Parashikimi për vendimin ndaj Thaçit e Veselit: Gjykata Speciale ka tri opsione në tavolinë...

Politika

Parashikimi për vendimin ndaj Thaçit e Veselit: Gjykata Speciale ka tri opsione në tavolinë...

Nga: P.R Më: 23 tetor 2020 Në ora: 20:01
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ishte 24 qershori 2020, dita kur Gjykata Speciale bëri të ditur propozim aktakuzën ndaj kreut të shtetit, Hashim Thaçit, dhe ish udhëheqësit të SHIK-ut, tani kryetar i PDK-së, Kadri Veseli.

Thaçi dhe Veseli ndër tjerash akuzohen nga Gjykata Speciale për eliminimin e kundërshtarëve politikë në Kosovë.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Prokurorisë së Speciales.

Thaçi dhe Veseli akuzoheshin se edhe po tentonin ta pengonin punën e Speciales.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhej ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Speciale.

E fati i kësaj aktakuzë do të dihet në orët në vijim, pasi afati i fundit që Gjykata Speciale të marr vendim është 24 tetori.

Por, sipas analisti politik, Faton Mehmeti, Gjykata Speciale mund të mos e bëjë publike njëherë vendimin për aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit.

Image
Faton Mehmeti

“Momentalisht Gjykata Speciale ka tri opsione në tavolinë: Të konfirmojë aktakuzën, të hedh poshtë, apo të konfirmojë por mos ta publikoj deri pak para seancës të parë. Kështu që, njëri nga këto tri opsione do të vërtetohet shpejt”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ‘lufta’ më e madhe në Kosovë do të zhvillohet për postin e presidentit të vendit.

“Nuk pres që të ketë tensionim dramatik nga ana e qytetarëve në masën që ka mundur të jetë më herët, megjithatë edhe pa tensionim s’do të mbetet, nëse konfirmohet aktakuza. Tensionim më të madh pritet të ketë nga klasa politike, me çështjen e presidentit, të cilin postë synojnë të marrin të gjithë partitë e mëdha, e të cilat pritet të bëjnë pazare të mëdha në këtë aspekt, duke “djegur” dikë politikisht”, shprehet Mehmeti.

“Kështu që Kosova krahas rritjes së situatës më Covid, pritet të përballët edhe me një situatë të rëndë politike. Besoj se do të ketë konfirmim të aktakuzës, tani apo më vonë, megjithatë nuk besoj se do të hidhet poshtë. Kështu që është e pashmangshme të ketë tensione”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat