Mirëpritet deklarata e Joe Biden për Kosovën

Politika

Mirëpritet deklarata e Joe Biden për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 tetor 2020 Në ora: 18:27
Joe Biden

Ditë më parë kandidati për president të SHBA-ve nga radhët e demokratëve, Joe Biden, përmes komitetit shqiptaro-amerikan ka dërguar një letër ku iu drejtohet shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri.

Në këtë letër të dërguar nga komiteti shqiptaro-amerikan, thuhet se Bideni do të mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë, dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit. Këtu, përmenden edhe vëllezërit Bytyqi.

Bideni, në këtë deklaratë, ndër të tjera thotë se duhet të anulohet qasja e Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratën e Bidenit.

Në lidhje me zgjedhjet në Amerikë përmes një video-mesazhi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një adresimi publik, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Amerikës, që ta votojnë Joe Biden, për kryetar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Këtë video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij zyrtare. Ai ka renditur arsyet pse duhet të votohet Joe Biden për kryetar të Amerikës.

Kjo thirrje e Kurtit ngjalli reagime duke mos e parë të arsyeshme, mirëpo ndryshe mendojn njohësit e çështjeve politike të cilët për “Bota sot”, u shprehen që kjo thirrje nuk mund ta dëmtoj imazhin e vendit sepse është një thirrje nga një politikan i opozitës.

Bytyçi: Deklarata e Biden është njëkohësisht refuzim i votës së serbo-amerikanëve

Profesori universitar Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Biden nuk është shqetësuese përkundrazi ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në Kosovë.

Profesori krahason veprimet e Biden dhe Trump mes veti duke u shprehur që Trump me marrëveshjen e 4 shtatorit u mundua të krijoj imazh pozitiv tek shqiptarët dhe të serbët në SHBA ndërsa Biden me deklaratën e tij tregoi qartë që pavarësia e Kosovës është e pathyeshme, pra veprimet e Trump nxitën edhe Biden të marrë një pozicionim për çështjen e Kosovës.

Image
Profesori universitar Enver Bytyçi

“Joe Biden ka adresuar te shqiptarët çështjen më thelbësore, për të cilën ne jemi të shqetësuar, mosbesues dhe jo të qetë. Është fjala për ruajtjen dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në prejt territorin e saj. Është fjala për të ardhmen e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës dhe jo thjesht për një çeshtje krejt anësore e pa ndikim në jetën e tyre. Prandaj ne jemi sensibël për të ditur se çfarë mendojnë dy kandidatët për president në SHBA. Presidenti Trump u përpoq që me marrëveshjen e 4 shtatorit të krijojë imazh pozitiv si te shqiptarët dhe te serbët në SHBA. Pra ai tentoi që të dy palët, serbë dhe shqiptarë ta votojnë me 3 nëntor. Do të ishte naive të mendojë se presidentin që duan serbët ta duan shqiptarët dhe anasjelltas presidentin që duan shqiptarët ta duan serbët. Kush e njeh historinë tragjike të shqiptarëve për shkak të krimeve dhe msakrave serbe, kurrë nuk e çon ndërmend se këto dy etni do të bëhen bashkë të votojnë të njëjtin kandidat për president në SHBA. Por zoti Trump nxiti kundërshtarin e tij Joe Biden që të pozicionohet qartë në çeshtjen e Kosovës kur në letrën e tij për komunitsetin shqiptar theksoi se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, u shpreh Bytyçi.

Thirrja e Kurtit për votimin e Biden nuk e dëmton imazhin e vendit

Profesori tutje është shprehur që deklarata e Biden nuk ka manipulim mirëpo sinqeritet ndërsa Trump, duke dashur t'i fitojë të dy palët, nuk është i sinqertë ose është më pak i sinqertë sesa Biden. Sepse krijon evazitet, u jep ngapak të dy palëve dhe për ato vota arrin deri atje sa konfliktin shqiptaro-serb.

“Deklarata e Biden është njëkohësisht refuzim i votës së serbo-amerikanëve, sepse ai dhe stafi i tij e dinë tashmë se nëse kandidati për president pozicionohet rreth çeshtjes, fiton njërën palë dhe humb palën tjetër. Cila është më e ndershme? Mendoj se kjo që bën Biden. Këtu ka sinqeritet dhe jo manipulim. Biden duket se merr përsipër humbjen e disa qindra ose mijëra votave, për të fituar votat e shqiptarëve, të cilat shkojnë ndodhta pak më shumë se ato të serbëve. Por nuk tenton dhe nuk dëshiron që të dy palët t'I ketë votues. Trump, duke dashur t'i fitojë të dy palët, nuk është i sinqertë ose është më pak i sinqertë sesa Biden. Sepse krijon evazitet, u jep ngapak të dy palëve dhe për ato vota arrin deri atje sa konfliktin shqiptaro-serb ta konsiderojë si konflikt me barazpeshë midis palëve. Barazpesha favorizon mizorët dhe dëshpron viktimat. Pra favorizon serbët dhe dëshpron shqiptarët. Ky është rregull dhe nuk mund të jetë ndryshe, sado trukime që të bëhen”, thotë profesori.

Në fund, Bytyçi shprehët që deklarata e Kurtit nuk mund të krijojë debalancim mes shiqptarëve në Amerikë dhe se qëllimi i mesazhit të Kurtit më shumë ka qenë që të tregoj se nuk është anti-amerikan.

Duke vazhduar profesori thotë që nëse Kurti do të ishte kryeministër atëhere kjo thirrje do të ishte e gabuar por një politikan nga opozita nuk e dëmton imazhin e vendit.

“Tani le të vijmë te deklarata e zotit Kurti, përmes së cilës ai i bën thirrje komunitetit shqiptar në SHBA që të votojë për kandidatin demokrat, Joe Biden. Personalisht mendoj se kjo deklaratë ishte e panevojshme. Shqiptarët në Amerikë nuk ndikohen nga askush për të votuar njërin nga kandidatët. Vija e demarkacionit për ta është qëndrimi ndaj Kosovës sot e nuk e di se çfarë nesër. Ata kanë investuar më shumë se kushdo tjetër ndër shqiptarët në botë për Kosovën e pavarur. Ata e dinë se konsolidimi I pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është kusht I votës së tyre. Nëse Trump i dëshiron votat e shqiptarëve në Amerikë, do të duhet të bëjë një deklaratë më të fuqishme pro-Kosovës sesa Biden. Prandaj zoti Kurti nuk besoj se ndikon me atë deklaratë-thirrje. Mendoj se thirrja e zotit Kurti ka më shumë kuptimin që të japë mesazhin se ai nuk është anti-amerikan. Sepse të jesh kundër një pjese (presidentit Trump) dhe pro pjesës tjetër (kandidatit Biden) nuk do të thotë se je anti-amerikan. Përkundrazi, do të thotë se në raportet me Amerikën kë të njëjtin pozicion si edhe qytetarët e saj. Në parim është e gabuar që politikanët shqiptarë të Ballkanit të marrin anë, siç mori ekstremisht anë Edi Rama kundër Trump në fushatën e vitit 2016. Megjithatë një politikan në opozitë nuk e dëmton imazhin e vendit edhe nëse merr anë. Nëse Kurti do ishte kryeministër dhe do të bënte thirrje të njëanshme për zgjedhjet aktuale në SHBA, atëherë kjo do të ishte jo vetëm e papranueshme, por edhe e qortueshme”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Qarri: Adresimi më i ri i Biden drejtuar shqiptarëve, është lajmi më i mirë për ne si popull

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që Biden ka qenë dhe mbetët njëri mbështetësit e shtetit të Kosovës.

Qarri tregon që nga koha kur Biden ka qenë senator i Amerikes deri tash ka mbështetur me të gjitha mundësitë Kosovën dhe Shqipërinë, me vizitat e tij dhe me letra dëruar përmes komitetit shqiptaro-amerikano.

Ndërsa Trump së bashku me Grenell në marrëveshjen e 4 shtatorit dëmtuan Kosovën me pikat siç janë “Mini-shengeni”, ta bëjë Serbinë hisedarë në Ujman duke mos e trajtuar të barabartë me shtetin e Serbisë.

Image
Gani Qarri

“Me ardhjen e Joe Biden-it, President në SHBA, mikut dhe mbështetësit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, falë marrëdhënieve të mira që ai ka me vendet e BE-së, edhe liberalizimi i vizave për Kosovën dhe rrugëtimi i saj drejtë integrimit evropian, do të jetë më i lehtë, apo ndoshta edhe plotësisht i sigurt, përfshi këtu edhe integrimin në NATO, që do të ishte shkalla më e lartë e sigurisë për rrumbullakimin e plotë të shtetndërtimit dhe garanci e 100% për mbrojtjen e shtetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Pra siç dihet tashmë publikisht nga të gjithë bashkëkombësit, duhet theksuar edhe njëherë, se kandidati për president të SHBA-ve nga radhët e demokratëve, Joe Biden,jo vetëm tani në kohë të fushatës zgjedhore që ka dërguar një letër përmes komitetit shqiptaro-amerikan me të cilën u ofron mbështetjen e tij të pa rezervë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri e kudo që ata jetojnë, por ai në të gjitha kohët dhe pozitat politike që mbante, edhe kur ishte ende senator deri në vitin 2009,e ka përkrah me gjithë zemër dhe ka mbështetur me të gjitha mundësit Kosovën, pavarësinë tonë dhe gjithë popullin shqiptar. Ndërsa vizitat e tij,të bëra në Kosovë, datojnë qysh në mesin e viteve të 70-ta, interesim i cili, siç dëshmon ai vet edhe sot, nuk është zvogëluar kurrë dhe vetëm sa është rritur e zgjeruar ndër vite për shqiptarët. Ndaj dhe adresimi më i ri i z. Joe Biden drejtuar shqiptarëve, është lajmi më i mirë për ne si popull dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e Kosovës, sidomos në situatën e rëndë e gati të pa rrugëdalje në të cilën është katandisur ajo, tash e mese 10 vite në bisedime me Serbinë, ku shteti ynë, asnjëherë nuk është trajtuar si shtet i barabartë, jo vetëm nga Serbia por as nga shumica e shteteve evropiane e me gjasë, as nga vet ndërmjetësuesi "dylber" i presidentit Trump e Grenell i cili detyroi Kosovën të dorëzohet edhe një herë përballë Serbisë, duke hequr taksën, masat e reciprocitetit, ta pranoj hyrjen ne Mini-Shengenin, apo minijugosllavinë e Vuçiqit, ta bëjë Serbinë hisedarë në Ujman”, u shpreh Qarrri.

Në fund Qarri thotë që fitorja e Biden është më e duhura për popullin shqiptar pasiqë fitorja e tij është e njëjtë si ajo e Klinontit dhe Bushit sepse Biden do të zgjidhte problemet e Kosovës që i kem prezente që sa kohë.

“Ideja më e mirë dhe thirrja më e qëlluar, si dhe më me vend nga bashkëkombësit në atdhe dhe diasporë, drejtuar vëllezërve tanë, të gjuhës dhe gjakut në Amerikë, është që ata të votojnë në numër sa më të madh, sa më masovikisht dhe sa më shumë shqiptar që të jetë e mundur, për z.Joe Biden, i cili përveçse është i mirë për SHBA-të dhe Bashkimin Evropian-në, ai është dashamiri më i madh dhe miku më i mirë e më i sinqertë për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë, ndaj dhe unë,që tani nga këtu, u bëj thirrje me gjithë zemër që të votohet z. Joe Biden dhe urojë me shpirtë, që ai edhe të fitoj, ngase fitorja e z.Joe Biden, për shqiptarët është e njëjtë si ajo e Bill Klintonit dhe Georg W.Bush do të ishte fitore edhe e Kosovës, e Shqipërisë dhe bashkëkombësve kudo, anë e mbanë globit, ngase vetëm zgjedhja president e z.Joe Biden, pa asnjë dyshim, do të zgjidhte edhe shumë probleme që sot e sa kohë, pareshtur mundojnë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat