Vjosa Osmani kujton Ukë Bytyqin, flet edhe për vrasjet politike

Politika

Vjosa Osmani kujton Ukë Bytyqin, flet edhe për vrasjet politike

Nga: H.O. Më: 27 tetor 2020 Në ora: 08:25
Presidenti Ibrahim Rugova, Ukë Bytyqi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në një postim të saj në Facebook ka kujtuar vrasjen e veprimtarit të LDK-së,Ukë Bytyqit.

Në 18 vjetorin e vrasjes së tij, Osmani thotë se Bytyqin e kujtojmë si prijës të urtë që Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institcionale e politike.

Kryetarja e Kuvendit tha tutje se derisa vrasjet e pasluftës mbesin të pazbuluara, liria nuk është e plotë.

Postimi i plotë:

Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institcionale e politike.

Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë.

Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat