A po hakmerret Agim Veliu ndaj Albin Kurtit, pse e largoi amerikanin nga Kosova?

Politika

A po hakmerret Agim Veliu ndaj Albin Kurtit, pse e largoi amerikanin nga Kosova?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 shtator 2020 Në ora: 08:23
Albin Kurti dhe Agim Veliu

Shteti i Kosovës ka vendosur të mos ia vazhdoj lejen e qëndrimit këshilltarit të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, amerikanit Tienmu Ma.

Ky vendim u mor disa ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në krye me Agim Veliun. Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj deklaroi se këshilltari i kreut të VV-së, nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë leje të qëndrimit.

“Komisioni ka sjell vendim që nuk i ka plotësuar kushtet për ta marrë leje qëndrimin, në bazë të rregullave. Vendimi del nesër, ose këto ditë”, ka thënë Gecaj.

Për këtë temë, ka pasur reagime të shumta në media, kryesisht nga anëtarë të Vetëvendosjes dhe njohës të çështjeve politike të cilët u shprehen të mllefosur me këtë vendim të MPB-së.

Musliu: Mua më intereson vetëm zbatimi dhe respektimi i ligjeve të Kosovës

Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musilu për vendimin e ndërprerjes së leje qëndrimit të ekspertit me shtetësi amerikane, Tienmu Ma u shpreh më e prerë.

Ajo në prononcimin e saj për “Bota sot”, deklaroi se krejt çka i intereson asaj si ligjvënëse në këtë temë është respektimi dhe zbatimi i ligjeve të Kosovës.

Image
Ganimete Musilu

“Krejt çka më intereson mua si ligjvënëse në këtë çështje është të zbatohen e respektohen ligjet e Kosovës”, u shpreh Musliu.

Qarri: Eksperti amerikan u dëbua shkaku i marrëdhënieve Kurti -Veliu

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” tregoi se emri i ekspertit amerikan, Tienmu Ma për herë të parë u përmend sa ishte pjesë e Komisionit Parlamentar Hetimor për dëbimin e turqve. Sipas tij, ky akt shkaktoi edhe shpërthimin e përplasjeve të ashpra mes Hashim Thaçit dhe eksponentëve të Vetëvendosjes.

“Në fakt emri i këtij "specialisti" ndërkombëtar për herë të parë u bë publikisht i ditur, në muajin prill të vitit të kaluar kur VV e kishte angazhuar Tienmu Ma si ekspert të huaj ligjor edhe në Komisionin Parlamentar Hetimor, akt që qoj në shpërthimin e përplasjeve të ashpra ndërmjet Thaçit dhe eksponentëve të VV-s”, deklaroi Qarri.

Ai gjithashtu, dëbimin e Tienmu Ma e ndërlidhi me marrëdhëniet e acaruara të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti me Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun.

Përveç kësaj, Qarri thotë se ky dëbim lidhet drejtpërdrejtë edhe me preferencat dhe tendencën e Hashim Thaçit.

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër "dëbimi", apo thënë më saktësisht, mos vazhdimi i lejes së qëndrimit të ish ekspertit në zyrën e Avokatit të Popullit dhe ish këshilltarit të Albin Kurtit, shtetasit amerikan me prejardhje kineze Tienmu Ma nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, vije edhe si rezultat i marrëdhënieve të acaruara ndërmjet Agim Veliut e Albin Kurtit si dhe preferencave apo edhe tendencës së drejtpërdrejtë të Hashim Thaçit, që Tianmu Ma, sa më parë të dëbohet nga Kosova”, shtoi Qarri.

Qarri vë në pikëpyetje edhe doktoratën e ekspertit amerikan, pasi sipas tij është e pakuptimtë se si një ekspert kaq i zoti nuk angazhohet në qeveritë e vendeve të zhvilluara por ka zgjedh Kosovën. Qarri në fund e përshëndeti dëbimin duke e cilësuar si vendim të arsyeshëm dhe të mirëseardhur për Kosovën.

“Për aq më tepër, nëse vërtet Tienmu Ma, është doktorant i universiteteve të Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe atij të Lucernit në Zvicër, siç pretendon LVV, mbetet e pa kuptimtë se si një ekspert i huaj kaq i zoti, nuk angazhohet në qeveritë apo institucionet përkatëse të këtyre vendeve kaq të zhvilluara, por paska zgjedhur me vet dëshirë të qëndrojë në Kosovë, nëse nuk ka ardhë këtu, për forcimin e ideologjisë kinezo-majtiste të përafërt me atë të VV-s, gjë që jo vetëm se nuk i sjell dobi, por do ti bënte edhe dëme vendit, ndaj dëbimi i tij, duhet përshëndetur si akt i drejtë e trajtuar nga të gjithë si vendim i arsyeshëm dhe i mirëseardhur për Kosovën”, përfundoi Qarri.

Maliqi: Hakmarrje e panevojshme dhe kundërligjore

Për dëbimin e amerikanit, Tienmu Ma, ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi gjatë një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Maliqi u shpreh i rezervuar në lidhje me këtë rast, ai e pa të arsyeshme të pritet edhe publikimi i plotë i vendimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kundrejt kësaj, Maliqi deklaroi se kjo po duket si hakmarrje e panevojshme dhe kundërligjore.

Image
Shkëlzen Maliqi

“Po duket si hakmarrje e panevojshme dhe kundërligjore... Por megjithatë duhet të pritet arsyetimi mos ka aty ndonjë shkelje procedurash nga ana e ekspertit amerikan”, deklaroi Maliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat