Analiza para vendimit të madh të Speciales: Ja dy drejtimet në të cilat punoi Thaçi, ky është shpëtimi për Kosovën...

Politika

Analiza para vendimit të madh të Speciales: Ja dy drejtimet në të cilat punoi Thaçi, ky është shpëtimi për Kosovën...

Nga: P.R Më: 23 tetor 2020 Në ora: 19:13
Hashim Thaçi

24 tetori, është data e fundit kur Gjykata Speciale duhet të vendosë për fatin e propozim aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kreu të PDK-së, Kadri Veseli.

Lidhur me atë se çfarë pritet të ndodhë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë në harkun kohor të disa orëve do të shpallë vendimin e saj nëse do të vazhdojë hetimin e presidentit të Kosovës, apo ta ndërpresë këtë akuzë. Në fakt pritjet janë që zoti Thaçi të hetohet më tej për akuzat e prokurorit special. Këto pritje bazohen në faktin se prokurori para pak ditësh publikoi një akuzë të rëndë në adresë të presidentit të Kosovës për përpjekjet e tij për ta asgjësuar veprimtarinë e Gjykatës Speciale. Nuk e di nëse ka skenar për këtë. Sepse skenarët kërkojnë një grup të strukturuar që punon në këtë drejtim. Por aktet politike të zotit Thaçi dëshmojnë qartë se ai punon në atë që thashë më lart, për ta limituar, kufizuar ose manipuluar veprimtarinë e kësaj gjykate. Kërkesa e tij drejtuar parlamentit të Kosovës për të kufizuar mandatin e Speciales, është njëra nga përpjekjet e dukshme të tij në këtë drejtim”, tha Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, dy janë drejtimet në të cilat ka punuar prej qershorit zoti Thaçi.

“Nga njëra anë të përpiqet të gjejë mundësi dhe artifica për ta pamundësuar shkuarjen e tij në Hagë. Kjo nëpërmjet kërkesave dhe propozimeve për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës me qëllim zhbërjen e Gjykatës Speciale. Kjo kërkesë e tij është e rrezikshme jo vetëm për Gjykatën e Hagës, por edhe për vetë Kosovën. Të gjithë e dinë tashmë kërkesën e Lajçak për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës. Një nga argumentet e tij do të jetë e do të ishte “Ju donit ose e keni ndryshuar kushtetutën për interesat personale të presidentit tuaj, për ta mbrojtur atë nga akuzat e Gjykatës Speciale pa u hetuar. Përse u dashka të jetë tabu ndryshimi kushtetues për t’i hapur rrugë Asociacionit të komunave serbe në Kosovë”?!”, deklaroi profesor Bytyçi.

Ai ka shtuar se drejtimi tjetër i përpjekjeve të Hashim Thaçit është destabilizimi i Kosovës.

“Dhe jo vetëm Lajçak do ta përdorte këtë argument në favor të Serbisë. Po të kishte sukses Thaçi në zhbërjen e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, atëherë propaganda politike dhe diplomatike e Serbisë do ta kishte këtë fakt si municion për të rikthyer akuzat serbe për atë që ata e quajnë “krime të UÇK-së kundër serbëve civilë” në kohen e luftës. Pra, përpjekjet e Thaçit për ta asgjësuar Gjykatën Speciale ishin dhe mbeten një aventurë me kosto të jashtëzakonshme për Kosovën. Fatkeqësisht Kosova ka një president që bën llogari me koston e tij, por jo të atdheut të vet. Drejtimi tjetër i përpjekjeve të Hashim Thaçit është destabilizimi i Kosovës. Kjo përpjekje u projektua në kokën e tij pas shpalljes së akuzës në fund të qershorit të kaluar. Metoda e njohur e fillimit ishte të krijonte idenë se “Haga nuk po akuzonte Thaçin, por Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”! Dhe kjo metodë i funksionoi deri diku. Në këtë strategji i erdhi në ndihmë Shoqata e veteranëve të Luftës në Kosovë, e cila drejtohej nga njerëz me kontribute të dyshimta në veprimtarinë në hije të SHIK, të themeluar po prej Thaçit, si dhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”, theksoi Bytyçi.

“U lajmëruan protesta të shoqatës së luftës. Madje u bënë disa përpjekje për këto protesta. Por në këto përpjekje ai nuk gjeti përkrahjen e kryeministrit të Kosovës, zotit Hoti. Prej këtij momenti u thyen marrëdhëniet e ngrohta midis tyre me ndërmjetësimin e Isa Mustafës. Prandaj dhe inskenoi diskreditimin e kësaj qeverie. Policia dhe prokuroria duhet të hetojnë dhe zbulojnë me çdo kusht skenarin e 2 milion eurove që shkuan në llogarinë e një kompanie në një fshat të Drenasit. Çfarë përfaqëson kjo kompani?! Me kë punon dhe me kë i mban lidhjet politike? Me kë ka kontaktuar kohët e fundit? Po ashtu duhet të zbulohen të gjitha lidhjet me politikën dhe politikanët të atyre zyrtarëve që janë implikuar në këtë aferë të padëgjuar”.

Më tej, profesor Bytyçi ka deklaruar se grabitja në Thesarin e Shtetit të Kosovës, u bë me qëllim që të ulin reputacionin e qeverisë në drejtimin e ekzekutivit të Kosovës

“Projekti i vjedhjes së hapur të këtyre parave nuk ka të bëjë as me vjedhjen, as me përvetësimin e atyre parave, sepse gjithkush e di se nuk mund të përvetësosh e vjedhësh në këtë formë. Ky akt ishte grabitje e thesarit të Kosovës. Dhe grabitja u bë me qëllim që të ulin reputacionin e qeverisë në drejtimin e ekzekutivit të Kosovës. Madje nuk e përjashtoj mundësinë që ky akt të jetë stisur edhe për ta justifikuar ikjen e kësaj qeverie dhe mundësimin e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës”, shtoi Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi tha se do të ishte shpëtim për Kosovën largimi i Hashim Thaçit nga posti i presidentit.

“Akte të tilla horrori shpresojnë të marrin fund brenda disa orëve, kur Gjykata Speciale të shpallë vendimin e saj. Për mua, e kam thënë, do të ishte shpëtim për Kosovën largimi i Hashim Thaçit nga posti i presidentit. Dhe derisa nuk ka asnjë mundësi tjetër për ikjen e tij, do ta duartrokisja një vendim të Hagës, i cili e ve atë në bankën e të akuzuarve. Por sinqerisht do të uroja që ai ta proovojë pafajësinë. Ajo që dëshiroj unë nuk ka të bëjë me fatin personal të Hashim Thaçit, por me dëshirën time që ai të mos ketë asnjë mundësi të shfrytëzojë pushtetin për ta dëmtuar edhe më tej Kosovën, sidomos në raportet e saj me Serbinë”, përfundoi për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat