“Personat kryesor të Shtabit të Rognerit”, ja çfarë po paralajmërohet për Thaçin dhe Veselin

Politika

“Personat kryesor të Shtabit të Rognerit”, ja çfarë po paralajmërohet për Thaçin dhe Veselin

Nga: P.R Më: 25 shtator 2020 Në ora: 18:46
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka treguar në detaje në lidhje me pyetjet që i janë bërë atij nga prokurorët e Speciales.

Geci, ka thënë se ata nuk duan të dinë për luftën Kosovë-Serbi, por duan të dinë për vrasjen e kundërshtarëve politike, apo vrasjet e pasluftës në Kosovë.

“Më kanë pyetur për vrasjen e Adem Jasharit, më kanë pyetur prej A deri në ZH. Ata kanë dashur t’i dinë raportet e të gjithëve me të gjithë. Nuk kanë dashur të dinë për luftën Kosovë-Serbi, por ata kanë dashur ta dinë se kush i ka bërë vrasjet e kundërshtarëve politikë. Kanë pyetur për Enver Malokun, por unë nuk kam pas dijeni”, është shprehur Geci.

Por, a do të arrij Gjykata Speciale që t’i zbardh këto vrasje, të cilat tash e 20 vite kanë mbetur një enigmë?

Lidhur me këtë, për “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Siç është dëshmuar në vijimësi, Gjykata Speciale në Hagë është krijuar, pas mosveprimit të drejtësisë vendore për hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të civilëve të vrarë, para dhe pas luftës, por vetëm deri në fund të vitit 2000, ndaj ajo pritet dhe duhet të zbardhë të paktën një pjesë të vrasjeve që ka ndodhur gjatë kësaj kohe, gjë që do tu hapte dyert për zbardhjen edhe të vrasjeve tjera, me të cilat do të detyrohen të merren tani e tutje edhe gjykatat e Kosovës”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, Gjykata Speciale është i vetmi organ gjyqësor, që mori guximin të nisë dhe zgjerojë hetimet për zbulimin e vrasjeve politike.

“Kështu që përderisa edhe mbi 21 vite pas lufte asnjë gjykatë vendore nuk pati forcë as kurajo të merret me vrasjen e civilëve shqiptar dhe krimet tjera në vend, bota u detyrua të krijonte një gjykatë ndërkombëtare larg kapjes dhe ndikimit të komandantëve, si Gjykata Speciale me seli në Hagë, për hetimin dhe gjykimin e krimeve të para dhe të pasluftës në Kosovë. Ndaj Gjykata Speciale, sot është i vetmi organ gjyqësor, që pati guximin të nisë dhe zgjerojë hetimet për zbulimin e vrasjeve politike, e cila pas rreth pesë vitesh angazhimi arriti të ngrisë edhe paditë e para ndaj personave kryesor të Shtabit të Rognerit, Hashim Thaçit e Kadri Veselit me shokë, vartësit e të cilëve sapo kanë filluar të arrestohen, pasi që Prokuroria e Dhomave të Specializuar ka ardhur në përfundim se prapa këtyre vrasjeve qëndrojnë personat e apostrofuar”, shprehet Qarri.

“Madje përderisa Gjykata Speciale sapo ka filluar me ngritjen e akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që nënkupton edhe vrasjet e civilëve të pa-armatosur shqiptar, ka vite që duke u thirrur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nga mediat është raportuar se në Kosovë do të ketë deri në qindra të akuzuar që nuk kanë të bëjnë vetëm me krime lufte, por edhe me vrasje e plagosje të civilëve dhe vepra tjera kriminale të kryera deri në fund të vitit 2000”, shton analisti Qarri.

Për fund, Qarri thotë se përgjigjen se kush qëndron prapa dosjeve të Speciales, e ka dhënë më së miri EULEX-i me aksionin e sotëm.

“Ndërsa sa i takon asaj se nga kush po shpërndahen dosjet e speciales dhe kush qëndron prapa tyre, përgjigjen më të mirë për këtë e dha vet EULEX-i, i cili pas konfirmimit të aktakuzës dhe arrestimit të shefit të SHIK-ut, për LLap Sali Mustafës, zbarkoi edhe në zyrat e OVL-s ku arrestoi edhe Hysni Gucatin e Nasim Haradinajt ,skenari i të cilëve, me këto dosje, ishte shantazhi kundër Gjykatës Speciale, e cila nuk u hyri në hak dhe ua shpërbleu mundin me prangosje, për çka adhuruesit, bëjnë sikur po protestojnë”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat