Riza Smaka tregon dy emrat që po pretendojnë postin e Presidentit të Kosovës

Politika

Riza Smaka tregon dy emrat që po pretendojnë postin e Presidentit të Kosovës

Nga: G.B Më: 19 shtator 2020 Në ora: 13:54
Riza Smaka

Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kështu vlerëson opozita, e cila thotë se Qeveria duhet të bie për shumë arsye, njëra nga to dhe marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Derisa VV ka mbledhur nënshkrimet për mocion, por që i duhen edhe 9, nga PDK nuk ka asgjë konkrete përpos deklarata.

E profesori Riza Smaka, mendon se po të dojë opozita ta rrëzojë qeverinë, bashkohet dhe e bën atë, derisa shton se posti i presidentit nuk përkon as me etikën publike as me Kushtetutën.

"Nëse do të bashkohej opozita parlamentare me lajtmotivin për rrëzimin e Qeverisë aktuale, do të mund të arrinte atë objektiv. Posti i shefit të shtetit që pretendohet në mënyrën kondicionale nga z. Isa Mustafa fillimisht e vijimisht nga z. Ramush Haradinaj, nuk përkon me etikën publike as me Kushtetutën", është shprehur ai.

Smaka ka thënë për gazetën "Bota sot" se neni 70 i Kushtetutës thotë se deputetët mund të votojnë lirshëm për president.

"Sipas nenit 70 të Kushtetutës, deputetet dhe deputetët kurdoherë, kërkohet të votojnë lirshëm e kurrsesi sipas qëndrimeve politike, aq më pak partiake. Mënyra e pasme e përcaktimit rezulton të jetë në kolizion sikundër me moralin publik, ashtu edhe me Kushtetutën, ndër tjera, nga se në vend të zgjedhjes së Presidentit, përkatësisht të Presidentes do të parazgjedhej, parahipotekohej dhe paramonopolizohej posti i shefit të shtetit", ka vlerësuar ai.

Profesori shpjegon tutje zgjidhjen kushtetuese për presidentin.

"Zgjidhja kushtetuese aktuale e sanksionon sistemin partiak të mbyllur të zgjedhjes së shefit të shtetit, i cili nuk është i tipit demokratik por përkundrazi, është i karakterit të qëndrimit partiak, eventualisht politik. Do të duhej që paraprakisht të modifikohej procedura e zgjedhjes së shefit të shtetit në një nga modelet e shumta por ndryshe nga ky ekzistues. Zgjidhja kushtetuese aktuale, ndër tjera, e favorizon shkeljen e Kushtetutës, nga se, në raundin e tretë kur kandidati apo kandidatja nuk do të fitonte në raundet paraprake, sanksionohet shpërndarja e Kuvendit nëse do te dështonte edhe në atë etapë zgjedhja e shefit te shtetit", ka theksuar Smaka.

Sipas tij, edhe nëse do të rrëzohej qeveria, do të kishim një presidencë të pahijshme për klasën politike dhe qytetarët e vendit.

"Edhe deri tani sikundër edhe vijimisht sipas zgjidhjes kushtetuese ekzistuese, jo pak deputetë e deputete, edhe pse në dy raundet nuk e kanë pas preferuar, përkatësisht nuk do ta preferonin kandidatin, përkatësisht kandidaten në procedurë, për të ruajtur statusin e deputetit, gjegjësisht të deputetes që do të shuhej nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, kundër bindjes, vullnetit madje edhe nenit 70 të Kushtetutës, do të votonin "për". Nëse do të rrëzohej Qeveria aktuale, edhe pse qëndron në baza juridike problematike për shkak të grindjeve të paskrupullta përkitazi me postin e shefit të shtetit, do të shkaktohej dhe krijohej edhe një presidencë e pahijshme dhe politikisht e pashijshme jo vetëm për klasën politike inmeritore por edhe për qytetarët e vendit tonë", ka deklaruar Riza Smaka për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat