Pas ‘muajit të mjaltit’ me Uashingtonin: A po ia kthen Rusia shpinën Vuçiqit?

Politika

Pas ‘muajit të mjaltit’ me Uashingtonin: A po ia kthen Rusia shpinën Vuçiqit?

Nga: D.G. Më: 16 tetor 2020 Në ora: 13:55
Aleksandar Vuçiq e Vladimir Putin

Lidhur me shkrimet se Vladimir Putin e ka anuluar vizitën në Serbi, siç kishte paralajmëruar kryetari serb Aleksandar Vuçiq se do të ndodhë këtë muaj, dhe hamendësimet se a do të thotë kjo se kryetari i Rusisë po ia kthen shpinën Vuçiqit, gazeta "Danas", duke u mbështetur në burime diplomatike, shkruan se rusëve nuk u ka pëlqyer afrimi i këtij të fundit me ShBA-në.

"Rusët sigurisht nuk e pëlqejnë afrimin e fundit të Serbisë me pozicionet e Shteteve të Bashkuara në fushën e politikës së jashtme, gjë që ishte veçanërisht e dukshme gjatë nënshkrimit të fundit të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë mbi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës", i kanë thënë gazetës burime nga qarqet diplomatike.

Si konfirmim të kësaj teze, gazeta citon edhe tekstin e fundit të gazetës ruse "Vzgljad"(Pamje), e afërt me Kremlinin, në të cilin shkruhet në mënyrë shumë kritike ndaj Vuçiqit dhe "uljes së tij në dy karrige", ndërsa negativisht vlerësohet edhe mandatarja për përbërjen e qeverisë së re serbe dhe kryeministrja e deritashme Ana Bërnabiq.

Në artikull, ndër të tjera, thuhet se biografia e Ana Bërnabiqit "zbulon produktin e inkubatorit perëndimor".

"Fituesit e Luftës së ftohtë u kujdesën për arsimimin e elitave besnike për vendet ish-socialiste. Çështja nuk është se ajo mori arsimin e saj në Amerikë dhe Britaninë e Madhe dhe më pas punoi në atdheun e saj përmes programeve speciale të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Gjithçka është shumë më e komplikuar: midis punëve të saj është Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (një nga instrumentet e ndikimit të Departamentit të Shtetit), aktivitetet e të cilës në Rusi u mbyllën në 2012. Ajo ishte gjithashtu anëtare e të ashtuquajturit Komisioni Trilateral, think-t-ankut të themeluar ndërkombëtar, kryetar u të cilit ishteRockefelleri", ka shkruar gazeta ruse.

Igor Novakoviq, drejtor i hulumtimit në fondin ISAC, vlerëson për "Danas"-in se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë janë ftohur në një masë të madhe, gjë që ishte e dukshme në trajtimin mediatik të ndihmës ruse gjatë pandemisë.

- Ka keqkuptime të caktuara, të cilat mund të shkaktohen nga fakti që ndikimi rus përgjithësisht është dobësuar në Ballkanin Perëndimor. Afrimi i fundit midis SHBA-së dhe Serbisë, kryesisht në kontekstin e diversifikimit të burimeve të energjisë, sigurisht që e shqetëson Rusinë, por vetë diversifikimi është diçka që edhe BE-ja e kërkon nga Serbia - kryesisht në lidhje me ndërtimin e një ndërlidhësi gazi me Bullgarinë. Pra, kjo është diçka që patjetër do të ndodhë, dhe në parim është kundër interesave ruse, por gjithsesi se nuk mund të parandalohet. Mirëpo, nuk mendoj se mbështetja e Rusisë në OKB do të ndalet, pasi Rusia jo vetëm që mbron interesat e Serbisë, por edhe interesat e saj afatgjata. Gjithashtu, nuk mendoj se Serbia papritmas do të kapërcejë Rubikonin në lidhje me deklaratat dhe masat kufizuese të BE-së ndaj Rusisë, sigurisht jo në këtë moment, pasi zgjidhja për Kosovën nuk është ende e sigurt, beson Novakoviq.

Borko Stefanoviq, nënkryetar i Partisë së irisë dhe drejtësisë dhe ish-zyrtar i Ministrisë serbe të punëve të jashtme, beson se marrëdhëniet serbo-ruse "nuk do të prishen nga hipokrizia e autoriteteve serbe, përkundër qëllimit tonë strategjik që është anëtarësimi në BE."

- Ne duhet të zhvillojmë marrëdhënie me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, por ne jemi Evropa dhe kjo duhet të jetë fokusi i aktiviteteve tona dhe qëllimi kryesor. Rusia do të përfaqësojë interesat e saj në Këshillin e Sigurimit të KB, si më parë. Sanksionet janë sigurisht diçka që ne në Serbi i mbajmë mend për të keq dhe unë nuk besoj në atë masë kudo qoftë. Besoj se Serbia do të vazhdojë me atë politikë të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Sigurisht që nuk i kushton asgjë qeverisë sonë sepse edhe ashtu ajo nuk dëshiron që ne të hyjmë në BE, pasi që nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk kanë hapur asnjë kapitull", thekson Stefanoviq.

"Danas" shkëput edhe këtë pjesë nga artikulli i gazetës moskovite:

-Beogradi dhe Uashingtoni janë tani "në muajin e tyre të mjaltit". "Kjo ndodh për shkak të faktit se Trumpi, nga zemërgjerësia elektorale, ua imponoi serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës marrëveshjen që ishte e dobishme vetëm për serbët: ai po e rrokullis situatën në krahinë për një vit e gjysmë dhe heq përkohësisht disa çështje të dhimbshme për Serbinë. Por duhet të jesh shumë optimist ose të mos i njohësh fare shqiptarët e Kosovës për të besuar se kjo dhuratë e papritur nga Shtetet e Bashkuara do të vlejë në çdo kohë. "Më shumë gjasa, situata në rajon së shpejti do të kthehet në normale - në një krizë kronike," mendon gazeta ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat