Arrestimet e reja nga Specialja, të pashmangshme

Politika

Arrestimet e reja nga Specialja, të pashmangshme

Majlinda Haziri  Nga Majlinda Haziri Më 1 tetor 2020 Në ora: 18:03
Arrestimi i Hysni Gucatit

Gjykata Speciale e Kosovës ka mandatin të hetojë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera që kanë ndodhur duke shkelur ligjet e atëhershme. Bëhet fjalë për krime që kanë ndodhur në Kosovë, ose që kanë filluar të ndodhin në Kosovë.

Kjo Gjykatë u aprovua nga vet deputetët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

Së fundmi Specialja ka arrestuar dy krerët e OVL-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, të cilët po akuzohen për shpalosjen e dosjeve të cilat u lënë në zyrat e OVL-së. Sipas Speciales kjo ka qenë shkelje e ligjit të cilën e shkelën Gucati dhe Haradinaj.

Të dy pjesëtarët janë arrestuar nga EULEXI duke dërguar në Hagë, ku Haradinaj është paraqitur gjatë ditës së marte në gjyqin e Speciales ndërsa Gucati të enjten.

Haradinaj u shpreh në gjyq që nuk pranon të flas për Specialen, sepse ai nuk “e pranon arrestimin dhe transferimin e tij sepse nuk i njeh Dhomat e Specializuara”.

Mirëpo se a do të ketë arrestime të mëtutjshme sipas njohësve të çështjeve juridike shprehën për “Bota sot” që Specialja do të vazhdojë të kryejë punën e saj dhe se arrestimet do të ndodhin edhe më vonë të cilët ose do të arrestohen me dëshirë ose me forcë policore që të paraqiten në Hagë. 

Duke vazhduar ata cekën që Specialja ka theksuar që do të merret edhe me rastet apo veprat penale që mund të kryhen gjatë procesit të punës që pengohet kësaj Gjykatë.

Miftaraj: Rrjedhja e informatave nga kjo Gjykatë, ka shpërfaqur brishtësinë e Speciales

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga IKD-ja, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që publikimi i dosjeve të Speciales nga ana e OVL-së ka mobilizuar që kjo Gjykatë të ndërmarr veprime siç qenë arrestimet e para. Gjithashtu Specialja ka paraparë që do merret edhe me rastet apo veprat penale që mund të kryhen gjatë procesit të punës që pengohet kësaj Gjykatë.

“Publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale nga ana e OVL-së, në një farë mënyrë e ka mobilizuar këtë gjykatë që të ndërmarr veprime të cilat karakterizuar javën e kaluar edhe me arrestimet e para. Përderisa, arrestimi i parë lidhet më aktakuzën e parë të konfirmuar për krime lufte, arrestimet që pasuan nuk lidhen me krime lufte, por për dyshimin e kryerjes së veprave penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë. Ligji për Dhomat e Specializuara përveç që i kushton rëndësi të madhe trajtimit të rasteve të luftës, ka paraparë edhe dispozita dhe mandat për gjykatën speciale lidhur me rastet apo veprat penale që mund të kryhen gjatë procesit të punës së kësaj gjykate dhe që lidhet me rastet kur pengohet puna e kësaj gjykatë, “, u shpreh Miftaraj.

Më tej, Miftaraj thotë që pika më e dobët e fillimit të punës së gjykatës speciale, padyshim është rrjedhja e informatave nga kjo gjykatë. Ky fenomen ka shpërfaqur brishtësinë e Gjykatës Speciale, që dëshmon se jo gjithçka po funksionin si duhet në këtë gjykatë.

“Në këtë drejtim, gjykata me arrestimet e z. Haradinaj dhe z. Gucati po shpërfaq autoritetin e saj duke dërguar edhe mesazh tek të tjerët lidhur me pasojat në rast se kushdo qoftë e pengon në punën e saj. Pika më e dobtë e fillimit të punës së gjykatës speciale, padyshim është rrjedhja e informatave nga kjo gjykatë. Ky fenomen ka shpërfaqur brishtësinë e Gjykatës Speciale, që dëshmon se jo gjithcka po funksionin si duhet në këtë gjykatë. Rrjedhja e infomatave pa dyshim se ka cenuar rëndë integritetin, kredibilitetin dhe besueshmërinë e kësaj gjykatë, e që do të manifestohet edhe në punën e saj në të ardhmën, respektivisht në proceset gjyqësore, ku dëshmitarët nuk do të kenë besimin dhe vullnetin e njejtë për të dëshmuar”, thotë Miftaraj për “Bota sot”.

Burjani: Arrestimet nga Specialja do të vazhdojnë me dëshirë apo me forcë

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që duhet të mësohemi me punën e Speciales sepse është realitet i Kosovës dhe se nuk mund ta shuaj pa marrëveshje me BE si partnere në nëshkrim.

“Kosova duhet të mësohet me apo ambientohet me punën e kësaj gjykate, kjo është realitet i Kosovë. Kosova ka votuar një Gjykatë të tillë dhe nuk mund ta shuaj pa marrëveshje me BE si partnere në nënshkrim ose nëse e përfundon punën edhe para kohe ose ka ngjarje relavante që e bëjnë të panevojshme këtë Gjykate, pra janë disa situata”, thotë Burjani.

Tutje, Burjani shprehët që arrestimet do të vazhdojnë ose do të paraqiten vullnetarisht në Gjykatë ose do të arrestohen me përdorim të forcës policore.

“Sa i përket arrestimëve, këto do të vazhdojnë të dyshuarit ose duhet të paraqiten vullnetarisht në këtë Gjykatë ose do të arrestohen me përdorim të forcës policore, pra janë vetëm alternativa”, thekson Burjani.

Shala: Në këto arrestime po paraqitet bukur qartë që dosjet janë të motivuar nga Serbia

Image
Drizan Shala

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me arrestimet të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit e që ngjalli reagime të mëdha duke u shprehur që këto arrestime po paraqitet bukur qartë që dosjet e bëra nga këto dhoma janë të motivuar nga Serbia e cila bazuar në deklarimet publike ka mbështetur Gjykatën Speciale me dosjet e veta të ngritura për gjatë viteve 80 dhe 90 tave.

“Arrestimet të bëra me urdhëresë të dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale proceduralisht janë në rregull bazuar në legjislacionin në fuqi ndërsa sa i përket substances mbi të cilat janë bërë këto arrestime po paraqitet bukur kjart që dosjet e bëra nga keto dhoma janë të motivuar nga Serbia e cila bazuar në deklarimet publike ka mbështetur Gjykatën Speciale me dosjet e veta të ngritura për gjatë viteve 80 dhe 90 tave”, u shpreh Shala.

Më tej, Shala thotë që Parlamenti i Kosovës duhet të vazhdojë punën normale duke mos interferu në punën e këtij trupi "parazit" që është krijuar nga presioni ndërkombëtar dhe se në këtë proces do të dal lufta e pastër e UÇK-së.

“Pra nga kjo substancë e dosjeve për mua kjo Gjykatë mund të hetojë dhe dënojë gjithçka por vetëm ato "krime" supozuara jo. Parlamenti i Kosovës duhet të vazhdojë punën normale duke mos interferu në punën e këtij trupi "parazit" që është krijuar nga presioni ndërkombëtar sepse në fund sikur në Tribunalin e Hagës që është dëshmuar vlera e UÇK-së edhe në këtë proces lufta e pastër do del por edhe pretendimet e fabrikuara nuk do kalojnë”, përfundoi Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat