Weber paralajmëroi Kosovën për negociatat me Serbinë

Politika

Weber paralajmëroi Kosovën për negociatat me Serbinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 tetor 2020 Në ora: 21:59
Bodo Weber

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Uashington nuk ka ndaluar ende reagimet për atë që ka sjellë kjo marrëveshje për të dy vendet. Ajo se çfarë ende po vazhdon të diskutohet është heqja e pikës 10 të marrëveshjes në të cilën ka qenë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Së fundi në lidhje me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë ka komentuar edhe një nga analistët e rëndësishëm që merret me marrëdhëniet rajonale, Bodo weber, pjesëtar i Këshillit për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel, ka theksuar se negociatat mes Serbisë e Kosovës po ecnin jo keq në aspektin politik, duke vënë theks tek njohja e ndërsjelltë, por ata u prishën nga Richard Grenelli, i cili e ktheu procesin në pikën zero.

Weber vjen me këtë reagim për Grenellin pasi që sipas tij negociatat në Bruksel janë të cenuar nga Grenelli dhe kolegët e tij në administratën Trump për publicitet të 4 shtatorin në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se është e qartë për secilin që dëshiron ta shohë, ndonëse është e kuptueshme që nuk do të pranohet publikisht prej zyrtarëve të BE-së, se negociatat në Bruksel janë cenuar nga Grenelli dhe kolegët e tij në administratën Trump, përmes veprimeve të njëanshme dhe tërësisht egoiste që çuan te publiciteti i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë analisti i njohur.

Sipas tij, deri në janar të vitit të ardhshëm, kur administrata amerikane, varësisht prej zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, do ta lërë anash apo do t’i krijojë hapësirë BE-së, nuk mund të ketë rifillim të mirëfilltë të negociatave apo ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, të cilën BE-ja është duke e përgatitur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

Duhet theksuar që nga kjo marrëveshje Kosova nuk fitoi njohje nga Serbia siç është premtuar dhe liqeni i Ujmanit parashihet hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Voca: Serbia ka marrë hov dhe më shumë për të dobësuar pozitën negociuese të Kosovës

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Ëeber vetëm e ka sqaruar më shumë qasjen e Grenellit ndaj dialogut Kosovë dhe Serbi.

Image
Mirsad Voca

Voca thotë që pas atij ta quajmë “Zotimi apo Pajtimi” në Shtëpinë e Bardhë, Serbia vetëm sa ka marrë hov dhe më shumë për të dobësuar pozitën negociuese të Kosovës dhe faktorizimin e saj si Shtet të pavarur në Ballkanin perëndimor dhe më gjerë.

“Deklarata e Bodo Weber është thjesht një sqarim i qasjes të Z. Grenell ndaj dialogut Kosovë Serbi. Fatkeqësisht çështja e dialogut, jo vetëm që u përdor nga grupe të ndryshme interesi, mirëpo u personalizua nga madje disa individë të deleguar, qoftë vendorë apo ndërkombëtarë e në këtë rast edhe nga Z. Grenell. Duke mos u futur në analiza në atë se si është bërë publicitet në ShBA, për ç’gjë probabiliteti është shumë i lartë sepse atje do të kemi zgjedhje së shpejti, palët negociuese u orientuan doemos kah R. Grenell sepse ky i fundit donte me ngulm ashtu, duke anashkaluar kompleksitetin e çështjes dhe pa llogaritur efektet e mëtutjeshme në raportet Kosovë Serbi dhe pasojat vijuese në rajon. Pas atij ta quajmë “Zotimi apo Pajtimi” në Shtëpinë e Bardhë, Serbia vetëm sa ka marrë hov dhe më shumë për të dobësuar pozitën negociuese të Kosovës dhe faktorizimin e saj si Shtet të pavarur në Ballkanin perëndimor dhe më gjerë. Përvoja na e argumenton qartë, dhe sidomos me këtë përbërje politike në Serbi, e njëjtë me atë të viteve të 90-ta, se Serbia lëshon thjesht pe, vetëm kur detyrohet”, u shpreh Voca.

Më tej ligjëruesi nga Parisi thotë që Grenell kur tërhoqi nga pika që të ketë njohje të Kosovës na lë të kuptojmë që nuk ka negociata mes dy shteteve sepse në këtë rast Kosova nuk fitoi asgjë e as Serbia nuk pranoi e humbi asgjë.

“Me R. Grenell, u tërhoq po ashtu pika që obligonte palët për njohje të ndërsjelltë dhe e kjo vetëm sa e defavorizoi edhe më tej Kosovën në dialogun me Serbinë, sepse kjo lë të kuptohet se nuk po negociohet mes dy shteteve dhe në një rast të tillë natyrisht se Serbia nuk humb asgjë meqë ajo tashmë njihet si Shtet nga mbarë bota ndërsa Kosova jo, dhe si rrjedhojë, heqja e asaj pike e vë Kosovën në pozitë më shumë të një entiteti apo regjioni. Tani, nga një pozitë e tillë, do të jetë shumë më e vështirë që të kemi njohje të ndërsjelltë pa kompromise të dhimbshme në dëm të Kosovës. Do të kishim një mundësi tjetër ndoshta, po të kemi zgjedhje të reja në Kosovë dhe po të bëhej një Qeveri e dalë nga vota e Popullit e cila do të kishte legjitimitet parlamentar. Përndryshe, çfarëdo marrëveshje që rezulton nga qeveria aktuale e Kosovës në dialog me Serbinë, nuk do të ketë fare legjitimitet meqë nuk ka shumicën parlamentare, dhe për pasojë nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së Popullit të Kosovës”, shton Voca.

Tutje, profesori thotë që nuk do të duhet që me Serbinë të fliten çështjet tjera pa u njohur paraprakisht mes veti sepse kështu po i jepet hapësira Serbisë që të thelloj defaktorizimin e Kosovës dhe të u jep mundësi kërkesa të çmendura në këmbim të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

“Natyrisht, nuk do të duhej fare të flitej për asnjë çështje me Serbinë, pa u njohur paraprakisht nga kjo e fundit, sepse si do që ta quajmë këtë apo atë dialog, teknik apo ekonomik, me Serbinë, gjithnjë pikë së pari ai është politik dhe së dyti, të futemi në negociata që e zhveshin Kosovën nga mundësia e njohjes nga Serbia, vetëm sa e thellon defaktorizimin e Kosovës si Shtet i mvetësishëm dhe krijon edhe më shumë hapësirë për mosnjohje nga shtetet fqinje apo u jap atyre mundësi për të rritur kërkesa të çmendura në këmbim të njohjes së Kosovës si Shtet i pavarur”, përfundoi Voca.

Qarri: Negociatat në Bruksel janë cenuar nga Grenelli

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë që publikisht është e ditur që në pikën 10 ishte njohja e Kosovës nga shteti i Serbisë mirëpo që ajo u largua pa asnjë kundërshtim dhe përveç kësaj Serbia në këtë marrëveshje u bë hisedare në liqenin e Ujmanit nga i cili varet bujqësia por edhe energjia dhe një pjesë e madhe e ekonomisë së Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Siç dihet tanimë publikisht, nga përmbajtja e botuar në media të letrave të dërguara paraprakisht nga Presidenti amerikan, z. Donald Trump, në të dy letrat e tij, cekej marrëveshja përfundimtare me pranim të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Madje edhe në takimin e 4 shtatorit të mbajtur në Uashington, në pikën 10 të marrëveshjes së asaj date, ishte vendosur njohja reciproke, e cila me kërkesën e Serbisë dhe pajtimin e habitshëm dhe pa asnjë rezistencë qoftë edhe minimale, të delegacionit të Kosovës me në krye Avdullah Hotin, jo vetëm që u hoq pika e dhjetë e marrëveshjes por nga ana e delegacionit të Kosovës, pa asnjë kundërshtim u pranua që Serbia, të bëhej hisedarë edhe në Ujman, privilegj të cilin ajo nuk e kishte as gjatë kohës sa Kosova gjendej nën okupimin jugosllav. Për aq më tepër, Serbia as në insistimet e saj me procese të përsëritura gjyqësore, kurrë nuk ka arritur të garantonte hise në Liqenin artificial të Ujmanit, për vet faktin e njohur se edhe tokat në pjesën e shtrirjes së Liqenit nën Serbi,që në fillim të projektit, janë paguar shtrenjtë nga Kosova, e cila gjithë Liqenin e ka ndërtuar me kredi të marrë nga Banka Ndërkombëtare për Ndërtim dhe Zhvillim, vetëm për nevoja të veta. E nëse presidenti serb Aleksandër Vuçiq gjatë bisedimeve disavjeçare me Thaçin, të cilit në emër të vizitës së Veriut të Kosovës, iu lejua nga Thaçi & CO, të kalonte dy ditë dhe netë buzë Liqenit të Ujmanit, prej nga me lejen e Hashim Thaçit, kërcënonte publikisht se nuk do t`ua linte këtë liqe shqiptarëve, ai që në raundin e parë të bisedimeve me Abvdullah Hotin,përveç se arriti edhe zyrtarisht ta bënte Kosovën pjesë të „mini-Schengenit” serb, apo minijugosllavisë së Vuçiqit, ai e bëri Serbinë edhe hisedare të Ujmanit,këtij aseti tonë jetik ujor, nga i cili varet jo vetëm bujqësia por edhe energjia dhe një pjesë e madhe e ekonomisë së Kosovës”, u shpreh Qarri.

Më tej, Qarri thotë që fakti që njohësi I rëndësishëm gjerman Weber ka reaguar do të thotë që ai ka disa arsye të forta që negocitat mes Kosovës dhe Serbisë po ecin keq në aspektin politik.

“Kështu që njohësi i Ballkanit dhe njëri nga analistët e rëndësishëm gjerman që merret me marrëdhëniet rajonale, Bodo Ëeber, pjesëtar i Këshillit për Demokratizim, me seli në Berlin dhe Bruksel, duke qenë në rrjedhë të afërt të bisedimeve, i cili posedon informata të mirëfillta dhe të siguruara nga dora e parë, bazuar në to, ai duhet të ketë arsye të forta se negociatat mes Serbisë dhe Kosovës po ecnin jo keq në aspektin politik, duke vënë theks të veçantë tek njohja e ndërsjellë, që sipas informatave të tij, ato u prishën pikërisht nga Richard Grenelli, i cili e ktheu procesin e bisedimeve në pikën zero. Madje, për aq më keq, po në raundin e parë të bisedimeve me palën e Kosovës në Uashington, Vuçiq duke përfituar nga dobësitë e delegacionit tërësisht amator e të çakorduar dhe krejt të papërvojë të Kosovës, përveç bërjes së Serbisë bashkëpronare të Ujmanit, përvetësoi edhe selinë e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar, e cila në vend se të vendosej në Prishtinë, u mor vendim që të vendosej në Beograd, ndaj deklarata e analistit Bodo Weber drejtuar Grenelli-t, se negociatat në Bruksel janë cenuar nga Grenelli dhe kolegët e tij në administratën Trump, përmes veprimeve të njëanshme dhe tërësisht egoiste që çuan te publiciteti i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, sa i takon çështjes së njohjes dhe përfundimit të marrëveshjes finale me Serbinë, Kosova njëmend përjetoi fiasko të vërtetë, fakt që bënë citatet e z.Bodo Weber të jenë plotësisht të sakta”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat