“Rambo” kërkon shpëtim duke kërcënuar LDK-në

Politika

“Rambo” kërkon shpëtim duke kërcënuar LDK-në

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 shtator 2020 Në ora: 19:46
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Kërcënimet e AAK-së drejtuar partnerit të koalicionit qeverisës, LDK, analistët politik i quajnë shantazhe politike.

Sipas tyre, AAK e ka në dorë koalicioni, andaj edhe e merr guximin për të kërcënuar LDK, e cila në mungese të alternativave duhet të dëgjoj çfarë i thotë AAK ose shkon në zgjedhje.

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se kërcënimi është për t'i bërë presion LDK që të bëj Ramushin president kur të vjen koha, si dhe të trajtoj më dinjitetshëm ministrat e AAK, ndryshe e dërgon në opozitë.

Mehmeti: AAK e ka në dorë koalicionin

Sipas tij, AAK e ka në dorë koalicioni, andaj edhe e merr guximin për të kërcënuar LDK, e cila në mungese të alternativave duhet të dëgjoj çfarë i thotë AAK ose shkon në zgjedhje.

Image
Faton Mehmeti

“AAK i ngreh veshin Hoti që të sillet më butë më ministrat e AAK, sepse ndryshe e pret shkarkimi. Faktikisht nuk mbahet qeveria me kërcënime, e kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë, andaj secili mundohet të tregoj muskujt ndaj tjetrit”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Meha: Kërcënimet nuk janë nga AAK po nga Rambo

Ndërsa analisti politik Xhevat Meha ka thënë se kërcënimet nuk janë nga AAK po nga Ramush Haradinaj - Rambo.

Image
Xhevat Meha

Sipas tij, edhe AAK sikur edhe të gjitha partitë tjera politike në Kosovë nuk janë parti politike po janë kope, sepse kanë një prijës që ka rreth veti disa oborrtar dhe pjesa tjetër u shkon pas qorrazi, madje presin të bëhen edhe oborrtar që t'u bie ndonjë ashtë në dhëmbë.

“Qeveria e tanishme u krijua nga bosët e krimit përmes përmbysjes së bashkëqeverisjes të dal si vullnet i qytetarëve i shprehur në votime. Kjo përmbysje u bë me organizim të strukturave të fshehta serbe për siguruar vazhdimësinë e funksionimit të dërzhavës së Kosovës e ndërtuar si mashtrim në vend të shtetit të Kosovës. Kjo u be shume sheshazi, u kuptua shpejt nga qytetaret, ndryshe nga aksionet e strukturave të fshehta që rëndom nuk dekonspirohen fare ose dekonspirohen tepër vonë. Tani Rambo është në siklet. Madje në siklet janë edhe bosët tjerë të krimit, nuk po dijnë nga t'ia mbajnë. Shkelja e vullnetit të qytetarëve nga këta është e ëmbël kur shkelet vullneti por tepër e ithët kur qytetarët japin ndëshkimin. Tani Rambo kërkon shpëtim duke provuar të bëhet 'me Papë se Papa', me patriot e kombëtar se të gjithë të tjerët, duke shitur e proklamuar se bisedimet me Serbinë janë tepër jetike për funksionimin e koalicionit. Përralla, përralla han qeni arra i thonë kësaj pune”, ka thënë analisti Xhevat Meha.

Shantazh politik

Ndërsa njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani ka thënë se këto quhen shantazhe politike.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, AAK siç dihet nuk është parti por është Haradinaj dhe kjo nuk ka tipare të vendimeve korrekte të organeve drejtuese por janë qëllime të një njeriu për të marr postin e presidentit, si njeri i paparashikueshëm.

“Andaj mund të ndodhë edhe të prish koalicionin nëse LDK-ja nuk reflekton drejt votimit të Ramushit për president që është qëllim përfundimtar i tij për të kompletuar CV politike. Ky njeri din të bëj probleme edhe të vogla por është i njohur për probleme të mëdha dhe me bujë dhe mund të ndodhë të prish koalicionin. Pasi ai për qëllime të veta nuk i intereson, ai qeverisë me argat siç i quan , për të këta njerëz që flasin në emër të AAK-së janë vetëm servil që nuk kanë mendime të veta dhe nuk guxojnë të mendojnë ndryshe prej Ramushit”, ka thënë Burjani.

Ai tutje ka shtuar se të tillët që e përkrahin Haradinajn janë argatë që iu falë poste për të cilat nuk kanë mundësi profesionale e nuk i kanë ëndërr asnjëherë që do ti kenë ,këtë formalitetet dhe këtë ëndërr ua ka plotësuar Ramushi.

“Andaj duhet të dëgjojnë dhe të kryejnë punë me "selame", pra duhet të dëgjojnë pa iu ndie zëri. Mendoj se LDK më mirë është prish këtë koalicion se sa të bjerë pre shantazheve, fjalëve , strategjia e djeshme se ata nuk e prishin koalicionin e vlerësojnë se është ende herët ata po presin çka po ndodhë me Hashimin dhe specialen, pastaj me veprua me prish ose me marr postin e presidentit, pak ka rëndësi apo hiq këto temat tjera”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat