Ben-Meir i shqetësuar me një pikë të marrëveshjes së Uashingtonit: ASK-ja të themelohet me 3 kushte

Politika

Ben-Meir i shqetësuar me një pikë të marrëveshjes së Uashingtonit: ASK-ja të themelohet me 3 kushte

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 tetor 2020 Në ora: 21:23
Alon Ben-Meir

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë larg pajtimit që mund të çojë në njohjen reciproke.

Këto komente, ai i ka bërë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ku ka komentuar marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes të dyja vendeve.

“Unë besoj se marrëveshja e nënshkruar për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë është e mirë, por është shumë larg pajtimit të nevojshëm midis dy vendeve që mund të çojë në njohjen reciproke”, është shprehur profesori.

Por, shqetësues dhe të papranueshëm ai e ka quajtur faktin që Serbia është pajtuar të pezullojë fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës vetëm për një vit. Sipas tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nuk është dashur të nënshkruajë një dokument të tillë, nëse Serbia nuk e përfundon përgjithmonë këtë fushatë.

“Shqetësimi im kryesor është fakti që Serbia ra dakord të pezullojë përpjekjet e saj për të inkurajuar shtetet e tjera që të mos njohin pavarësinë e Kosovës për një vit. Për mua, kjo është krejtësisht e papranueshme. Kryeministri Hoti nuk duhet të kishte nënshkruar një dokument të tillë nëse Serbia së paku nuk e përfundon përgjithmonë fushatën e saj për mosnjohjen e Kosovës si një shtet i pavarur”, ka thënë eksperti amerikan.

Ai ka shtuar se marrëveshja ekonomike, nuk është e mjaftueshme nëse Serbia nuk e njeh Kosovën së shpejti.

“Dikush mund të thotë se lëvizja drejt normalizimit, veçanërisht në ekonomi është pozitive dhe se në këtë drejtim të dy palët kanë fituar diçka, por sigurisht që nuk është e mjaftueshme për t'u mbështetur në të, përveç nëse, siç tregova, Serbia nuk e njeh Kosovën në një moment në të ardhmen e afërt”, ka theksuar Alon Ben-Meir.

Gazeta ka pyetur profesorin edhe për çështjen e Asociacionit, për të cilin ai ka thënë se mund të krijohet me tri kushte.

“Unë nuk shoh domosdoshmërisht ndonjë problem me krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, me kusht që të vijojnë me tre kushtet e mëposhtme: 1. Ata duhet të qëndrojnë plotësisht nën kombin sovran të Kosovës; 2. Ata duhet t'i përmbahen ligjeve dhe rregullave të qeverisë së Kosovës; 3. Ata duhet të refuzojnë çdo ndikim nga Serbia duke mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka theksuar për “Bota sot” profesori Alon Ben-Meir./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat