa forca politike opozitare e Kosovës, si dhe nga shumica e popullit shqiptar i cili jeton në Kosovë”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, ky mund të jetë shansi për tu korrigjuar një padrejtësi që ju bë Kosovës ku iu morën disa mija km tokë dhe iu falën Malit të Zi, nga ana e disa faktorëve politik dhe shtetëror të Kosovës.

“E them, këtë pasi të tillët pa një plan dhe projekt konkret iu qasën projektit të përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Mendoj se ka ardhur koha që të përmirësohet kjo padrejtësi në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare shqiptare. Kjo marrëveshje jam i mendimit se duhet të bie poshtë dhe faktorët politik të të dyja shteteve ti qasen një procesi të ri të shënimit të vijës kufitare ndërshtetërore. Ku secila palë do ta merr territorin që i takon juridikisht dhe historikisht”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat