Gjykata Speciale nuk guxon të zhbëhet, këto janë pasojat për Kosovën

Politika

Gjykata Speciale nuk guxon të zhbëhet, këto janë pasojat për Kosovën

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 shtator 2020 Në ora: 11:02

Gjykata Speciale e formuar tash e sa kohë, tashmë veҫ ka filluar me arrestimet e para. Kjo gjykatë ka arrestuar tashmë Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, ndërsa ka intervistuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaҫin, kreun e PDK-së, Kadri Veselin, e pjesëtarë të tjerë të UҪK-së.

Gjithashtu i arrestuar mbeti edhe ish ushtari i UÇK-së, Salih Mustafa.

E njëjta ‘zhurmë’ që ishte bërë për të krijuar këtë Gjykatë Speciale, thuajse me të njëjtën mënyrë u bë përpjekje për ta anuluar. Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve, kjo gjykatë tashmë ka filluar punën e saj.

Por a mund të zhbëhet kjo gjykatë, kur tashmë ka filluar me arrestimet e para?

Njohësit e çështjeve politike, ndonëse e vlerësojnë si të panevojshme krijimin e kësaj gjykate që nga fillimi, thonë se kishte alternativa tjera, tashmë mund të shkaktohen probleme tjera në Kosovë, me zhbërjen e saj.

Smaka: Mund të ketë pasoja ndërkombëtare nëse zhbëhet Specialja

Image
Riza Smaka

Kështu profesori i çështjeve juridike, Riza Smaka thotë për “Bota sot” se, kjo gjykatë nuk duhej të formohej por në vend të saj të themelohej një gjykatë special vendore. Sipas tij, shpërbërja e saj është e mundur, por do të kishte pasoja politike ndërkombëtare.

“Kolegjet e dhomave të specializuara " Gjykata Speciale", nuk ka qenë dashur të themelohej por në vendin e saj ka qenë dashur të formohej gjykatë speciale vendore. Pasi që është formuar ajo Gjykatë, e njëjta tanimë mbetet të mbështetet nga institucionet  e vendit tonë. Shpërbërja  eventuale e gjykatës në fjalë, proceduralisht është e mundur, por ai akt do të afektonte dhe impaktonte pasoja politike ndërkombëtare tejet problematike për vendin tonë”, vlerëson profesor Smaka.

Tutje, Smaka thotë se para se të formohej kjo gjykatë kishte bërë thirrje kundër saj.

“Para se të formohej gjykata në fjale kam pas publikuar disa ese dhe pamflete kundër saj, veçanërisht referuar jurisdikcionit ndërkombëtar vetëm për persona shqiptar e të pandehur që ishte dhe mbetet klasë antikushtetutare e papresedencë”, vlerëson Smaka.

Burjani: Kosova mund të izolohet

Image
Blerim Burjani

Poashtu edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se kjo gjykatë mund të shpërbëhet nëse palët pajtohen, mirëpo Kosova do të ballafaqohet me problem izolimi.

“Vetëm nëse pajtohen palët themeluese, BE dhe Kosova dhe nëse konstatojnë palët se është e panevojshme, në mënyrë të njëanshme nuk mund të ndodhë nga Kosova, ose shteti i ynë mund të ballafaqohet me probleme izolimi”, thekson Burjani.

Sipas tij, gjasat për të ndodhë kjo, janë zero.

“Pra gjasat për mendimin tim janë zero të ndodhe kjo ҫështje. Pra nuk mund të ndodhë kur të doni të themeloni gjykata dhe kur të doni të shuani. Ka rregulla, kjo gjykatë është themeluar në pajtim me BE dhe është nënshkruar marrëveshja për këtë ҫështje, e tash pasojat  do të shihen”, vlerëson Burjani për “Bota sot”.

Sipas tij, ishin dy rrugë përpara se të formohej kjo gjykatë, mirëpo tani Kosova duhet të mësohet me të, sikurse me pandeminë Covid-19.

“Ishin dy rrugë të themelohej nga vet Kosova ose kjo të ndodhte përmes OKB. Kosova zgjodhi që të bëj një gjykatë të tillë vet, tash ka reaksione dhe do të ketë reagime, ndoshta edhe me të fuqishme por  Kosova duhet të mësohet me këtë gjykatë si me Covid -19”, thekson Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat