Binomi Albini-Vjosa drejtë 50-përqindëshit?!

Politika

Binomi Albini-Vjosa drejtë 50-përqindëshit?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 shtator 2020 Në ora: 19:42
Vjosa Osmani, Albin Kurti

Në situatën politike në të cilën gjendet Kosova, zgjedhjet sipas partive opozitare janë e vetmja zgjidhje për vendin tonë.

Duke qenë të këtij mendimi, LVV ka iniciuar edhe një mocion për rrëzimin e qeverisë Hoti por që ende nuk ka asnjë përparim në atë drejtim.

Së fundi,  kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila ishte në LDK është larguar nga partia e saj duke vendosur që të formojë partin e saj të quajtur “Lidhja Demokratike e Re”.

Pas kësaj iniciative të Osmanit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur se partia e tij dhe Osmanit do t’i marrin më shumë se 50 për qind të votave, në zgjedhjet e radhës në Kosovë.

“Do të bëjmë çmos që t’i kemi 50 për qind e më shumë. Besoj që është e realizueshme ne bashkë me z. Osmani. Ama, më duhet ta them edhe një gjë: Jemi në hall, me kënd të bësh koalicion”, ka thënë ai.

Njohësit e çështjeve politike shprehën optimistë në lidhje me këtë deklaratë të Kurtit duke thënë që kjo gjë mund të ndodhë pasiqë edhe në zgjedhjet e 6 tetorit, dy më të votuarit kanë qenë Kurti dhe Osmani.

Ahmeti: Është koha që VV-ja së bashku me Osmanin të dëshmojnë një qeverisje më ndryshe

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që secila parti synon të triumfojë në zgjedhjet mirëpo është VV ajo e cila ka potencialin intelektual për ta reformuar sistemin në vendin tonë.

“Çdo parti politike e ka qëllim që të dalin fituese në zgjedhje me qëllimin për ta implementuar konceptin politik. Deklaratat publike të liderëve politik çdoherë janë në mënyrën dëshirore, pasi e kanë objektiv që të ndikojnë në psikologjinë e votuesve potenciale. Por në rastin konkret, VV-ja është një parti politike e cila e ka potencialin intelektual, por edhe vullnetin politik për ta reformuar sistemin, e të cilës nuk ju dha rasti gjatë për ta dëshmuar vetën në qeverisje. Partitë tjera mund ta kenë potencialin intelektual, por në qeverisje ju ka munguar vullneti politik për të reformuar sistemin për të mirë, e pasojat e qeverive të pasluftës çdo ditë po i shohim”, u shpreh Ahmeti.

Në fund, Ahmeti shprehët që fryma e fitores plebeshitare është në anën e VV-së, e aq më shumë kur bashkëpunimi me znj.VJosa Osmanin është i pranishëm dhe potencialisht ky bashkëpunim do të kurorëzohet në mënyrën sa më racionale.

“Është koha që VV-ja të dëshmojë një qeverisje më ndryshe, pasi edhe qytetarët janë lodhur me qeveritë e dështuara të pasluftës, duke u ballafaquar me korrupsion, krim të organizuar, nepotizëm e klientelizem. Gjykoj se fryma e fitores plebeshitare është në anën e VV-së, e aq më shumë kur bashkëpunimi me znj.VJosa Osmanin është i pranishëm dhe potencialisht ky bashkëpunim do të kurorëzohet në mënyrën sa më racionale. Në këtë variant, fitorja është e pashmangshme dhe e padiskutueshme, por, për një fitore sa më të madhe varet nga mënyra e bashkëpunimit, koncepti qeverisës që do të prezantojnë dhe lista e deputeteve potencial”, përfundoi Ahmeti për “Bot sot”.

Elezaj: Populli duhet në zgjedhjet e ardhshme të votojnë Osmanin dhe Kurtin

Image
Rexhep Elezaj

Analisti politik, Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që nëse shkohet në zgjedhje atëherë sipas një sondazhi VV do të fitojë 47% të votave e së bashku me Osmanin do të mund të arrijnë mbi 51% duke arritur kështu një sukses të dytë së bashku.

“Nëse bazohemi në realitetin dhe rrethanat aktuale politike në Kosovë, deklarata e liderit të LVV-je, z. Albin Kurti, se, së bashku me znj. Vjosa Osmani po tentojnë t’i arrijnë 51% të votave në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato do mbahen, mendoj se një gjë të tillë është shumë e mundshme që ta realizojnë, sepse edhe sipas sondazheve të fundit po qese tash do mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, LVV-je do t’i fitonte afër 47% të votave. Prandaj, nëse së bashku me znj. Vjosa Osmani i arrijnë mbi 51% të votave, kjo nënkupton se qeverinë e ardhshme do ta formonin pa partitë tjera parlamentare, e që do ishte sukses i jashtëzakonshëm për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Pra, ky do ishte suksesi i dytë historik i tyre pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, meqë rast ishin dy liderët dhe politikanët e ri që dolën më të votuarit në Kosovë”, u shpreh Elezaj.

Më tej, Elezaj i llogaritë të gjitha arsyet që kanë sjellë në rrëzimin e qeverisë Kurti  dhe tregon për keqmenaxhimim  të qeverisë Hoti duke shtuar që sa më shpejt duhet të rrëzohet kjo qeveri dhe pse jo të formohet një qeveri e re me LVV dhe me partinë e Osmanit.

“Vjosa Osmani e përjashtuan nga LDK-ja, mund të jetë vetëm fontanë dëshirash, por jo edhe realitet i cili mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme.  Dihet se parashikimet në politikë nuk janë fare të preferuara për shkak të natyrës komplekse të ngjarjeve që e determinojnë atë, por duke u bazuar në sjelljet dhe makinacionet e ndyta politike të LDK-së me Isa Mustafën në krye si dhe në ndikimin hileqarë të presidentit Hashim Thaçi tek PDK-ja dhe disa partiçka minore, që çuan në rrëzimin antikushtetues të qeverisë së posa zgjedhur “Kurti”, pastaj duke u bazuar në shkeljen bizare të vullnetit të mbi 450 mijë votuesve, të cilët duke i dhënë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit më së shumti vota, ata në fakt votuan për ndryshime të reja politike në Kosovë, shkelje të cilën e bënë LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA me përkrahjen vasale të presidentit H. Thaçi, duke e formuar qeverinë me LDK-në si mandatare në mënyrë antikushtetuese me Avdullah Hotin në krye, si dhe duke pasur parasysh shumë veprime tjera antikushtetuese dhe në dëm të interesave të popullit, në veçanti keq-menaxhimin tejet të dobët të pandemisë Covid-19 nga ana e qeverisë xhuxhe të Avdullah Hotit,  besoj shumë se populli dhe votuesit shqiptarë janë bindur mjaftueshëm se kujt do t’ia dhurojnë votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme  Vjosa Osmani, që, nëse dëshiron realizimin e synimeve të saja politike dhe kombëtare, por edhe arritjen e 51% të votave bashkë me z. Albin Kurtin dhe LVV-je, në asnjë mënyrë nuk duhet të garojë me ndonjë Listë brenda LVV-je, ngase kjo do të ishte një gabim i pafalshëm politik për të dhe karrierën e saj politike, por sa më para që është e gatshme të shpallë formimin e partisë së re”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Në Kosovë rëndë është të mbërrihet 50% i votave vetëm me dy parti politike

Image
Sulejman Mehazi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike të vendit, Sulejman Mehazi shprehët skeptik që Osmani do të mund të marrë aq vota si herën e kalume sepse tashmë ajo nuk është nën ombrellen e LDK-së dhe kjo mund të paraqesë pengesë.

“Si çdoherë liderët politike japin deklarata në favor të partive të tyre, normale që këtë optimizëm e shpreh edhe Albin Kurti për partinë e tij të LVV-së. Deklarata e Albin Kurtit, "se me Vjosa Osmanin do fitonte mbi 50% të votave" gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare janë supozime politike, e dihet se supozimet e kanë kuptimin e hamendjeve e jo aq të bindjeve politike. Nëse Vjosa Osmani nën ombrellën e LDK-së gjatë zgjedhjeve të kaluara mori mbi 150,000 vota, kjo nuk do të thote se aq vota do i merr edhe jashta LDK-së. Në bashkëpunim me Albin Kurtin votat e mëparshme të saja do ishin zvogëluar në 30-40 mijë për shkak se votat tjera do kishin shkuar te LDK-ja e Isa Mustafës”, thotë Mehazi.

Tutje profesori thotë edhe nëse formon Osmani parti të re edhe nëse hynë në VV në të dy variantët nuk do të mund të arrijë votat si herën e kalume. Duke vazhduar të shtojë që edhe nëse Osmani dhe Kurti arrijnë një koalicon e kanë të pamundur të formojnë qeverinë pa një parti tjetër.

“Pastaj ende s'është e qartë se si Vjosa Osmani do bashkëpunonte me Kurtin, me partinë e saj të re, apo do i bashkangjitet LVV-së. Nëse Vjosa Osmani koalicionon me partinë e saj mund të marrë një numër të konsiderueshëm votash nga të pakënaqurit e LDK-se, e nëse hy nën çatinë e partisë së Kurtit jemi të bindur se Vjosa do merr shumë më pak vota. Pra, në të dyja variantet, edhe me partinë e saj edhe po t'i bashkohet LVV-së vet Vjosa nuk mund të merr më shumë se 35-40 mijë të votave, por pas zgjedhjeve Albini e Osmani do ishin të detyruar të koaliciononin dhe me një parti tjetër për të formuar qeverinë. Në Kosovë rëndë është të mbërrihet 50% i votave”, u shpreh profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat