Trump në Kosovë?!

Politika

Trump në Kosovë?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 shtator 2020 Në ora: 22:00
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA

Që nga marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator në Uashington në të cilën mori pjesë edhe Trump, ky i fundit ka cilësuar një ndër të arriturat për të dy vendet.

Kjo marrëveshje ekonomik sipas Trumpit ka kërkuar guxim me që rast ai i ka përgëzuar palët për arritjen e përparimit dhe normalizimin mes vete. Ai i quajti këto negociata si përparim diplomatik historik.

Mirëpo hapi i radhës i Trumpit sipas Grenellit do të jetë vizita në Kosovë dhe rajon.

Sipas Grenell, Trump dëshiron të vizitojë sa më shpejtë Kosovën mirëpo asnjëherë të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të tyre pasi që të dy vendet do të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.

“Presidenti Trump ka thënë se mezi pret të vijë në vizitë. Tashmë e kemi tejkaluar pengesën e parë, pra që Shtëpia e Bardhë zyrtarisht pajtohen me një gjë të tillë”, ka thënë Grenell.

Grenell në këtë intervistë nuk ka cekur datë të vizitës, mirëpo theksoi që shumë shpejtë një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Ende nuk kemi datë apo detaje”, u shpreh Grenell.

Ndërsa profesorët në lidhje më këtë temë shprehën që vizita e Trumpit është gjithmonë pozitive për Kosovën por që kjo vizitë nuk duhet të ndikojë në arritjen e një marrëveshje të ngutshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Bytyçi: Trump lavdëron e ngre lart "guximin" e kreyministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç

Image
Enver Bytyçi

I pyetur në lidhje me këtë vizitë profesori universitar Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që nëse Kosovën e viziton Trump atëherë pritja duhet të jetë madhështore sepse është presidenti i vendit më të fuqishëm në botë dhe se Kosova duhet të dëshmoj respektin e jashtëzakonshëm karshi saj.

“Siç njofton ambasadori Grenell, Presidenti amerikan, Donald Trump, mund ta vizitojë së shpejti Kosovën. Një status i zotit Trump lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, na bën të besojmë se po, do të ketë një vizitë të tij në Kosovë e me gjasë edhe në Serbi. Por statusi i zotit Trump lavdëron e ngre lart "guximin" e presidentit Vuçiç, si edhe të kryeministrit Hoti. Donald Trump është president i vendit më të fuqishëm të botës dhe vizita e tij në Kosovë përbën një ngjarje të jashtëzakonshme për vendin ku shkel këmba e tij. Kosova duhet të përgatitet e ta presë siç pritet një personalitet i tillë. Duke dëshmuar respekt të jashtëzakonshëm me SHBA-të dhe presidentin Trump”, shprehët Bytyçi.

Dilemat e vizitës së Trumpi-t në Kosovë

Profesori vë në pah disa dilema në rast me vizitën e Trumpit në Kosovë, duke kërkuar nga familjet e dëshmorëve e deri tek familjet e të pagjeturve që të dalin para Trumpit në mënyrë të organizuar dhe të bindin që Serbia duhet të kërkoj falje për këto krime.

Nëse ky organizim bëhet në mënyrën e duhur atëherë edhe Trump do të arrij të merr mesazhin dhe të kontriboj në krijimin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, thotë më Bytyçi.

“Megjithatë, disa dilema është mirë të thuhen. Përshembull është mirë që familjet e dëshmorëve, familjet e viktimave të luftës, familjet e të pagjeturve, familjet e vajzave dhe grave të përdhunuara të organizohen me portrete të pafund të atyre që u masakruan, vranë, dogjën, që u zhdukën dhe u përdhunuan nga ushtria dhe policia serbe. Me këtë veprim t'i kërkohet ndihmë presidentit më të fuqishëm të botës, që ta detyrojë Serbinë të paguajë për këto krime dhe të kërkojë falje për to. Pra, fjala është që kjo vizitë të shërbejë për ta sensibilizuar presidentin amerikan të vendosë drejtësinë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë,tha profesori.

Dilema tjetër që shtron Bytyçi çështje protokolli që lidhet me pritjen e Trumpit nga presidenti i vendit, që vazhdon të jetë Thaçi.

Profesori kërkon që Thaçi të jep dorëheqje para se të vizitojë Trump Kosovën sepse nuk është në imazhin e duhur të Kosovës as të SHBA-së që pritja të bëhet nga një president I akuzuar për krime lufte.

“Së dyti, dilema ime ka të bëjë me një çeshtje protokolli. Donald Trump është presidenti I SHBA-ve dhe si I tillë, sipas protokollit, ai duhet të pritet e përcillet nga presidenti i Kosovës. Por si do duket që presidentin që vjen të bëjë paqen e pret dhe e përcjell një president i akuzuar për krime nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë?! Eshtë pak problematike kjo. Dhe zgjidhja më e mirë do të ishte që t'I bëhej presion Hashim Thaçit të dorëhiqej para se të vijë zoti Trump në Kosovë”, u shpreh profesori.

Voca: Trump dëshiron përmbylljen e çështjes Kosovë-Serbi sa më shpejtë

Image
Mirsad Voca

Në lidhje me këtë temë, Doktor shkence dhe ligjërues i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që një vizitë evntuale e Trumpit në Kosovë do të thotë që ai dëshiron përmbylljen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë para se të zhvillohen zgjedhjet në SHBA.

“Vizita eventuale e Presidentit D. Trump në Kosovë mund të perceptohet si vazhdë e politikës së tij të jashtme lidhur me çështje që ai dëshiron t’i zgjidh para zgjedhjeve në SHBA. Fati i Kosovës gjithnjë është varur nga raporti i fuqive të mëdha, ndërsa edhe këtë herë si duket kemi të bëjmë me një ndërhyrje të Presidentit aktual të SHBA në raportet Kosovë Serbi. Natyrisht se interesi parësor i Presidentit D. Trump është përmbyllja e çështjes midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ketë më shumë gjasë për ri-zgjedhje edhe për një mandat si President i Shba, aq më tepër kur të gjitha sondazhet vlerësojnë si fitues të zgjedhjeve J. Biden.”, theksoi Voca.

Më tej, ligjëruesi në Paris, shprehët që pavarësisht që Trump dëshiron të zgjedh këtë çështje sa më shpejt Kosova nuk duhet të ketë ngutje në këtë aspekt pasiqë çdo ngutje në marrëveshje mund të jetë në dëm të Kosovës.

“Siç kam theksuar dhe më herët çdo ngutje në përmbylljen e një marrëveshje me Serbinë mund të krijoj hapësirë për dykuptimshmëri dhe ambivalenca që shpiejnë gjithnjë në situata të reja të paqarta dhe nevojë për zgjidhje të reja, cikël që Kosova e ka përjetuar që prej dekadash dhe pikërisht nga ky cikël apo nga zgjidhje të mangëta, Kosova rrezikon ende paqëndrueshmëri politike. Prandaj, çdo marrëveshje e ngutshme nuk do të thotë paqe e qëndrueshme”, u shpreh ligjëruesi.

Kosova të ruaj raportin me SHBA

Duke vazhduar më tej, Voca thotë që Kosova duhet të vazhdoj të mbajë raportin e qëndrueshëm me SHBA por që ekziston mundësia të ketë instrumentalizimit të Kosovës që mund ta dëmtoj vendin. Shkas I kësaj mundësi është pozita e dobët negociuese e Kosovës në dialog.

“Patjetër që Kosova, në marrëdhëniet e saj të jashtme, ka partner kryesor SHBA dhe ky relacion duhet ruajtur dhe të përforcohet mirëpo njëkohësisht duhet patur parasysh edhe rrethanat aktuale politike si në rajon, BE dhe marrëdhëniet e kësaj të fundit sidomos me Administratën e D. Trump. Rreziku nga një mundësi tjetër të instrumentalizimit të Kosovës, që shoh se mund të jetë shumë i gjasshëm muajve të ardhshëm, mund të shpie në një fazë jo të favorshme për Kosovën, marrë parasysh pozitën e saj të dobët negociuese në të cilën është vënë me vet dëshirë kjo Qeveri e Kosovës, thotë Voca.

Më tej, Voca shprehët që duhet të kemi kujdes në çfardo zgjidhje ekonomike/politike që nuk është e favorshme për Kosovën, përfshirë këtu nëse Serbia nuk njeh Kosovën apo duke iu ndarë çfarëdo forme pasuritë nëntokësorë dhe ujore të saj me Serbinë.

“Prandaj, duhet të kemi kujdes të veçantë sa i përket çfarëdo zgjidhje ekonomiko/politike që e defaktorizon Kosovën sidomos përball Serbisë sepse nëse ndodhë që të arrihet një marrëveshje pa u njohur Kosova nga Serbia apo duke i ndarë në çfarëdo forme pasuritë nëntokësore dhe ujore të saj me Shtetin serb në mënyrë që ky i fundit ta njoh eventualisht Kosovën, kjo patjetër që do të krijoj hapësirë për hapje të një faqe të re konflikti me Shtetin serb dhe prapë nevojë për zgjidhje të reja. Sepse Serbia, jo vetëm që nuk do të zbatojë marrëveshje por do të kërkojë edhe më shumë duke patur parasysh se Kosova ende figuron si pjesë e saj brenda Kushtetutës së saj për të cilën gjë Serbia as që dëshiron të diskutoj”, përfundoi Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat