Weber: Lajçak bëri gafën e parë, ja ku gjendet zgjidhja e vetme për Asociacionin

Politika

Weber: Lajçak bëri gafën e parë, ja ku gjendet zgjidhja e vetme për Asociacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 tetor 2020 Në ora: 16:07
Bodo Weber

Eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor Bodo Weber, ka folur për deklaratën e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se Lajçak bëri gafën e tij të parë, kur tha se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për të lejuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, dialogu mes të dyja vendeve gjendet në krizë, pasi tema e Asociacionit u hodh në tryezë në një fazë të hershme.

“Hapja e këtyre temave nga emisari special Lajçak, për mendimin tim paraqet gafën e tij të parë të madhe që kur ai mori rolin e tij për negociatat Kosovë-Serbi, që, nëse nuk e ka vrarë plotësisht autoritetin e tij si kryenegociator, atëherë të paktën i ka shkaktuar dëme të mëdha. Është e qartë se rivendosja e synuar e negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e filluar në korrik ka rënë në krizë, dmth goditi një mur duke lejuar palët të vendosnin çështjen e diskutueshme të Asociacionit në tryezë në një fazë kaq të hershme”, është shprehur Weber.

Eksperti gjerman, i është kundërpërgjigjur edhe kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, duke thënë se çështja e Asociacionit nuk është çështje e mbyllur, siç insiston ky i fundit. Sipas tij, Beogradi po synon ndarjen territoriale të Kosovës, përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Çështja e Asociacionit nuk është çështje e mbyllur ku gjithçka është e qartë, siç insiston Kryeministri Hoti, dhe as nuk është për rishikimet e Beogradit që synojnë arritjen e ndarjes territoriale të Kosovës përmes një dere të Asociacionit me kompetenca ekzekutive pasi të kenë goditur një mur me shtytjen e shkëmbimit të tokës”, ka thënë më tej Weber.

Ai ka fajësuar BE-në se që në vitin 2015, nuk e ka adresuar këtë temë në dialog, para fillimit të negociatave për një marrëveshje përfundimtare.

“BE në performancën e saj të mëparshme të dialogut para fillimit të negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e ka lënë çështjen thelbësore të statusit të Asociacionit të paadresuar, duke i çuar negociatat në një bllokim në 2015”, është shprehur Bodo Weber.

Ai ka treguar edhe se ku gjendet zgjidhja e kësaj çështje.

“Zgjidhja e vetme qëndron në një mënyrë të tretë, përveç insistimit të Beogradit në kompetencat ekzekutive, dhe pozicionit të Prishtinës të Asociacionit që barazohet me një OJQ. Një që në të njëjtën kohë adreson frikën kolektive të Prishtinës, shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës dhe siguron një këndvështrim kuptimplotë midis të drejtave kolektive dhe individuale, bazuar në demokracinë e fortë lokale, vetëqeverisjen lokale dhe sundimin e fortë të ligjit, duke filluar nga veriu i Kosovës. Diskutimi për një zgjidhje të tillë mund të bëhet vetëm brenda kornizës së negociatave reale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Weber.

Ai ka fajësuar administratën Trump dhe ambasadorin amerikan Richard Grenell, për bllokim të negociatave, përmes veprimit të njëanshëm.

“Negociatat e tilla aktualisht janë bllokuar për shkak të veprimit të njëanshëm të administratës Trump, të z. Grenell dhe marrëveshjes së Uashingtonit. Pretendimi se negociatat e Brukselit janë ende në rrugën e duhur, kur në fakt ato janë ndalur deri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe hyrjen në detyrë të administratës së ardhshme, derisa lejojnë Beogradin dhe Prishtinën të përcaktojnë agjendën e negociatave, ka çuar në krizën aktuale dhe që Lajçak të humbë orientimin në mënyrë të bezdisshme”, ka shtuar për “Bota sot” eksperti gjerman Bodo Weber./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat