Vjen paralajmërimi për Vjosa Osmanin: Larg LDK-së do ta ndëshkojë veten - është kopje e zbehtë

Politika

Vjen paralajmërimi për Vjosa Osmanin: Larg LDK-së do ta ndëshkojë veten - është kopje e zbehtë

Nga: G.B Më: 8 shtator 2020 Në ora: 00:03
Vjosa Osmani

Janë bërë më shumë se dy muaj që kur LDK votoi për largimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së partisë dhe anëtares së Këshillit të Përgjithshëm.

E sot, Vjosa Osmani deklaroi se atëherë ka përfunduar gjithçka.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se ajo njihet nga LDK, pasi ndryshe nuk do të njihej.

"Vjosa Osmani që ka deklaruar se nuk është më pjesë e LDK-së është ekuacion i njohur, s'ka pasur asnjë të panjohur apo të re prej kohësh. Vjosa nuk është origjinale, nuk ka mundësi të jetë origjinale - prej kohësh, është kopje e zbehtë e historive të përsëritura të atyre që duan gjithçka e nuk ngopen me gjithçka. Me largimin e saj, ajo tregoi zgjuarsi, e kuptoi se është lëndë e huaj, jo e domosdoshme as e dëshiruar në partinë LDK, të cilën ajo e ka shaluar për sa deshi ta shalonte në betejat që ka fituar për veten e saj. Vjosa Osmani është kjo që shohim ekraneve e tribunave si zëdhënëse e LDK, si përfaqësuese e LDK, si e deleguar e LDK, se sa për Vjosë pa LDK ajo nuk do të njihej politikisht as në katundin e vet", është shprehur ai.

Sipas Shahut, me guximin për tu larguar, Vjosa dëshmoi që ndihej si e huaj në atë parti, e filloi tu drejtohet njerëzve me gisht, atyre në partinë që e kishin bërë të madhe, por atë gisht do ja drejtojë vetes tashmë.

Image
Rexhep Shahu

"Vjosa me guximin për të ikur prej LDK-së fitoi se tani nuk ndjehet e huaj në partinë që ishte si e deleguar e të tjerëve, nuk ndjehet e paduhur pasi ajo rrinte si në gjemba në shtëpinë e LDK-së, të cilën ajo e kishte braktisur me kohë. LDK e bëri të madhe Vjosën, e bëri politikane, por ajo u bë më e madhe se sa mund të ishte, ajo filloi të flasë me gisht, tu drejtojë gishtin tregues të tjerëve se të gjithë i dukeshin të këshillueshëm prej saj. Gishtin tregues të tjerëve ua drejton veç ai që ndjehet viktimë, thotë Brodski. Gishti drejt të tjerëve është logoja e viktimës, thotë ai. Gishti tregues Vjosa ua drejton të tjerëve për t'i fajësuar. Do të mësojë ta kthejë gishtin ose ta përkulë nga vetja. Vjosa që kur filloi të flasë me gisht, tu drejtohet të tjerëve me gisht, e rrëzoi Vjosën. Tash Vjosa pa LDK mund të jetë gjithçka por jo Vjosa e adhuruar, jo Vjosa që thirrej në emër të Rugovës e të LDK-së e që për këtë shkak njerëzit e nderonin shpesh deri në pakuptim edhe pse e shihnin se Vjosa po shkruante në akull", ka vlerësuar Shahu.

Më tej, ai shton se kudo që të shkojë, Vjosa nuk do të ketë karrierë në ngritje, pasi ka mbaruar shkëlqimi i saj.

"Ajo mund të shkojë në çdo parti por nuk ka më karrierë në ngritje, mbaroi shkëlqimi i saj siç ka mbaruar shkëlqimi i gjithkujt që ka bërë si ajo. Vjosa jashtë LDK-së do ta ndëshkojë rëndë veten e saj pasi do ta provojë shpejt se nuk ka më LDK që mobilizohet për të, por ka individë që do të synojnë ta përdorin Vjosën sa të mundin e ajo edhe mund të detyrohet të shërbejë e të përdoret. Vjosa duhet falënderuar se e ka ndihmuar shumë LDK-në me ikjen e saj, e ka ndihmuar me qartësim të vetes e të LDK-së për t'i bindur njerëzit se askush nuk bën veze me tre të kuqe", ka theksuar Shahu për "Bota sot".

Sa i përket LDK-së, ai thotë se do të jetë ashtu siç ka qenë pa Vjosën, pasi është ndërgjegjja e Kosovës është shtëpi e madhe dhe nuk llogaritet fitorja apo humbja e Vjosa Osmanit.

"LDK do të jetë LDK siç është e siç ka qenë pa Vjosën, pasi LDK është një lum që nuk shteret kurrë, LDK është historia e Kosovës së re, është memoria, është ndërgjegjja e Kosovës. Vjosa ishte biznesmenia e radhës që kërkoi ta shalojë LDK-në përtej të lejueshmes dhe ra prej kali. LDK është shtëpi e madhe dhe nuk llogaritet fitorja apo humbja e LDK me Vjosën e Vjosat por me fuqinë e saj morale. Për fund, do të thosha se mbaroi kalorësia e Vjosa Osmanit, ajo tani do mbetet gjithmonë këmbësore kudo që të shkojë. Në LDK e bënë kalorëse të parë, tani të tjerët mund ta bëjnë këmbësore të parë", ka deklaruar Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat