Konfirmimi i Minishengenit në mbledhjen e dy qeverive, analisti i reagon ashpër Ramës

Politika

Konfirmimi i Minishengenit në mbledhjen e dy qeverive, analisti i reagon ashpër Ramës

Nga: G.B Më: 3 tetor 2020 Në ora: 16:11
Mbledhja e dy qeverive

Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë mbajtën dje mbledhjen e përbashkët në Tiranë, ku u nënshkruan disa marrëveshje në mes të dyja vendeve.

Motoja e kësaj mbledhje ishte "Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij", që mori dhe kritika, pasi u tha se konfirmonte Mini-Shengenin.

Lidhur me këtë, analisti politik, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se mbledhja e dy qeverive do të ishte e pranueshme sikur pjesën "...në rajon pa kufij” të mos e kishte në përbërje të “Mini-Shengenit” ballkanik, Serbinë, një shtet kriminal, fashist, racor dhe gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës.

"Mbledhja e dy qeverive shqiptare e mbajtur dje në Tiranë, me moton; “Bashkë pa kufij, në rajon pa kufij”, do të ishte krejtësisht e pranueshme për shqiptarët e Kosovës, posikur pjesa e dytë e kësaj logoje; “...në rajon pa kufij” të mos e kishte në përbërje të “Mini-Shengenit” ballkanik, Serbinë, një shtet kriminal, fashist, racor dhe gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilën, Kosovën pra, ajo e ka mbajtur të robëruar mbi një shekull e gjysmë, qoftë nën emra të kamufluar si, mbretëri serbe (1820-1913), Jugosllavi e vjetër (1918-39), Jugosllavi e Titos (1945-90) dhe Serbi e madhe e Millosheviçit (1989-99), qoftë me dhunë dhe terror sistematik shtetëror, duke vrarë, dëbuar dhe masakruar një shekull e gjysmë mbi dy milion shqiptarë në Ballkan", është shprehur ai.

Sipas tij, këto fakte nuk guxon t'i harrojë asnjë shqiptar, siç po orvatet të bënë në emër të qytetarëve të Kosovës Edi Rama, duke e amnistuar Serbinë fashiste për ato krime.

Image
Rexhep Elezaj

"Këto fakte nuk guxon t’i harron asnjë shqiptar kudo që gjendet, në çdo kohë dhe në çdo vend, sepse ata të cilët në marrëdhëniet e tyre personale dhe zyrtare me Serbinë hegjemoniste, i harrojnë krimet monstruoze që regjimet kriminale serbe i kanë kryer ndaj kombit shqiptar, pa u kërkuar kurrë falje për to shqiptarëve, ose nuk janë hiç shqiptar, ose nuk mbajnë asgjë në mend nga tragjeditë makabre të cilat ndaj shqiptarëve i kanë kryer mbretëritë dhe qeveritë e Serbisë përgjatë shekujve! Shqiptarët e Kosovës, pa dallim, kurrë nuk mund dhe as nuk do t’i harrojnë ato krime si dhe gjitha ato masakra që serbët i kanë krye ndaj tyre, siç po orvatet të bënë në emër të kosovarëve Edi Rama, duke e amnistuar Serbinë fashiste për ato krime, krejtësisht në dëm dhe kurrizin e Kosovës së pavarur dhe të poshtëruar nga regjimet kriminale serbe gjatë shekujve", ka vlerësuar Elezaj.

Më tej, ai shton se logoja e takimit të mbajtur nuk ishte e denjë kundrejt synimeve dhe bashkëpunimit bilateral midis dy shteteve shqiptare në Ballkan.

"Prandaj, logoja nën të cilën u mbajt dje takimi i dy qeverive tona, nuk mund të ishte e denjë kundrejt synimeve dhe bashkëpunimit bilateral midis dy shteteve shqiptare në Ballkan, kur të gjitha statistikat e dhëna gjatë viteve të fundit nga forume dhe institute përkatëse në Prishtinë dhe Tiranë, flasin se ky bashkëpunim, sidomos qëkur në krye të qeverisë së Shqipërisë gjendet Edi Rama, përveç që janë bërë në disfavor të Kosovës, ato kanë pësuar rënie drastike, për shkak se qeveria “Rama” i ka vënë Kosovës sanksione dhe barriera të shumta ekonomike dhe tregtare, duke përfshirë edhe taksën diskriminues për kosovarët në hyrje të rrugës së kombit, gjë e cila flet qartë për qëndrimin jo vëllazëror dhe anti-kosovar të tij dhe qeverisë që ai udhëheq...", ka theksuar ai.

Ai thotë se është marrëzi e çmenduri që t'ia imponosh Kosovën një bashkim të dhunshëm si dhe heqje të kufijve të Kosovës me Serbinë gjenocidiale në kuadër të një “Mini-shengeni”, siç po punon Edi Rama, pa kërkuar falje Serbia për krimet që ka bërë.

"Ky ka qenë një “Nonsens” i paparë në raportet ndërshtetërore midis një populli të ndarë padrejtësisht siç është kombi shqiptar, ende i copëtuar në 5 shtete..!? T’ia imponosh pjesës tjetër të kombit, në këtë rast shtetit të pavarur të Kosovës, një bashkim të dhunshëm si dhe heqje të kufijve të Kosovës me Serbinë gjenocidiale në kuadër të një “Mini-shengeni”, siç ka tentuar dhe që ende po punon për një krijesë të tillë antishiptare, Edi Rama, duke insistuar se ky proces është në dobi të kombit shqiptar, pa i pranuar Serbia dëmet dhe reparacionet e luftës së fundit në Kosovë dhe pa kërkuar falje ndaj shqiptarëve, thënë më së buti, është marrëzi, çmenduri, jo njerëzi, aspak vëllazëri, etj., të cilën politikë Edi Rama e ka shndërruar në synim dhe qëllim të tij puro anti-kosovar, me premisa të qarta antikombëtare, poltroniste dhe diktatoriale ndaj Kosovës..!?" ka deklaruar analisti.

Tutje, Elezaj shton se Rama për sa vite gjendet në krye të Qeverisë, s'ka bërë asgjë, përpos që i ka mjelë qytetarët e Kosovës me taksë dhe inkasim të majmë të hollave gjatë pushimeve.

"Kështu që, bazuar në fakte dhe shënime të sakta se cilat ishin barrierat ekonomike që qeveria e E. Ramës ia ka vënë shtetit të Kosovës, ose thënë ndryshe, se cilat ishin të mirat që Kosovës ia ka ofruar kryeministri arrogant i Shqipërisë për 7 vite sa gjendet në krye të kësaj qeverie, përgjigja është barazi me Zero, gjegjësisht asgjë prej gjëje, përveç se kosovarët i ka mjelë çdo ditë me taksën rrugore prej 5 urove në hyrje dhe dalje nga Shqipëria, si dhe inkasim të majmë të hollave të kosovarëve gjatë pushimeve në bregdetin e Shqipërisë, që sikur të mos ishin pushuesit nga Kosova turizmi dhe ekonomia e saj këtë vit do falimentonte e tëra..", ka përfunduar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat