“Refuzoi UÇK-në, bashkëpunoi me drejtorin e burgut…”, zbardhen arsyet pse Thaçi po e sulmon Kurtin

Politika

“Refuzoi UÇK-në, bashkëpunoi me drejtorin e burgut…”, zbardhen arsyet pse Thaçi po e sulmon Kurtin

Nga: P.R Më: 17 tetor 2020 Në ora: 19:49
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pothuajse në çdo intervistë të tij nuk e lë pa hedhur akuza të rënda ndaj liderit të Vetëvendosjes, ish kryeministrit, Albin Kurti.

Së fundi, Thaçi ka thënë se Kurtit do t’i publikohet veprimtaria kundër UÇK-së, duke akuzuar se ka pranuar bashkëpunimin me drejtorin e burgut gjatë kohës sa ka qenë i burgosur në Serbi.

“Nuk merrem me këso lajthitje të zotit Kurti. Më vjen keq që ai nuk ka shokë të burgut prandaj nuk ka çfarë të japë e të marrë, pasi nuk ka qenë pjesë e rezistencës as për liri e as për pavarësi. Ai u është dorëzuar autoriteteve të Serbisë dhe ka refuzuar të jetë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi është dorëzuar ka pranuar bashkëpunimin me drejtorin e burgut. Nga momenti i dorëzimit te autoritetet e burgut dhe organizimi i intervistës për të në burg kur të tjerët i sakatonin dhe i mbysnin me dhunë siç ka ndodhur me shokët tanë në Dubravë dhe gjithandej Serbisë, Kurti është i njëjti në shërbim të së keqes. Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre. Do të vije koha që ta shpalosim rolin e tij destruktiv anti-UÇK. Gjërat që i thotë ai përsërit Vuçiq , Daciq dhe Drecun. Madje e ka tejkaluar edhe kryeprokurorin e Serbisë”, tha Presindeti Thaçi.

Por pse e bën një gjë të tillë Thaçi në pothuajse çdo intervistë të tij?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti. Sipas tij, Thaçi ndjen urrejtje patologjikë ndaj liderit të VV-së.

Image
Faton Mehmeti

“Thaçi gjithmonë e sulmon kundërshtarin më të fortë, të dobëtit i ledhaton, i merr me të mirë duke i shndërruar në servilë të tij. Mirëpo, këtë gjë s’ka mundur ta bëj me Albinin, për të cilin ndjen urrejtje patologjike”, thotë Mehmeti.

Ai shton se Hashim Thaçit i ka ardhur fundi politik, andaj po e sulmon Albin Kurtin.

“Tanimë Thaçi po e di se fundi i karrierës së tij politike vetëm se është punë e kryer, ndërkohë që Albini i takon të ardhmes, me ketë rast po mundohet të thotë çfarë i bie në vend që mos të ketë pasues Albin Kurtin në pozitat shtetërore. Nuk i takon një presidenti, mirëpo Thaçi nuk është president i denjë, që të merret me një lider të opozitës. Tanimë Hashim Thaçit i ka shqelmat e fundit, po mundohet të baltos këdo që nuk pajtohet me të, në rend të parë rendit Albin, pastaj Vjosën dhe këdo që e ka luftuar në vazhdimësi qasjen e presidentit aktual”, shprehet më tej analisti Mehmeti.

Për fund, ai thotë se Thaçi nuk ka qenë asnjëherë i denjë për president të Kosovës.

“Vet fakti që një president merret tëre kohën me një lider të opozitës, tregon mjaft qartë se nuk kemi një president normal, në kuptimin e ardhjes së tij në këtë pozitë. Thaçi nuk është i denjë për president, andaj merret me veprim të tilla. Në anën tjetër Thaçi po mundohet të baltos kundërshtarin e tij më të madh dhe të PDK-së, e cila nuk vjen në pushtet me VV në rritje, dhe kjo i pengon Hashim Thaçit, njeriut që po bën shqelmat e fundit të karrierës së tij politike”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat