100 ditë me Hotin!

Politika

100 ditë me Hotin!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 shtator 2020 Në ora: 08:36
Avdullah Hoti

Ditë më parë janë bërë edhe zyrtarisht 100 ditë qëkur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori udhëheqjen e Qeverisë.

Për këtë periudhë të kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në 100 ditët e para të qeverisë që udhëheqë ai, Kosova ka dalë nga izolimi.

Shefi i qeverisë aktuale ka deklaruar se Kosova tashmë është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, në Bruksel dhe në selinë e NATO-s.

“Pas një devijimi disavjeçar, e kemi kthyer Kosovën prapë në rrugën e integrimit euro-atlantik. E gjithë kjo është arritur pa shpenzuar miliona për lobim, por me përkrahjen e miqve, duke i bindur se kjo qeveri është serioze karshi zotimeve të veta, me vendimmarrje bazuar në ligje dhe Kushtetutë, e jo interesa parapolitike”, ka deklaruar Hoti.

Opozita në Kosovë 100 ditshin e Qeverisë Hoti e konsideron si të rëndë për Kosovën. Madje, këta të fundit thonë se ky ishte 100 ditshi i zisë për vendin dhe qytetarët e saj.

Kurse, për dallim nga opozita, njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se Qeveria Hoti për 100 ditët e qeverisjes së saj ka pasur sukseset e saja për aq sa ka pasur mundësi të punës, për shkak të rrethanave të krijuara.

Deputeti i Vetëvendosjes: 100 ditë zie për vendin dhe qytetarët e saj

Image
Dimal Basha

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Qeveria Hoti është ardhur me uzurpim ilegale në këtë pozitë.

Basha për gazetën i ka renditur disa nga dështimet e kësaj qeverie.

“Duke filluar me uzurpimin ilegal të Qeverisë Kurti, në keqmenaxhimin e pandemisë me tani gati 500 të vdekur, e deri te dështimi në politikën e jashtme”, janë këto disa nga dështimet e kësaj qeverie sipas deputetit të opozitës.

Ai 100 ditët e para të Qeverisë Hoti i quan si të zeza, kurse shprehet se kjo periudhë do të mbahet mend gjatë nga qytetarët e Kosovës.

“100 ditët e Qeverisë Hoti do të mbahen mend si 100 ditë zie për vendin dhe qytetarët e saj”, ka theksuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Raportet më të mira ndërkombëtare - zhvillimi ekonomik i stagnuar

Image
Blerim Burjani

E, për dallim nga Vetëvendosje, njohësit e politikës pozitive e shohin përmirësimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë.

Analisti Blerim Burjani në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se përgjatë kësaj periudhe ekonomia e vendit ka stagnuar. Derisa, shprehet se ka zvarritje të mëdha edhe rreth ndryshimit të ligjit për kontributet.

“Raportet më të mira ndërkombëtare me partnerët, dhe aprovimi i buxhetit. Tema tjera për momentin edhe nuk ka. Zhvillimi ekonomik i stagnuar shumë për shkak pandemisë, zvarritja e madhe e ndryshimit të ligjit për kontributet për të tërheqë qytetarët. Mungesa e trajtimit te kategorive plotësisht të varfra në kohë pandemie, mungesa e reformimit të arsimit universitar, për ketë të fundit as mendja nuk i ka shkuar”, është shprehur Burjani.

Burjani kritik paraqitet edhe më mënyrën se si është menaxhuar pandemia Covid-19 nga Qeveria Hoti, gjersa shprehet se ka mundur të menaxhohet më mirë kjo çështje.

“Pra ka disa përparësi që është dialogu, të tjerat janë në stagnim. Pandemia mund të menaxhohet më mirë edhe kështu është më mirë”, ka deklaruar njohësi i politikës në vend, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Qeveria Hoti për 100 ditët e qeverisjes së saj ka pasur sukseset e saja

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë fjalë të mira për shefin e qeverisë aktuale.

Haziri konsideron se kjo qeveri ka pasur sukseset e saja për aq sa ka pasur mundësi të punës, për shkak të rrethanave të krijuara.

“Mund të themi se qeveria Hoti për 100 ditët e qeverisjes së saj ka pasur sukseset e saja për aq sa ka pasur mundësi të punës për shkak të rrethanave të krijuara sidomos nga pandemia e cila ka reduktuar në një masë jot ë vogël edhe punën dhe aktivitet e institucioneve të ndryshme shtetërore, pra edhe të qeverisë Hoti”, ka thënë fillimisht Haziri.

Për Hazirin, një prej sukseseve është edhe kthimi në normalitet i raporteve të Kosovës me partnerët ndërkombëtar, gjë të cilat, ai shprehet se i dëmtoi ish-kryeministri i qeverisë së kaluar, Albin Kurti.

“Një nga sukseset e qeverisë Hoti, konsideroj se është kthimi në normalitet i raporteve të Kosovës me partnerët ndërkombëtar siç janë SHBA dhe vendet e BE, pas një periudhe tensionesh dhe krizash që krijoi ish-qeveria Kurti sidomos me SHBA-n që qoi gati në izolim të vendit. Procesi i dialogut me Serbinë,sidomos takimi i Uashington dhe rezultatet që prodhoi ky takim me përfaqësimin e vendit nga kryeministri Hoti. Pra, në rrethanat aktuale ku e gjithë bota po ballafaqohet me pandeminë Covid-19 dhe pasojat e saja në shumë sektorë, nuk është se ka mundur të bëhet diçka më shumë, por përparimet janë të dukshme, edhe pse ka një dinamikë të ngadaltë”, tha ai.

Në fund, ai thekson se sukses i kësaj qeverie është edhe menaxhimi i situatës me Covid-19, strategjia për rimëkëmbje ekonomike dhe të përfaqësimit të vendit nga kryeministri Hoti, të cilin e portretizon si një kryeministër i pashantazhuar, unifikues dhe jo përçarës, me kredibilitet moral e politik, i guximshëm në vendime.

“Po ashtu si një sukses i qeverisë Hoti është menaxhimi i situatës me Covid-19, strategjia për rimëkëmbje ekonomike dhe të përfaqësimit të vendit nga kryeministri Hoti, është e arritura më e madhe e kësaj qeverie, pasi Kosova po përfaqësohet nga një kryeministër i pashantazhuar, unifikues dhe jo përçarës, me kredibilitet moral e politik, i guximshëm në vendime dhe veprime që deri më tani janë të dëshmuar se kanë qenë apo janë në interes të Kosovës”, tha krejt në fund, analisti politik Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat