Pse europianët duan Joe Biden president të SHBA-ve?

Politika

Pse europianët duan Joe Biden president të SHBA-ve?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 19 tetor 2020 Në ora: 19:51
Joe Biden

Më tërhoqi vëmendjen një sondazh i publikuar nga ambasadori Richard Grenell rreth asaj se çfarë mendojnë europianët për kandidatët për presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave që ia jep në Twitter-un e tij, 83% të qytetarëve të Bashkimit Evropian do të votonin për kandidatin demokrat, Joe Biden, ndërsa 17% do të votonin për kandidatin republikan, Donald Trump. Sigurisht që Grennel shpreh pakënaqësi për këtë diferencë kaq të thellë të sondazheve të Europës në preferencat e tyre për kandidatët Trump dhe Biden. Dhe, si shumica dërmuese e politikanëve, edhe ambasadori Grenell nuk dëshiron të shohë arsyet e vërteta të kësaj pakënaqësie europiane ndaj presidentit aktual, Trump. Ai kërkon që për këtë të fajësojë Europën, njësoj si Edi Rama që për të gjitha dështimet e tij fajëson nga Saliu e deri te Macron-ni, përveç Aleksandër Vuçiç-in.

Por në fakt çfarë ka ndodhur në këto katër vite në marrëdhëniet midis administratës Trump dhe Bashkimit Europian? Në 75 vite pas Luftës së Dytë Botërore asnjëherë nuk kanë shkuar këto marrëdhënie në buzë të greminës si sot. Shkaku është konflikti midis dy aktorëve kryesorë të politikës dhe diplomacisë botërore dhe në këtë konflikt nuk ka thjesht fajtorë e të pafajshëm. Nëse vendet anëtare të NATO-s kanë abuzuar me detyrimet financiare ndaj Aleancës, kjo vërejtje e Donald Trump ishte jo vetëm e përligjur, por edhe e motivuar. Nëse Donald Trump mendoi që në fillim të mandatit të parë të tij se në marrëdhëniet tregtare të SHBA-ve me Bashkimin Europian ka padrejtësi ndaj Amerikës, edhe kjo dukej deri diku e justifikuar!

Por zoti Trump dhe administrata e tij nuk deshën të uleshin e të bisedonin që me mirëkuptim të zgjidheshin këto çeshtje. Madje nuk u ndalën vetëm në këto dy aspekte. Vetë ambasadori Grenell u soll me gjermanët si guvernator amerikan në Berlin e jo si diplomat me angazhimin për të rritur bashkëpunimin midis dy vendeve. Ai është kritikuar ashpër nga europianët se "mbështet forcat ekstremiste të djathta në Europë, me qëllim asgjësimin e Bashkimit Europian". Presidenti Trump ka shfaqur në mënyrë të pazakontë entusiazëm të madh për Brexit-n. Ndërkohë që Uashingtoni nxiti fuqishëm disa vende anëtare të BE-së që të shkonin kundër frymës demokratike e liberale të saj.

E gjithë kjo shfaqje, si dhe inidferentizmi i administratës amerikane ndaj veprimtarisë përçarëse të Vladimir Putin, krijuan përceptimin se presidenti Trump është i përkushtuar gjithashtu për shkatërrimin e godinës europiane të ndërtuar me aq mund pas Luftës së Dytë Botërore. Por jo vetëm kaq. Sjelljet e zotit Trump përballë zonjës Merkel dhe përbuzja në disa raste ndaj disa udhëhqësve tjerë të BE-së, dha mesazhin te europianët se ai dhe administrata e tij nuk kanë më në përparësi partneritetin me Europën, një politikë kjo tradicionale e SHBA-ve, së paku që nga koha e Wilson.

Në këto katër vite Shtëpia e Bardhë nuk dha asnjë kontribut të qenësishëm për forcimin e NATO-s, e cila mbahet si themeli i aleancës së fuqishme transatlantike. Mënyra se si Trump e trajtoi Aleancën e Atlantikut krijoi një hendek midis të dy këtyre aktorëve, aq sa disa europianë që nuk e kanë me dëshirë praninë e saj në kontinent, u shprehën se "NATO është inekzistente"! Ndër ta ishte gjithashtu presidenti i Francës Emmanuel Macron. Dhe përsëri në këtë kuadër bashkëpunimi, një sinjal të keq dha vendimi i presidentit Trump për tërheqjen e 12 mijë trupave ushtarake amerikane nga Gjermania.

Dhe së fundmi, europianët nuk e pranojnë arrogancën e askujt, aq më pak ndërhyrjen e huaj, qoftë kjo amerikane, në çeshtjet e brendshme të tyre. Edhe nëse kanë ndodhur disa episode të tilla, ato krijuan automatikisht pabesueshmëri midis palëve. Aq më tepër, kur të gjitha këto qëndrime shkojnë në favor të politikave përçarëse të Rusisë në Europë. Ballkani është një prej shembujve konkretë, ku favorizohet prezenca ruse. Tentativa serbe që ta zgjidhte konfliktin me Kosovën me ndërmjetësimin e administratës së Trump përmes shkëmbimit të territoreve është dukshëm një taktikë jo vetëm anti-shqiptare, por edhe anti-europiane që çon në destabilitet rajonin. Fitorja e forcave ekstremiste proruse e proserbe në Mal të Zi është gjithashtu një sinjal, i cili çon në plotësimin e apetiteve ruse në rajon. Dhe këto nuk do të mund të ndodhnin pa indiferencën amerikane të administratës Trump. Çdo prani e Kremlinit në gadishullin ballkanik është goditje për Europën dhe jo aq për SHBA-të.

Të gjitha këto kanë ndikuar që në publikun europian të rritet pasiguria dhe të shtohet amerikanofobia. E kam të pamundur të kuptoj se cili është ose cili do të ishte interesi amerikan në këtë rast! Amerika dhe Europa së bashku kanë mundur gjithnjë të imponojnë rregulla loje ndërkombëtare të pakontestueshme, ndërsa në katër vitet që shkuan bota pa se konflikti midis tyre e vështirëson aplikimin e të drejtës ndërkombëtare.

Në këto kushte askush nuk ka pse shpreh habi ose pakënaqësi për preferencën europiane ndaj Joe Biden. Por presidentin amerikan nuk e zgjedhin europianët. Më shumë mund të ndikojë ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane sesa ajo europiane. Preferencat nuk janë ndërhyrje në këtë fushatë. Për to duhen bërë analiza dhe jo thjesht fajësime. Vetëm kësisoj Amerika mund të kthehet te postulati i Geog H. W Bush, sipas të cilit, "Amerika nuk është kurrë vetvetja nëse nuk angazhohet në parime të larta morale. Ne si popull e kemi një qëllim të tillë; të bëjmë më të butë fytyrën e kombit dhe më të paqtë fytyrën e botës."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat