Gjykata Speciale godet SHIK-un me arrestimin e Sali Mustafës: A dyshohet për vrasjen e njerëzve të LDK-së?

Politika

Gjykata Speciale godet SHIK-un me arrestimin e Sali Mustafës: A dyshohet për vrasjen e njerëzve të LDK-së?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shtator 2020 Në ora: 12:00
Sali Mustafa

Arrestimi i Sali Mustafës ish- shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitit të quajtur BIA, është çmontimi që po i bëhet Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, për t'i zhveshur nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre.

Kështu kanë vlerësuar analistët politik, ku sipas tyre ky arrestim është paralajmërim për Kadri Veselin e fati i njëjtë e pret edhe atë.

Ata vlerësojnë se arrestim i Salih Mustafës është një lajm i mirë se drejtësia më në fund po ndodhë dhe kjo tregon seriozitetin dhe vendosmërinë e Gjykatës Speciale.

Haziri: Mustafa ishte shef i SHIK-ut për Prishtinë

Analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se arrestimi i tyre ish-shefi i SHIK-ut për rajonin e Prishtinës, që të njëjtën detyrë e ka ushtruar edhe në TMK dhe së fundi edhe në FSK, Sali Mustafës nga Gjykata Speciale, është një lajm i mirë se drejtësia më në fund po ndodhë dhe kjo tregon seriozitetin dhe vendosmërinë e Gjykatës Speciale, sidomos pas zhvillimeve të fundit me të ashtuquajturat Dosjet e Gjykatës Speciale, një skenar me të cilën u munduan ta godasin kredibilitetin e Gjykatës Speciale, por edhe frikësimin e dëshmitarëve dhe rrezikimin e tyre.

Sipas tij, arrestimi i Sali Mustafës është hap i parë drejtë zbardhjes edhe të veprimtarisë së organizatës kriminale SHIK, e cila dyshohet për vrasje dhe eliminim të zyrtarëve të lartë të LDK-së që ishin edhe bashkëpunëtorë të presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Image
Nexhat Haziri

“Ky arrestim ka kthyer shpesën e qytetarëve, të familjeve të viktimave te ky institucion i drejtësisë dhe të serioziteti që paraqet Gjykata Speciale. Po ashtu dhe në ditët në vazhdim pritet që të ketë arrestime të reja, sidomos pas ngjarjeve të ditëve të fundit me të ashtuquajturat Dosje të Gjykatës Speciale të cilat u sollën në OVL të UCK-së”, ka thënë analisti Nexhat Haziri.

Miftari: Loja me OVL-UÇK po bëhet nga Thaçi

Ndryshe Naim Miftari ish- agjent i SHIK-ut ka thënë se Salih Mustafen (Calin) e njeh personalisht si bashkuara dhe si koleg i inteligjencës pran UÇK-TMK-së.

Sipas tij, ai është një njeri i aftë i drejt korrekt, atdhetar dhe nuk ka kurrfarë dyshimi ndaj tij dhe se ai do të del i pafajshëm.

Image
Naim Miftari

“Jam shumë i sigurt se Salih Mustafa do të del i pafajshëm nga kjo gjykatë siç kanë me dal shumica e pjesëtarëve të UÇK-së. Ky arrestim ka karakter më shumë të përgjegjësisë komandues, unë nuk posedoj informacion të sigurt se Cali ka qenë pjesëtar i SHIK- ut, por Cali fakt se ka punuar me të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës por edhe me organizata, shoqatat dhe OJQ te dalura nga lufta pra bashkëpunim kapat metë gjithë edhe me SHIK-un pse jo. Asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk do të dënohet me fakte të montuara Serbe, nga ata që kanë luftua ndershëm me ushtrinë, policinë, shërbimin sekret Serb. Loja me OVL po bëhet nga Thaçi me kompaninë e tij dhe janë pikërisht këta që e kanë sjell këtë Gjykatë në Kosovë, duke menduar se të tjerët e hajnë këtë “gjellë” por jo presidenti. Lufta jonë është e drejtë e pastër, dhe për tu dënuar janë vetëm krimet e mundshme, kuptohet nëse vërtetohen me fakte. Askush nuk ka faj që shtetin tonë nuk e kemi bërë shtet ligjor, pasi e ka ndal prokuroret tanë, lodrat e presidentit, për më ju ngrit dhjetëra e mijëra akuza kriminelëve serb, për mijëra vrasje, dhunime, e djegie”, ka thënë ish-agjenti i SHIK-ut Naim Miftari.

Mehmeti: Arrestim i Salih Mustafës është paralajmërim për Kadri Veselin

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se arrestimi i Sali Mustafës është çmontimi që po i behët Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, për t'i zhveshur nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre.

Sipas tij, ky arrestim është paralajmërim për Kadri Veselin se e fati i njëjtë e pret edhe atë.

Image
Faton Mehmeti

“Edhe arrestimet pasuese ndaj zyrtareve të lartë të Organizatës së veteraneve tregon më së qartë e ka më nuk ka kthim mbrapa, dhe se arrestimet do të jenë edhe më të fuqishme në ditët dhe javët në vazhdim. Nëse Sali Mustafa ka qenë shef i SHIK në Prishtinë kjo është goditje e rëndë për Kadri Veselin, i cili me gjasë ndjehet në agoni. Tashmë nuk ka kthim, edhe Kadriut dhe Hashimit iu ka ardhë radha, është çështje ditësh kur do të përfundojnë njësoj si Sali Mustafa”, thotë Mehmeti.

Ndryshe Mustafa ishte i arrestuari i parë në Kosovë nga Gjykata Speciale.

Pas tij, u arrestuan edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat