“Kështu po luftohet Avdullah Hoti”, analisti tregon planin e këtyre partive për Presidentin

Politika

“Kështu po luftohet Avdullah Hoti”, analisti tregon planin e këtyre partive për Presidentin

Nga: P.R Më: 27 tetor 2020 Në ora: 20:17
Avdullah Hoti

Një debat i ashpër ka shpërthyer ditëve të fundit mes partnerëve të lokacionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Krejt kjo për shkak të postit të presidentit, post të cilin e dëshiron për vete lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka kërcënuar se nëse nuk zgjidhet ai president, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

E sipas analistit politik, Gani Qarri e gjithë lufta po ndodhë për pushtet, e jo për interesin e shtetit të Kosovës.

“Përkundër faktit të ballafaqimit të Qeverisë aktuale me probleme të panumërta, shumica e partive politike parlamentare në Kosovë, sidomos partitë e ashtuquajtura "të dala nga lufta" të cilat tash e mbi një dekadë janë bërë të njohura, vetëm për zhvatje, korrupsion e krim të organizuar, për momentin janë përqendruar me të gjitha mundësit dhe akrobacionet grabitqare, në vjedhjen edhe të asaj çfarë ka mbetur në Kosovë pa u grabitur nga prijësit e tyre, si dhe kanë bashkuar forcat për shkatërrimin e kompanive të fundit shtetërore ende funksionale si Telekomi i Kosovës, përderisa për shkak të rënies së tërësishme të imazhit në popull, kanë frikë të shkojnë në zgjedhje të reja, ndaj dhe janë pozicionuar kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Më tej, Qarri shprehet së një ‘luftë’ e ashpër po zhvillohet edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit.

“Por në të njëjtën kohë, ato po luftojnë me suksese edhe për denigrimin e kryeministrit Hoti, rrëzimin e reputacionit të qeverisë së udhëhequr nga ai, si dhe krijimin e sa më shumë problemeve, për përlyerjen në masë sa më të madhe edhe të LDK-së, me korrupsion galopant e krim të organizuar, si vjedhja e Thesarit të Shtetit, pikërisht në momentet kur ministrinë e financave dhe atë të punëve të brendshme i udhëheqë LDK. Shto kësaj edhe falimentimi i Telekomit, të cilat që të gjitha bashkë, i bëhen barrë tejet e rëndë kësaj qeverie dhe dëmtojnë paimagjinueshëm edhe imazhin e Hotit si kryeministër, pa harruar këtu shuarjen e Task Forcës Antikorrupsion, nga vet Avdullah Hoti subjekt i hetimeve të së cilës thuhet se ishte edhe një tender rreth 383 mijë eurosh i nënshkruar nga Agim Veliu, për çka u kritikua edhe nga vendet e Quintit, ndërsa nga IKD, përveç kritikave u kërkua publikisht edhe shkarkimi i Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme”, thekson Qarri.

Sipas tij, edhe njëherë në Kosovë po zhvillohen pazare politike për zgjedhjen e presidentit.

“Madje në vend të çuarjes së vendit ne zgjedhje te jashtëzakonshme, të cilat ndoshta do ta nxirrnin edhe shtetin nga kriza e rënduar tash e sa kohë, jo vetëm ekonomike por edhe politike, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga problemet e shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova, ato për interesa partiake, kanë filluar të bëjnë "piskamë" të sinkronizuar, rreth pazareve të fundit për zgjedhjen e presidentit, megjithëse në gjendjen nëpër të cilën po kalon vendi, për Kosovën aktualisht nuk është fare prioritet as problem i parë, se cila parti, apo figurë politike, do ta marrë këtë post për katër vitet e ardhshme”, deklaron analisti Qarri.

“Kështu që, në skenë kanë hyrë skenar të ndryshëm, që nga marrja e tërësishme e pushtetit dhe pozitës së presidentit nga partitë e dala nga "lufta" e deri te nënshtrimi i LDK-së në pozita minimale e sa më të ulëta shtetërore, për të marrë vet qeverisjen e vendit në dorë dhe postin e presidentit, por duke mbajtur edhe LDK-në, me ministri të parëndësishme e anësore në koalicion, sa për dekor dhe sigurimin e votave të mjaftueshme për qëndrimin e qeverisë së udhëhequr nga ta, pa nevojën e votave të "Listës serbe", në mënyrë që LDK të mos u bëhet opozitë dhe pushtetin të mos ua marrë serish Albin Kurti dhe Vetëvendosje, e cila vazhdon tu kanoset pa pardon, për dërgimin e krerëve të këtyre partive dhe ministrave të korruptuar nga këto segmente politike në burg”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat