Vrasja e Ahmet Krasniqit, flet për “Bota sot” bashkëpunëtori i tij: Kjo është e vërteta e vrasjes, ky është personi që qëlloi kolonelin – përmend edhe Adem Demaçin

Politika

Vrasja e Ahmet Krasniqit, flet për “Bota sot” bashkëpunëtori i tij: Kjo është e vërteta e vrasjes, ky është personi që qëlloi kolonelin – përmend edhe Adem Demaçin

Nga: N. H Më: 12 shtator 2020 Në ora: 13:55
Ahmet Krasniqi

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në ekzil Kolonel Ahmet Krasniqi u vra pabesisht.

Kur janë bërë plotë 22 vite që nga vrasja e tij, vrasësit e kolonelit edhe me tej nuk janë zbuluar, kjo vrasje po vazhdon të mbetet një mister i madh si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri.

Një dorë e zezë, e qëlloi fshehtazi dhe e vrau kolonelin, në natën e vonë të 21 shtatorit 1998 në Tiranë, dorë kjo që nuk u zbulua as edhe sot.

Për vrasjen e kolonelit së fundi ka dhënë informacione, edhe ish-ministri i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet nëntëdhjetë, Xhafer Shatri.

Ai deklaroi në një intervistë se vrasjen e Ahmet Krasniqit e ka bërë Gani Kernaja, dhe për këtë vrasje ky person është shpërblyer me rreth 250 mijë dollarë.

Mirëpo, lidhur me pretendimet e Xhafer Shatrit, gazeta “Bota sot”, ka biseduar me njeriun që i qëndroi afër për vite të tëra kolonel Ahmet Krasniqit.

Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ministrit, Ahmet Krasniqi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vrasësi i kolonelit nuk është Gani Kërnaja, por është Feriz Kërnaja, dhe emri i zbuluar nga ish-ministri Shatri thotë se është emër që që s’ka ekzistuar kurrë në Tropojë.

Krasniqi tregon po ashtu se Feriz Kërnaja ka qenë personi që ka vepruar në grupin e Fatmir Haklajt.

Sipas tij, Kërnaja ka mbajtur burg në të njëjtën dhomë me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano, dhe është liruar para kohe nga burgu, vetëm pak javë para se të ndodhë vrasja.

Image
Sefedin Krasniqi

“Jo, por Gani Kërnaja është emër që s’ka ekzistuar kurrë në Tropojë. Të gjitha i ka thënë mirë Xhafer Shatrit, vetëm emrin e ka ngatërruar, sepse njeriu që ka vepruar në grupin e Fatmir Haklajt, që ka mbajtur burg në të njëjtën dhomë me Fatos Nanon, që është liruar para kohe nga burgu vetëm dy javë para vrasjes se Ahmetit dhe njeriu që është vrarë me mina të teledirigjuar një vit, pas atentatit për të humbur gjurmë, quhej Feriz Kërnaja”, ka thënë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai deklaron se është e rëndësishme të thuhet se ish-zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi, ishte në dijeni se do të vritej kolonel Ahmet Krasniqi.

“Është me rëndësi të dihet se Adem Demaçi e ka ditur se po vritet Ahmeti, prandaj ka marrë pushim mjekësor. Demaçi ka marrë dy ditë pushim. Një ditë para vrasjes dhe një ditë pas vrasjes, dhe nuk është prononcuar kurrë. Këtë e gjeni në shkrimin e Shefqetit, por si duket e ka ditur edhe Bardhyli sepse e ka lajmëruar në një tubim në Suedi. Këtë e thotë Sinan Kastrati, sepse ka qenë i pranishëm”, tha ai.

Se Feriz Kernaja ishte vrasësi i kolonelit, Sefedin Krasniqi thotë se këtë e ka konfirmuar edhe Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës, në një intervistë dhënë vite më parë.

“Izet Haxhia, momentalisht i burgosur, ish truproja i Sali Berishës dhe ish azilant, dikur në Turqi, në intervistat e gazetares Mira Kazhani ka pohuar se paku tri herë se vrasësi i Ahmet Krasniqit ishte pjesëtar i grupit që e ka vrarë edhe Azem Hajdarin”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ministrit Ahmet Krasniqi.

Image
Fatmir Haklaj dhe Feriz Kërnaja.

Kujtojmë se kolonel Ahmet Krasniqi, u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë, në 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

Për vrasjen e kolonelit familjarët kërkojnë përgjegjësit e atentatit për vite të tëra.

Ndërsa, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit është nën juridiksionin e Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat