Vjen paralajmërimi: Qëndrimi absurd dhe i njëanshëm i Lajçak, do ta bllokojë dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Vjen paralajmërimi: Qëndrimi absurd dhe i njëanshëm i Lajçak, do ta bllokojë dialogun Kosovë-Serbi

Nga: G.B Më: 20 tetor 2020 Në ora: 21:03
Miroslav Lajçak

 Nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë, pa e formuar Kosova Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kështu ka deklaruar së fundmi përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaratë që bëri bujë.

Por, ai nuk u ndal me kaq. Lajçak madje tha se duhet ndërruar Kushtetuta e Kosovës, pasi nuk është Bibël dhe derisa Asociacioni është nënshkruar, duhet të formohet.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo çështje është e mbyllur dhe Kosovës po i bëhet e padrejtë nga ana e Lajçak.

“Deklarata e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, se “nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare pa formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe”, siç dihet me të drejtë ka hasur në reagime të ashpra në Kosovë, me vet faktin ngase kjo çështje për palën kosovare dhe qeverinë tonë është një temë e mbyllur. Vetë marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në vitin 2015 me Serbinë për formimin e asociacionit për komunat serbe, sipas Kushtetutës së Kosovës në 23 nene ka pasur shkelje drastike të saj, prandaj si e tillë edhe është refuzuar zbatimi i saj nga ana e qeverive të Kosovës. Kosovës, jo vetëm që po i bëhet e padrejtë nga ana e ndërmjetësuesit të BE-së, z. M. Lajçak, i cili me çdo kusht po insiston që marrëveshja e vitit 2015 të zbatohet ashtu siç shkruan në të, pra që të formohet asociacioni i komunave serbe, vendit tonë po i bëhet presin i hapur diplomatik, madje duke kërkuar nga organet shtetërore të Kosovës që ta ndryshojnë edhe Kushtetutën e vendit, pra që kërkesa e Beogradit zyrtar të plotësohet me çdo kusht..!?”, është shprehur ai.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas Elezajt, qëndrimi i Lajçak është absurd dhe i njëanshëm, andaj do ta fus në bllokadë të plotë dialogun.

“Ky qëndrim absurd dhe shumë i njëanshëm i z. Lajçak pro-kërkesave të Beogradit zyrtar, se nuk do ketë marrëveshje finale pa zbatimin e këtij kushti, pra formimin e “Zajdenicës” serbe në Kosovë, jam shumë i sigurt se dialogun Kosovë-Serbi ka për ta futur në bllokadë të plotë, sepse marrja anë e z. Lajçak pro interesave të Serbisë në një dialog si ky i cili po ndodhë qe 7 vite midis dy popujve të armiqësuar me shekuj, përveç se do e dëmton imazhin e BE-së si dhe përpjekjet e saj për arritjen e një marrëveshjeje historike midis dy popujve, tash edhe midis dy shteteve të pavarura, pra arritja e stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkanin perëndimor do jetë proces i papërfunduar, i cili mund të shpërthejë në çdo kohë. Pra, është e sigurt se pa normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk do ketë integrim të këtij rajoni në BE, as forcim dhe zbatim të procesit ekonomik të Berlinit, por as të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump”, ka vlerësuar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Më tej, ai shton se Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën, pasi e ka ende Kosovën si pjesë të saj.

“Pra, sjelljet dhe deklarata e z. M. Lajçak me qëndrimet e tij kaq të ashpra ndaj zyrtarëve të Kosovës, për fat ka hasur në reagim të vetë zyrtareve të BE-së të cilët sot deklaruan, se nëse Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj, ashtu siç ka kërkuar i dërguari i saj në këtë dialog, z. Lajçak, atëherë edhe Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj, sepse siç dihet Kosova ende figuron në të si pjesë e Serbisë”, ka theksuar ai.

Sipas Elezajt, qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta respektojnë në tërësi vendimin e Gjykatës kushtetuese të Kosovës, me të cilin nuk lejohet formimi i asociacionit për komunat me shumicë serbe, pasi ky do të jetë gabimi më i madh i Kosovës.

“Kështu që, pa marrë parasysh deklaratat dhe kërkesën e z. Lajçak, qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta respektojnë në tërësi vendimin e Gjykatës kushtetuese të Kosovës, me të cilin nuk lejohet formimi i asociacionit për komunat me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive jo se jo, por as ai si një OJQ, ngase ky do të jetë gabimi më i madh i Kosovës po qese pranon formimin e asociacionit në fjalë, përmes të cilit Serbia gjithmonë do ta shtrinë ndikimin e saj hegjemonist ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, me qëllim ogurzi që shtetin e Kosovës ta bënë sa më jofunksional nga brenda si dhe në arenën ndërkombëtare...”, ka deklaruar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat