Shkarkimet e fundit, vjen mbështetja për Hotin: Kryeministri nuk do të ndalet, nevojë e Kosovës dhe kërkesë e partnerëve strategjik

Politika

Shkarkimet e fundit, vjen mbështetja për Hotin: Kryeministri nuk do të ndalet, nevojë e Kosovës dhe kërkesë e partnerëve strategjik

Nga: N. H Më: 16 tetor 2020 Në ora: 22:10
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, foto ilustrim nga gazeta “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, dhe në vend të tij ka emëruar Samedin Mehmetin. Përveç Qalajt, Hoti kështu ka vepruar edhe me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhakën. Në vend të tij e ka emëruar Bajram Rexhën.

Shefi i qeverisë njëjtë ka bërë edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezain. Në vend të këtij të fundit, e ka emëruar Ekrem Hysenajn.

Analisti e njohësi i çështjeve politike në vend, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendimet e kryeministrit Hotit, janë imediate dhe krejtësisht kushtetuese.

Bajraj shkarkimet e fundit nga shefi i Qeverisë së Kosovës, i quan si të guximshme, dhe obligim kushtetues i kryeministrit në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore.

Image
Fatmir Bajraj

“Këputja e rrënjëve të krimit, përplasë detyrimisht për tokë, edhe “nëmen” e krimit e cila ka kapluar gjithë piramidën shtetërore, duke vrarë edhe shpresën e qytetarëve të vendit për një të ardhme të dinjitetshme dhe të ndritshme. Vendimet për lirimin e tre zyrtarëve, bazuar në vlerësimet dhe rekomandimet autoritative të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, siç është rasti me Ministrinë e Financave në rastin me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, zotërinjtë; Ilir Murtezaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganës, Ibrahim Xhaka, si dhe shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, për shkak të raportit të përformancës së dobët, është jo vetëm një akt i guximshëm i kryeministrit Hoti, por është edhe obligim kushtetues i kryeministrit në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të vartësve në institucione”, shprehet analisti Bajraj.

Edhe pse opozita e quajti si vendime politik, analisti Bajraj nuk mendon kështu. Ai konsideron se vendimi i kryeministrit Hoti është jopolitik, i bërë sipas tij në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si nevojë dhe kërkesë kjo edhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe në veçanti e institucioneve të BE-së, të cilat kushtëzojnë liberalizimin e vizave për qytetaret e Kosovës.

“Për shkak se krimi dhe korrupsioni, nuk është luftuar nga pararendësit, përkundrazi. Kapja e shtetit nga ana e grupimeve “politike”, kryesisht nga “partitë e dala nga lufta”, që nga paslufta e këndej, ka dëmtuar rënd imazhin e shtetit, interesin e qytetarëve të vendit dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të ri dhe të brishtë të Republikës së Kosovës, për çfarë, përballja e Qeverisë Hoti me këto fenomene negative, është e domosdoshme dhe e pa kompromis. Kjo luftë kundër krimit të organizuar, nuk është e drejtuar kundër institucioneve të vendit dhe as kundër subjekteve politike, përkundrazi; është e drejtuar kundër individëve të inkriminuar dhe bosëve të krimit të cilët kanë ngulfat frymarrjen e shtetit dhe rrugëtimin drejt integrimeve si vend serioz dhe kredibil”, deklaroi Bajraj.

Mes të tjerave Bajraj potencon se lufta kundër krimit dhe korrupsionit është kauzë politike e LDK-së, dhe e kryeministrit Hoti, si nevojë e Republikës së Kosovës dhe kërkesë edhe e partnerëve strategjik.

“Kryeministri Hoti, nuk do të ndalet në këtë “luftë” imediate kundër krimit dhe në interes të shtetit të Kosovës, pavarësisht çmimit dhe konsekuencave politike për vendime të cilat nuk janë popullore dhe do të keqpërdorën nga opozita dhe oponenca në pozitë e në opozitë. Oponentët dhe kundërshtarët politik të Kryeministrit Hoti, të LDK-së dhe të Kosovës, vendime të tilla të Kryeministrit, do t'i quajnë si politike, hakmarrëse dhe “lojë e gjuajtjes së shtrigave”, duke u mbështet edhe nga media sorosiane dhe të lidhura me krimin, por në heshtje kë to vendime, do të mbështeten nga qytetarët shumicë të Republikës së Kosovës, ngase janë veprime dhe vendime të shëndetshme për vendin dhe shoqërinë tonë”, tha ai.

Krejt në fund, analisti Bajraj thekson se kundërshtarët e vendimeve të tilla, janë mbështetës të krimit dhe kriminelëve, dhe detyrimisht, sipas tij, janë edhe kundër interesit të vendit, por të cilëve po u vije fundi nga qeverisja e përgjegjshme dhe e guximshme e kryeministrit Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat